Harduer

Virtualizimi në shekullin e 21-të

Apr 27 2010
0 Shpërndarje
Virtualizimi në shekullin e 21-të

NA ISHTE NJËHERË
    Gjithçka filloi në vitet 1960, kur IBM-ja po eksperimentonte me sistemin IBM M44/44X. Ishin inxhinierët e IBM-së që për të parën herë përdorën termin “virtualizim” për të realizuar një platformë kompjuterike simuluese të quajtur “makinë virtuale”, e cila përbëhej nga “softueri mikpritës” apo programi kontrollues si dhe nga “softueri mysafir.” Kështu lindi koncepti i virtualizimit, me anë të të cilit u bë e mundur që në një platformë harduerike të vetme të realizohet një makinë virtuale e cila do bënte të mundur simulimin e më shumë se një softueri mysafir, ku secili nga këta do të ekzekutohej në mënyrë të pavarur nga tjetri. Si rrjedhojë e këtij inovacioni, IBM-ja në vitin 1966 me anë të sistemeve IBM CP-40 dhe IBM CP-67 demonstroi konceptin e quajtur “virtualizim i plotë”. Në vitin 1974, në gjeneratën e tretë të makinave kompjuterike, Popek dhe Goldberg vendosën definicionin për makinën virtuale duke e quajtur atë “dublikatë efikas i izoluar i makinës reale”. Ishte kjo periudha kur kompjuterët po drejtoheshin nga qarqet e integruara, që më vonë do të njihen me emrin procesorë apo mikroprocesorë. Ne gjeneratën e katërt, shpikja e mikroprocesorit bëri të mundshëm prezantimin e minikompjuterëve në fund të viteve 1970-të, të cilët pastaj do t’ua hapin rrugën mikrokompjuterëve që sot i njohim me emrin Kompjuterët Personalë. Gjithë këto zbulime si dhe shumë të tjera, si në aspektin harduerik ashtu edhe atë softuerik, mundësuan që koncepti i virtualizimit të mos mbetet thjesht vetëm një koncept historik, por të formësohet dhe shtrihet anembanë botës së teknologjisë informative, si në: rrjetet kompjuterike (virtualizimi i rrjeteve kompjuterike), në sistemet operative (virtualizimi i kujtesës), në aplikacione softuerike (virtualizimi i aplikacioneve), në teknologjitë për ruajtjen e të dhënave (virtualizimi i disqeve), etj

Figura 1:

Mjedisi i virtualizuar dhe menaxhimi i tij (Netforce, p.d.)

METODAT E VIRTUALIZIMIT (TË SERVERËVE)
    Sot, në përgjithësi njihen tri metoda të implementimit të virtualizimit tek serverët:
1.    Emulacioni i sistemit operativ – mundësia e ekzekutimit të izoluar dhe të sigurt të një apo më shumë sistemeve operative në një server fizik të vetëm, në të cilin softuerët mysafirë përdorin resurset të njëjtin softuer mikpritës. Disa nga aplikacionet për virtualizim të tillë janë Solaris Containers, SWsoft, etj.
2.    Emulacioni i harduerit – mundëson fshehjen e karakteristikave fizike të sistemit kompjuterik nga përdoruesit duke shfaqur një platformë tjetër abstrakte, me qëllim që ta ekzekutojë softuerin në një mjedis të ndarë nga resurset harduerike thelbësore. Aplikacionet me të njohura për emulacion të harduerit janë VMware Server dhe MS Virtual Server.
3.    Paravirtualizimi – është metodë e virtualizimit, në të cilin ofrohet ndërfaqës softuerik për makinën virtuale, e cila nuk simulon harduerin por ofron API të posaçëm për të modifikuar softuerin mysafir. Ia vlen të përmenden këtu aplikacionet për virtualizim si Xen, VMware ESX, etj.

DOBITË E VIRTUALIZIMIT
    Si për individët edhe për bizneset virtualizimi sjell dobi të mëdha. Disa nga dobitë e përdorimit të virtualizimit për të realizuar sisteme informative qoftë për nevoja personale apo biznesi janë si vijon:
–    Kostoja: konsiderohet një nga përfitimet më të mëdha nga virtualizimi sidomos për bizneset, por pa anashkaluar këtu edhe individët që preferojnë mjedise kompjuterike të virtualizuara. Në vend të blerjes së dhjetëra serverëve fizikë, biznesi blen vetëm një apo disa prej tyre (shih Figurën 2).
–    Zhvillimi: duke qenë se aplikacionet dhe veglëritë për zhvillim ndodhen në një server fizik, atëherë një mjedis i tillë zhvillues falë virtualizimit bëhet më fleksibil dhe i arsyeshëm.

Figura 2: Disa makina virtuale që ekzekutohen në një server të vetëm (SmartRocks.net, p.d.)

TË METAT E VIRTUALIZIMIT
    Të gjithë ata që tashmë kanë përvojë me virtualizimin, i njohin mirë të metat e tij. Në përgjithësi, në botën e biznesit të metat e virtualizimit shikohen nga dy aspekte:
–    Shkallëzimi:  rritja e shërbimeve në raport me zgjerimin e biznesit vë në sprovë shkallëzimin e mjedisi virtual, duke qenë  e nevojshme që të jemi largpamës gjatë sajimit të mjedisit virtual.
–    Siguria: duke qenë se sistemet operative ekzekutohen në format të izoluar dhe të sigurt, atëherë konsiderohet se ka siguri të shtresuar në mjediset e virtualizuara, por shqetësimi vazhdon të mbetet tek situata kur një makinë virtuale “arratiset” nga  mjedisi i izoluar virtual dhe vendos komunikimin me softuerin mikpritës. Atëherë ekziston mundësia që po që se sulmuesi tashmë e ka marrë kontrollin e softuerit mysafir, fare lehtë mund të mënjanojë elementet e sigurisë në softuerin mikpritës dhe të shkelë edhe sigurinë e makinave të tjera virtuale.

 KONKLUZIONI: VIRTUALIZIMI DHE E ARDHMJA E TIJ
    Është interesant fakti që njerëzimi ka përfituar shumë nga inovacionet e inxhinierëve të IBM-së. Ashtu siç ka ndodhur me Kompjuterët Personalë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për virtualizimin. Ideja e themeluar enkas për kompjuterët mainframe të IBM-së, me kalimin e viteve mori përmasa shumëdimensionale në fushën e teknologjisë informative, saqë sot është bërë pjesë integrale e bizneseve. Me gjithë faktin që kërkohet harduer më i fuqishëm, konsum më i madh i energjisë, numër më i madh sistemesh për ftohje, hapësirë më e madhe për ruajtjen e të dhënave, procesorë më të shpejtë, kujtesë më e madhe, ndërfaqës të shumtë të rrjetit si dhe karakterizohen nga shkallëzimi i ngadaltë dhe siguria e luhatshme- duke qenë se tashmë ekzistojnë raste të shkeljes së sigurisë së mjediseve të virtualizuara-, sërish virtualizimi mbetet zgjedhja nr. 1 e bizneseve kur bëhet fjalë për realizimin e sistemeve informative me qëllim të ofrimit të shërbimeve në rrjet. Të thuhet se është kostoja ajo që i detyron bizneset të bëjnë një zgjedhje të këtillë duket sikur nuk paraqet një argument të fuqishëm për këtë pohim. Vlen të përmendet se virtualizimi gjatë gjithë këtyre dekadave dëshmoi se di të shtyjë përpara proceset e biznesit, në veçanti të krijojë një platformë të fortë për teknologjitë që do vijnë. Një nga ato teknologji që po priten me shumë kureshtje nga bizneset është edhe “cloud computing”. Kjo bën që ardhmëria e virtualizimit të jetë më se e garantuar.

Lajmet e fundit>