Analiza

Veliaj: 60% e studentëve që ndjekin IT në shkollat profesionale punësohen që në vitin e parë

Sep 27 2014
0 Shpërndarje
Veliaj: 60% e studentëve që ndjekin IT në shkollat profesionale punësohen që në vitin e parë

big_shkolla1Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj u shpreh gjatë një vizite në shkollën e mesme profesionale “Gjergji Canco” se 60% e studentëve që ndjekin shkollat profesionale dhe kryesisht degët si Teknologji Informacioni, punësohen që në vitin e parë të punës. Veliaj është shprehur se çdo ditë e më shumë tregu po kërkon këtë profesion dhe se industria e Teknologjisë së Informacionit po evoluon me ritme të shpejta ndaj ai i fton gjithë të rinjtë ta shohin këtë si një mundësi.

Sipas disa statistikave nxënësit që ndjekin këto lloj kursesh profesionale janë më të prirur për të gjetur punë se sa ata që ndjekin një shkollë të mesme të përgjithshme. Sipas ministrit, këtë vit janë regjistruar në shkollat profesionale 6000 të rinj, gjë kjo që dëshmon se publiku po i kushton rëndësinë e duhur arsimit profesional. Ai shtoi se sfida e ardhshme do të jetë zbatimi i sistemit dual gjerman në të gjitha shkollat e Shqipërisë, sipas të cilit nxënësit duhet të kalojnë 30% të kohës së tyre në prani të një biznesi.

“Në çdo shkollë kemi një kryetar bordi, i cili vjen nga fusha e sipërmarrjes për t’u siguruar që dija që merret në shkollë, të zbatohet në praktikë pranë një biznesi. Prioriteti ynë është praktika. Në 23 vite shkollat profesionale kishin dalë jashtë mode dhe konsideroheshin si një derë e hapur për nxënësit e dobët. Por, më vjen mirë që në shkolla të tilla si “Gjergji Canco” sot kemi nxënës me mesatare mbi 8,” nënvizoi ministri Veliaj. Ai pohoi se oferta e konviktit falas dhe e bursës së plotë ka sjelle rritjen e numrit të nxënësve që regjistrohen në këto shkolla. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>