Lajmet

Vështrim: Kamera e Nokia 808 PureView

Jun 9 2012
0 Shpërndarje
Vështrim: Kamera e Nokia 808 PureView

Nokia më në fund u bë shumë guximtare, dhe pas një kohe relativisht të gjatë, përsëri na dhuroi një inovacion të madh për të cilin zhvillim pohojnë se kanë harxhuar më shumë se pesë vite, prandaj PCWorld ka vendosur ta bëjë një vështrim dhe t’i sjell detajet kryesore për lexuesit e vet.

Teknologjia PureView për here të parë u shfaq në modelin Nokia 808 me të cilin Nokia ka vendosur të dalë në treg me një teknologji “magjike”.

Siç edhe kemi shkruar në artikullin për kamerat megapikselët nuk janë aq të rëndësishëm, prandaj prapa teknologjisë së PureView qëndron krejt diçka tjetër, e këtë mund ta ndajmë në tri pjesë:

1) Senzori

Pas prezantimit të modelit N8 në pranverë të vitit 2010, Nokia me mjaft vetbesim pretendoi se ka integruar senzorin më të madh të përdorur ndonjëherë. Dhe ky pretendim doli të jetë i saktë.

N8 i pajisur me një senzor prej 1/1.83”, derisa u publikua modeli 808, me të vërtetë ishte senzori më i madh në ndonjë celularë. Modeli i ri 808 e ndryshoi këtë gjë dhe u vendos një rekord i ri – madhësia e senzorit 1/1.2”, që ishte dy herë më e madhe se modeli N8. Nokia, me ndihmën e partnerëve të vet e zhvilloi këtë senzor, gjë që do ta shtyente kompaninë Nokia ta ruante sekretin e saj.

2) Optika

Përveç senzorit të mirë, Nokia tashmë tradicionalisht integron optikën Carl Zeiss në pajisjet e veta. Lentet për modelin 808 janë zhvilluar me një bashkëpunim të ngushtë mes Nokia-s dhe Carl Zeiss-it, dhe karakterizohen me cilësi të jashtëzakonshme të kualitetit dhe performansave të shkëlqyeshme me të cilat i kalojnë madje edhe disa aparate të modeleve “DSLR”, që i takojnë një klase të mesme. Këto karakteristika janë shumë të rëndësishme,veçanërisht nëse duam cilësinë e fotografisë, nisur nga imtësirat më të vogla të mundshme.

Lentet dhe senzori nën mikroskop

Për të gjithë adhuruesit e teknologjive të tilla po i numërojmë disa nga specifikat tjera të optikës. Ato përfshijnë një gjatësi të fokusit deri 8.02 mm, përkatësisht 26 mm në ekuivalencën e 35mm. Hapja e blendes është 2.4. madhësia e pikselëve 1,4 mikronë, kurse vet konstrukcioni i optikës përfshinë 5 elemente me lentet asferike. Me shkrepjen e pashmangshme mekanike (për shkak të nevojës së blicit) modeli 808 mund të krenohet edhe me një ND filtër si dhe një shkrepje shumë të fortë të formës xenon (dy herë më të fortë se modeli N8). Rezolucioni maksimal i fotografisë është 7728 x 5368 pikselë. Dhe kjo është me të vërtetë mahnitëse, e shkëlqyshme!

3) Oversampling

Megjithatë, zemra e teknologjisë PureView fshihet pas “Oversampling”, që do të thotë se nga disa pikselë të ndryshëm, e formon një piksel të vetëm, me qëllim që ai piksel që nxirret të jetë më cilësori i mundshëm.

Falë këtyre karakteristikave, modeli 808 do të regjistroj fotografi në rezolucion të plotë prej 41, apo 38 megapikselësh – varësisht nga modusi që e përdorim – dhe varësisht nga raporti i faqes së fotografisë (4:3 apo 16:9). Këto lloje të fotografive do të kenë nevojë për një hapësirë, pasi që fotografia mund të kërkon edhe 10MB vend. Por, qëllimi i PureView nuk është madhësia e fotografisë por cilësia e saj.

Fotografia e regjistruar prej maksimalisht 41 megapikselëve pastaj përmbledhet në një fotografi më të vogël prej 5 apo 8 megapikselëve, dhe ashtu për çdo pikselë me metoda të ndryshme të llogaritjes gjenerohet një piksel “perfekt”. Gjatë rezolucionit standard prej 5 megapikselëve për një piksel përdoren madje 7 piksel tjerë fqinj. Me këtë kombinim të numrit më të madh të pikselëve në një mundësohet largimi i një numri të madh të pengesave digjitale nga fotografia, e përveç kësaj përmirësohet riprodhimi i ngjyrave për arsye se në secilin “piksel perfekt” do të ekzistoj një piksel i kuq, gjelbër dhe i kaltër i fotografisë origjinale (për dallim nga senzorët tjerë CMOS të cilët me procesin e interpolacionit mund të largojnë nga nje komponentë të ngjyrave).

Një procedurë e tillë na mundëson ta marrim një fotografi 5 megapikselëshe, me kualitet shumë të lartë në të cilën secili piksel është i krijuar veçanërisht dhe prej tij janë larguar pengesat tipikë të cilat i shohim në pajisjet smartfonë të ditëve të sotme, që janë fotografi të zymta, të paqarta apo edhe që duken të papastërta.

Për këtë llogaritje përgjegjës është një bashkëprocesor shtesë i cili mund të trajtoj një miliard pikselë në sekond.

Por kjo nuk është e tëra….

Teknologjia PureView na mundëson zmadhimin (zoom) e fotografisë dhe video materialit pa e humbur fare cilësinë e objektit që e vendosim në fokus.

PureView përdor një raport të pikselëve 7:1 për një fotografi prej 5 megapikselëve, e në rast se zmadhimi është 3x atëherë përdoret raporti 1:1, që do të thotë se prapë do të jetë fotografi prej 5 megapikselëve vetëm që është rritur për 3x. Natyrisht, gjatë zmadhimit humbin disa gjëra të mira që vijnë me oversampling, por megjithatë rezultati i rritjes së fotografisë është pa humbje të kualitetit.

Në vazhdim ëshë shembulli:

Fotografia origjinale                         3x zoom fotografia

Kjo teknikë e zmadhimit mundëson që vlera e hapjes së blendes të jetë në vlerën e njëjtë (f/2.4), gjë që në kamerat tradicionalisht kompakte nuk është e mundur, por hapja e blendes zvogëlohet me rritjen e faktorit zmadhues. Hapja sa më e madhe e blendes garanton që më shumë dritë të mbërrijë në sensor që njëherit do të thotë se në të gjitha nivelet e zmadhuesit modeli 808 ka përfaqësim më real të skenave të regjistruara, por edhe një shpejtësi më të madhe të shkrepjes që është shumë e rëndësishme kur regjistrohet në errësirë. Përveç kësaj largohet edhe shtrembërimi që shfaqet shpesh tek zmadhuesi optik.

Përveç fotografimit, modeli 808 mundëson edhe regjistrimin e videove full HD (1080p) me 30 korniza për sekond, gjithashtu duke mos e humbur cilësinë madje deri në 4x. Interesante është edhe një gjë tjetër: Nokia 808 mund të regjistroj tinguj stereo me forcë prej 140db pa shtrembërim, që shkurt do të thotë se regjistrimet tuaja në ndonjë koncert do të jenë me cilësi të shkëlqyer zërimi.

Pra vlerësimi i përgjithshëm pas vështrimit,është i mahnitshëm,i shkëlqyer dhe vërtetë që shënon një epokë të re në kamerat dhe teknologjitë e tyre për celularët që i përdorim çdo ditë. Cilido adhurues i fotografisë, kamerës, zërimit, mund të ndjehet i lumtur dhe i qetë, nëse është i përcjell nga aparate me teknologji të tillë.

Fotografitë origjinale të regjistruara me modelin 808 i gjeni në vijim, apo edhe në këtë link direkt te përshkrimi i modelit Nokia 808 dhe pritni për një vështrim më të detajuar të komplet telefonit këtu në PCWorld. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>