Softuer

Versioni i ri i WordPerfect nga Corel që kryen mjaft punë

Aug 10 2008
0 Shpërndarje
Versioni i ri i WordPerfect nga Corel që kryen mjaft punë

Përdoruesit ekzistues të WordPerfect do ta shohin versionin e ri të vlefshëm për ta pasur, por përdoruesit e Microsoft Office do të shohin pak arsye imponuese për të ndryshuar programin që përdorin. I kam hedhur një sy kompletit Word Perfect Office X4 Standard Edition që kushton 299$, që përfshin procesuesin e tekstit Word Perfect; aplikacionin për tabela Quattro Pro; Presentations; programin për analizim shënimesh Visual Intelligence; Word Perfect Lightning, një program për marrje shënimesh në Rrjet dhe Word Perfect Mail për menaxhim të postës elektronike. Programi bazë Word Perfect përkrah një numër të madh të skedarëve, duke përfshirë Open Document Format (ODF), versione të vjetra të Word Perfect dhe disa formate antike të Microsoft Ofice, që edhe Microsoft nuk i përkrah më. Më e rëndësishmja, WordPerfect Office mund të hapë formatin më të ri XML të Office 2007 (formatet që kanë prapashtesën“x”, si për shembull .docx, .xlsx dhe .pptx).

Përshtatja e WordPerfect është shumë e mirë, por jo e përkryer. Shumica dokumenteve të Word që kam testuar, janë importuar pa asnjë problem, sidoqoftë dokumentet me përmbajtje tjetër kishin probleme të tilla, si mungesa apo deformimi i fotografive. Një nga tiparet më të përmendura në WordPerfect Office është përkrahja e formatit PDF, që është disa hapa para asaj që Microsoft Office ofron. Ka mundësinë e konfigurimit të krijimit të dokumenteve PDF, duke i mundësuar autorit të kontrollojë detaje si zëvendësimin e fonteve, kompresimin e fotografive, nivelin e përshtatshmërisë, si dhe mbrojtjen me fjalëkalim të dokumenteve. Sidoqoftë, mundësia e WordPerfect për të edituar dokumentet PDF është e ekzagjeruar. Por programi mund të hapë dokumentet PDF dhe t’i konvertojë ato në dokumente WordPerfect.

Megjithatë, në disa raste ky proces dështon, duke përfunduar me tekst të pakuptueshëm. Në disa raste punon, por ndryshon renditjen e tekstit. Si rezultat, megjithëse tipari për hapjen e dokumenteve PDF është një mënyrë e mirë për të shpëtuar tekstet nga dokumente të ndryshme, programi nuk është aq i saktë sa të punosh me dokumentet origjinale. Në mënyrë të habitshme, ky version i WordPerfect Office prezanton aftësinë për të përdorur njohjen optike të karaktereve, kur provon të lexojë PDF, që përmbajnë imazhe të skanuara, në vend të tekstit. Edhe njëherë, nuk është i përsosur, por asnjë komplet programesh për zyrë nuk ofron diçka të përafërt me të. WordPerfect Office është më i lirë se Microsoft Office, por jo edhe shumë. Për kë ka rëndësi çmimi, më e mirë është zgjedhja e konkurrencës së këtyre programeve, OpenOffice.org që është falas. Sidoqoftë, WordPerfect kryen mjaft punë për t’i mbajtur përdoruesit e kënaqur. Përshtatshmëria e tij me Microsoft Office e bën që t’ia vlejë çmimi prej 160$ për versionin e ri.

 

Lajmet e fundit>