Lajmet

Veçoria “do not track” e Internet Explorer 10, mund të mërzisë përdoruesit

Dec 6 2012
0 Shpërndarje
Veçoria “do not track” e Internet Explorer 10, mund të mërzisë përdoruesit

Vendimi i Microsoft-it për të aktivizuar si opsion të parapërcaktuar në Internet Explorer 10 konfigurimin “do not track” (DNT, shqip mos gjurmo) mund t’i bëjë përdoruesit të pakënaqur me këtë shfletues sepse ai ndërhyn në veçori si ruajtja e fjalëkalimeve dhe autoplotësimi, ka arritur në përfundimin një anketë e re.

Që kur u bë e ditur para disa muajsh se IE 10 do të vendoste veçorinë “do not track” për

përdoruesit, reklamuesit e mëdhenj kanë protestuar se kjo rrezikon të nxjerrë jashtë loje reklamimin e personalizuar, nga i cili varet shumë tregtia në internet. Kundërshtimi kryesor ishte se vendimi për të aktivizuar këtë veçori duhet të merret nga përdoruesi, jo nga Microsoft-i.

Anketa e firmës së reklamimeve dixhitale, YouGov Mediasyndicator , me 1987 të rritur britanikë gjeti një përqindje ngatërrimi e hutimi në lidhje me mendimet pro dhe kundra karshi kësaj strategjie. Rreth 45 për qind e të anketuarve thanë se nuk i donin cookies që vendosnin faqet në kompjuterët e tyre, ndërsa më shumë se gjysma thanë se reklamimi i personalizuar që gjenerohet nga gjurmimi me cookie ishte pak relevant.

Në veçanti “reklamat me objektiv të ri” që u dërgohen përdoruesve pasi kanë lënë një faqe të caktuar, ishin jo aq të mirëpritura, pasi vetëm 1 për qind i përshkruan si “relevant”. 44 për qind thonë se i injorojnë plotësisht këto reklama.

Ajo që habit më shumë është se një e treta thanë se kanë nisur të mos përdorin shfletues që kanë imponuar si të paracaktuar opsionin “do not track” nëse i ndalte nga shfrytëzimi i leverdive të tjera si për shembull ruajtja e fjalëkalimit dhe vetëplotësimi i formularëve të ndryshëm, pasi 87 për qind e të anketuarve i vlerësonin këto veçori.

“Rezultatet tona tregojnë se këto veprime vijnë më shumë nga mungesa e njohurive dhe hutimi në lidhje me përdorimin e teknologjisë së gjurmimit, që në fakt është dizajnuar për të përmirësuar dhe personalizuar shërbimet që u ofrohen në ueb”, thotë shefi ekzekutiv i Mediasyndicator, Spiro Korsanos. “Reagimi kundër teknologjisë së gjurmimit është pjesërisht edhe për shkak të irritimit nga ana e përdoruesve sepse janë bombarduar me reklama të riplanifikuara në të gjitha faqet që shohin.”

Interpretimi që përdoruesi mund ta aktivizojë vetë këtë veçori mund të kthehet kundër IE 10 sepse vendosja e saj në mënyrë të parapërcaktuar është pak e tepërt; numri i faqeve në të cilat fjalëkalimet dhe formularët e ndryshëm plotësohen nga cookie është për shumicën e përdoruesve një përqindje e vogël e numrit total të atyre të mbledhura gjatë lundrimit në internet.

Ndonëse disa faqe i përdorin këto cookie si një mënyrë për të lehtësuar aksesin e vizitorëve, shumë prej tyre i përdorin thjesht për të bërë reklama ose për të gjurmuar zakonet e klientëve në shfletimin e internetit. Pa e kuptuar këtë teknologji në detaje, përdoruesit janë bërë dyshues ndaj saj.

Për pasojë, shumë përdorues sot i kanë vendosur shfletuesit e tyre në opsionin që i fshin cookie pas mbylljes së çdo opsioni, duke u futur në ato faqe me anë të përdorimit të menaxhuesve të sigurt të fjalëkalimeve ose duke bërë një listë të pranuar të cookie nga faqe të caktuara (si në rastin e Firefox). I hedhur në treg që në muajin tetor si pjesë e Windows 8, një version prove i IE 10 për Windows 7 është në qarkullim që prej dy javësh.

Kjo vjen vetëm pak muaj pas direktivës së BE për privatësinë, e cila u kërkon kompanive europiane që të kërkojnë lejen e përdoruesve kur të vendosin cookie në pajisjet e tyre. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>