Lajmet

Virtualizimi fillon nga mentaliteti, jo nga kompjuteri

Jan 26 2009
0 Shpërndarje
Virtualizimi fillon nga mentaliteti, jo nga kompjuteri

 Në vitin ‘97, laptopi im Compaq me 5 Gb harddisk dhe 24 Mb RAM ishte me i bukuri i lagjes, ndërsa sot desktopi im me 1.5 Tb (1500 Gb) ka filluar të më duket se ka nevojë për pak më shumë hapësirë. Dikur më duhej të kurseja për të blerë një libër, kurse tani vetëm një arkiv Zip, diku në një nga dosjet e panumërta të kompjuterit tim ka më shumë se 1000 e-books.

Në këto 16 vjet ulur në një kompjuter kam mësuar të montoj një videoklip, të regjistroj audio me cilësi profesionale, të faqos gazeta e revista, të ndërtoj uebfaqe, të riparoj një kompjuter pa qenë ulur para tij, të…

Gjithçka para një kompjuteri, që nga pamja nuk ka ndryshuar shumë nga maku im i parë, por që i pari me këtë që kam sot ndryshon jo vetëm fuqia, por dhe koncepti.

Tani kryeredaktori i PC World Albanian, në shtëpi, me pizhame, kontrollon punën në redaksitë e Tiranës dhe  Prishtinës, bashkëvepron me kontribuuesit online, shikon se ç’bëhet në forumin e PC World e te portali dhe në fund bisedon dhe me botuesin që ndodhet diku tjetër, larg gjithkujt.

Fjala larg, parë në këtë prizëm është gjëja më relative e botës, sepse komunikimi tani është në kohë reale dhe me një efikasitet, që dikur mund të përmbushej vetëm nga qindra njerëz dhe muaj të tërë pune.

E gjithë kjo quhet NETWORKING dhe mbështetet mbi një koncept të ri të quajtur VIRTUALIZIM. Hapësira jonë e bashkëpunimit është diku në syberspace, ndoshta në një server të ndërtuar nga IBM që lidhet nga Cisco Systems e që shpërndahet te kompjuterët tanë të markave nga më të larmishmet.

Këta elementë janë ata që e bëjnë të mundur daljen e PC World çdo muaj në treg në kohën e duhur dhe në internet që lexuesi ta ketë afër sa herë ta dojë.
Kompjuteri tani po fillon të dalë dhe nga vetvetja. Glide po na tregon se nuk te duhet fare një kompjuter personal i bukur e i fuqishëm, sepse mund të kesh gjithçka online.
Bukurinë e këtyre realiteteve të mrekullueshme teknologjike e prish në sytë e mi pamja e thjeshtë e një adrese e-mail. Një ministër që përdor Hotmail apo Yahoo ; shefja e marketingut të një ISP-je që nuk di si të përdorë POP mail apo IMAP apo më keq, një kompani që ofron Wi-Fi dhe që në faqen e vet në internet nuk ka asnjë kontakt me e-mail, por veç një telefon celular me parapagesë.

Është për të ardhur keq por ky është realiteti në Shqipëri.  Jam përpjekur t’ia shpjegoj disa herë këtë botuesit tim, por nuk arrin ta kuptojë dhe nuk ka fal. Kur gjithçka na duhet është në vendin e duhur, pse nuk po përdorim si duhet teknologjinë për të ecur para?

Por nuk është çështje teknologjie, por problem mentaliteti. Jemi akoma në epokën e telefonit dhe më që celulari ka hyrë në modë, po përpiqemi t’i nxjerrim ujë të zi. As që bëhet fjalë akoma për përdorim të kësaj teknologjie për DATA, e-mail dhe aq më pak për aplikacione të tjera.

Siç e thashë, nuk ka të bëjë me teknologjinë por me mentalitetin. Le të përpiqet qeveria sa të dojë të çojë internetin në çdo shkollë, nëse nuk kemi në mendje kulturën e Virtual Networking, asgjë nuk do na bëjë të shkojmë vërtet online.

Në Kosovë është bërë ligji për njohjen e faturave elektronike, Google po arkivon deri në 10 vjet mesazhet e-mail dhe bota komunikon prej kohësh tani me mobile internet, kurse ne në Shqipëri…
…akoma po luajm Tetris.

Më falni se paskam mbetur prapa! Tani luhet BeJeweled 2 dhe çatohet në internet me mesenxher për të bërë pak muhabet e thashetheme. Edhe unë përdor mesenxherin, por për të drejtuar punën mes redaksive dhe bashkëpunëtorëve, kurse për të qejf akoma luaj Tetris.

S’ke ç’i bën! Çështje nostalgjie dhe…

…mentaliteti!

 

Lajmet e fundit>