Harduer

Veturat në Europë duhet automatikisht të thërrasin ndihmën pas aksidentit

Jul 6 2012
0 Shpërndarje
Veturat në Europë duhet automatikisht të thërrasin ndihmën pas aksidentit

Parlamenti Europian dëshiron që prej vitit 2015 të gjitha veturat e reja në rast aksidenti të thërrasin automatikisht shërbimet emergjente të ndihmës së shpejtë duke përdorur shërbimin e thirrjes emergjente të quajtur eCall. Ky shërbim ishte arsyeja që Parlamenti Europian të martën miratoi një rezolutë me të cilën i kërkon Komisionit Europian që shërbimi eCall të shëndrrohet në ligj.

Parlamenti konsideron se me futjen e thirrjes emergjente të projektuar që në mënyrë automatike të thërret numrin europian të ndihmës së shpejtë 112 kur ndodh aksidenti, do tu mundësonte shërbimeve të shpëtimit të arrijnë në vendin e aksidentit më shpejtë, dhe do të shpëtonin së paku 2500 jetë njerëzish në vit, kurse pasojat nga lëndimet do t’i zvogëlonte nga 10 deri 15%.

Thirrja do të aktivizohej përmes senzorëve të integruar sikurse ata që gjenden në jastëkët e ajrit, apo ndonjëri nga udhëtarët ta shtyp butonin e duhur.

Për zbulimin e vendit të aksidentit sistemi i eCall do të përdor satelitët dhe gjetjen në bazë të telefonisë mobile. Pavarësisht vendit të aksidentit do të kontaktohej qendra më e afërt e ndihmës së shpejtë dhe do t’i dërgohej një sasi minimale e të dhënave si koha, drejtimi i lëvizjes së automjetit dhe identifikacioni i tij, indikacioni se a është aktivizuar thirrja në mënyrë automatike apo me dorë. Me dërgimin e këtyre informacioneve shtesë do të zvogëloheshin jo vetëm mosmarrëveshjet dhe stresi, por edhe barrierat e mundshme të gjuhës në mes udhëtarit dhe operatorit.

Sistemi nuk do të duhej të përdorej për monitorimin e lëvizjes së ndonjë personi apo për të përcaktuar pozicionin e tij, përveç nëse ai person është i përfshirë në incident.

Ideja e eCall egziston që prej vitit 2003 dhe Komisioni Europian në vitin 2005 ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesit e automjeteve dhe kompanive teknologjike me të cilën prej vitit 2009 automjetet e reja të jenë të pajisura me sistemin eCall. Mirëpo, pranimi i vullnetshëm i këtij sistemi dështoi, sepse deri më tani këtë sistem e kanë vetëm 0,4% të automjeteve europiane. Për këtë arsye deputetët e Parlamentit Europian kërkojnë nga Komisioni Europian që urgjentisht të miratojnë ligjin me të cilin sistemi eCall të jetë i detyrueshëm dhe në të ardhmen prej automjeteve të zgjerohet edhe në autobus, motoçikleta dhe kamionë.

Deputetët propozojnë që ky shërbim të jetë falas për të gjithë ngasësit në Europë.

Në dokumentin e publikuar në faqen e Komisionit Europian, thuhet se pajisja eCall duhet të kushtojë 100 Euro kur të integrohet në automjete. Ky komision pret që sistemi eCall mund të përdoret edhe për qëllime komerciale, për skema plotësuese të sigurimit, ndjekja e automjeteve të vjedhura dhe pagesën elektronike të rrugës.

Zbatimi i plotë i shërbimit eCall kërkon bashkëpunim të shërbimeve publike, kompanive të automjeteve dhe operatorëve të telefonisë mobile. Nëse ky shërbim bëhet i detyrueshëm prodhuesit do ta integronin në secilin automjet, kurse vendet anëtare të BE-së do duhej t’i azhurnonin sistemet e tyre të thirrjeve të ndihmës së shpëjtë në mënyrë që të jenë dakord me standardet e eCall. Disa shtete nuk kanë pranuar të përdorin sistemin eCall, kurse tek ato që e kanë pranuar sistemi është ende në fillet e tij. (PCWorld Albanian)

 

Lajmet e fundit>