Vëzhgim

Udhëzime për blerje: Navigim përmes tregut të GPS

Feb 27 2009
0 Shpërndarje
Udhëzime për blerje: Navigim përmes tregut të GPS

Hartat e letrës e kanë kaluar kohën e tyre. Sot navigimi nga një vend në tjetrin bëhet përmes pajisjes GPS, por ama vetë navigimi i tregut të GPS-ve është i ndërlikuar. Këto janë tiparet kryesore që duhet të kërkoni para se të blinin ndonjë produkt GPS.alt
Paraqitja e themeleve të GPS
Çdo pajisje GPS që mendoni ta blini duhet të ketë së paku disa tipare themelore. Para se të vendosni se kë do blini duhet t’i testoni pajisjet apo të pyesni për funksionet që ka.
Të dhënat e hartave janë vitale. Pa to pajisja GPS është e padobishme. Pajisjet GPS zakonisht përmbajnë hartat e detajuara të rrugëve në Shtetet e Bashkuara, por duhet të siguroheni që modeli që ju dëshironi ka hartat që ju duhen. Gjithashtu merrni parasysh, mundësinë e marrjes së hartave dhe koston e tyre.
Shumica e pajisjeve ofrojnë udhëzimet me zë përmes altoparlantit, i cili duhet të ketë volum të mirë për t’u dëgjuar mes zhurmës së veturës. Kërkoni edhe funksionin nga-tekst-në-zë të, cilin disa pajisje nuk e kanë. Ato me këtë funksion kanë aftësi të flasin emrat e rrugëve. Në vend që t’ju thonë të ktheheni majtas pas 100 metrash, për shembull, pajisja do t’ju thotë të ktheheni në të majtë pas 100 metrash, në rrugën Elm Street.
Edhe pse nuk duhet t’i mbani sytë mbi pajisje gjatë gjithë kohës, nganjëherë duhet të bashkëveproni me ekranin e saj. Shumica e ekraneve janë me madhësi 3.5 inç. Ekrani duhet të jetë i madh sa për një shikim të lehtë dhe të ketë dritë të mjaftueshme që mund ta shihni në prani të rrezeve të diellit. Shumica e modeleve kanë ekran të ndjeshëm në prekje, që përdoret për navigim të tipareve dhe vendosjen e destinacionit. Pajisja që zgjidhni duhet të ketë një dizajn të përshtatshëm dhe një ekran të ndjeshëm në prekje, që të përdoret lehtë. Shumica e pajisjeve kanë edhe bazat e të dhënave me pika interesi, të cilat shfaqin vende si, pompa benzine, hotele, parqe dhe kafeteri. Mund të kërkoni atraksionet lokale e t’i kërkoni pajisjes t’ju drejtojë për atje.
Raportet e gjendjes reale në trafik janë të zakonshme gjithashtu te pajisjet e reja. Kur është i pajisur me marrës dhe abonim për raportim të gjendjes së trafikut, të cilat mund të kushtojnë ekstra, pajisja mund t’ju lajmërojë  për bllokime në trafik dhe do t’ju ridrejtojë në një rrugë tjetër.
Mbani mend se si do ta montoni pajisjen GPS në veturë. Shumica e kompleteve përfshijnë një mbajtëse dhe ngjitës për xhamin e përparmë, por mund të ngjitet edhe në kroskotin e veturës. Disa shtete e kanë ndaluar përdorimin e pajisjeve të montuara në xhamin e përparmë, kështu që do t’ju duhet të gjeni një alternativë.
Shumica e modeleve mund të shfaqin të dhëna 3D të hartave, e quajtur gjithashtu si pamje nga syri i zogut. Gjatë udhëtimit, harta vazhdon të azhurnohet duke reflektuar pozicionin tuaj aktual dhe terrenin përreth. Shumica e pajisjeve GPS ofrojnë edhe imazhe të vërteta të rrugëve, së bashku me sinjalet rrugore, që shfaqen afër udhëkryqeve të ngatërruara. Me një shikim të shpejtë në ekran, mund të siguroheni se jeni duke ndjekur rrugën e saktë. Disa pajisje përkrahin edhe asistencën për zgjedhjen e korsive, duke ju udhëzuar se cilën korsi të zgjidhni në përgatitje për kthesën e radhës.

Kjo është Infomani
Shumica e pajisjeve GPS ofrojnë më shumë se vetëm udhëzimet për udhëtim. Shumica e tyre mund t’ju zbavitin gjatë rrugës.
Modelet e shtrenjta, por edhe disa mesatare, përkrahin Bluetooth, të cilin mund ta lidhni me telefonin dhe të bëni thirrje pa duar përmes altoparlantit në GPS.
Disa pajisje GPS ofrojnë edhe music player që ofron mundësinë e dëgjimit të muzikë përmes altoparlantit dhe kur pajisja ka transmetues FM, mund ta dëgjoni përmes altoparlantëve të veturës. Disa nga pajisjet e tjera mund të lidhen me MP3 player.
Pajisje të caktuara GPS ofrojnë gjithashtu shikim të videove dhe dëgjim të audiove, por nëse nuk keni plan të rrini gjithë ditën në veturë, të parkuar, ato nuk janë tipare që do t’ju hyjnë shumë në punë. Kushtojnë gjithashtu shumë.
Lidhja me internetin te pajisjet GPS është ende e rrallë, por ama shumë e përshtatshme. Me të, mund të dërgoni adresat në pajisje përmes internetit dhe të gjeni informacione rreth vendit ku ndodheni, si për shembull çmimi i karburanteve.

Pajisjet më të mira GPS që kemi testuar
Mund të mendoni se keni harxhuar shumë për të blerë GPS-në e ëndrrave tuaja. Mendoni përsëri. Testuam në rrugë për këtë artikull shtatë produkte GPS dhe shumica e tyre ishin më të lira se 300$, në disa raste edhe më lirë. Herën e kaluar kur kemi bërë një përmbledhje të tillë, që ishte para një viti, (find.pcworld.com/62031), vetëm një nga ai grup shitej më lirë se 300$.
Edhe modelet më të shtrenjta sot kanë çmimet që para një viti ishin në kategorinë mesatare. Nëse ajo që doni është të arrini nga pika A në pikën B, nuk duhet të harxhoni shumë para.
Lajmi i mirë: Kur çmimet e pajisjeve GPS vazhdojnë të ulen, produktet vazhdojnë të mbledhin shumë e shumë tipare. Dy pajisjet që kemi testuar këtë muaj: Navigon 2200T me vlerë 210$ dhe Garmin Nuvi 265T me vlerë 250$, përmbajnë shërbim trafiku të përjetshëm, pra nuk duhet të blini ndonjë pjesë shtesë apo të paguani parapagim.
Zakonisht, sa më shumë të paguni për një pajisje GPS, aq më shumë tipare do të merrni. Kryesuesi i tabelës TomTom GO930 dhe vendi i dytë Magellan Maestro 4350, secili me çmim prej 425$ janë sistemet më të shtrenjta që kemi testuar këtë raund. Të dy ofrojnë opsione ekstra, si përkrahja për Bluetooth, transmetimi FM dhe audio e video player. Por ata kanë fituar vendet kryesore për shkak të mundësive të shkëlqyera të navigimit, me të cilat kanë gjetur rrugët më të përshtatshme për në destinacion.
I kategorizuar në tabelën tonë është edhe TeleNav Shotgun me çmim prej 299$, që ofron shërbim opsional për lidhje. Shërbimi është pak më i shtrenjtë, rreth 10$ në muaj, por ju lejon të keni qasje te çmimet e karburanteve në vende të ndryshme dhe të dërgoni adresat përmes internetit.

 

Lajmet e fundit>