Blog

Virtualizimi, një e ardhme që ka filluar

Nov 7 2009
0 Shpërndarje
Virtualizimi, një e ardhme që ka filluar

Kjo teknologji është përdorur dhe përdoret shumë në industrinë ushtarake për trajnime në aviacion si dhe në mjetet e blinduara të artilerisë në simulues të ndryshëm. Ndër simuluesit më kompleks është simuluesi i anijes kozmike amerikane Space Shuttle, ku bëhet trajnimi i astronautëve. Arsyeja e aplikimit të kësaj teknologjie ka qenë dhe është zvogëlimi i kostos dhe evitimi i avarive që mund të ndodhnin në rast të manipulimit të gabuar të anijes kozmike, që do të kishte edhe viktima njerëzore.

Kur është fjala për aplikimin e virtualizimit në Teknologjinë Informative, kjo ka një kuptim shumë kompleks, të cilin do të mundohemi ta shpjegojmë në vijim. Që nga dalja në treg e kompjuterit të parë personal apo PC (Personal Computer) me mikroprocesorë Intel të familjes x86, sistemi operativ i asaj kohe DOS (Disc Oparating System) mundësonte ekzekutimin e një sistemi operativ në një PC. Por nevojiteshin serverë dhe harduerë sa më të shpejtë dhe më të fuqishëm për t’iu përgjigjur kërkesave të industrisë së Teknologjisë Informative në rritje. Shpenzimi i miliona dollarëve për furnizimin e qendrave të mëdha të të dhënave (Data Centres) ishte një ngarkesë e madhe për buxhetin e atyre kompanive. Mirëpo, me avancimin e teknologjisë rritet edhe “fuqia” e harduerit dhe me këtë mundësohet ekzekutimi i disa sistemeve operative në një PC/Server duke shfrytëzuar virtualizimin. Kjo etapë e Teknologjisë Informative ishte një zgjidhje revolucionare dhe që ende nuk është kuptuar saktë edhe në kohën e sotme.

Siç e dimë, që nga vitet e 90-ta apo më saktësisht më 1998, kompanitë EMC dhe VMware kanë bërë tentime të ndryshme me produkte softuerike, të cilat kanë mundësuar një formë virtualizimi apo ekzekutimin e më shumë se një sistemi operativ në një haduer të vetëm. Disa vite më vonë, apo në vitin 2005, teknologjia e virtualizimit bën një bum të vërtetë, i cili nuk ishte paraparë as nga ekspertët e Teknologjisë Informative.
Ky zhvillim i hovshëm i virtualizimit rezultoi me implementimin e tij tashmë edhe në qendra të mëdha të të dhënave. Kjo do të thotë që kjo teknologji kishte avancuar aq shumë, saqë ishte e sigurt që të përdorej edhe në qendrat e mëdha të të dhënave, ku kërkohej një siguri e madhe e shënimeve.

Sot, kemi produkte softuerike të shumta dhe ka shumë kompanitë që merren me zhvillimin dhe hedhjen në treg të këtyre produkteve, si për shembull VMware, Citrix, Microsoft, Xen etj. Virtualizimi ka ndërruar çdo gjë, ka bërë një revolucion të vërtetë, pasi një PC apo Server mund të ekzekutojë disa sisteme operative apo disa aplikacione, secila e “izoluar” në një sistem operativ virtual të ndarë nga sistemet e tjera operative. Nga studimet e bëra kohëve të fundit, më shumë se 70% e kompanive me numër punëtorësh nga 300-500, kanë implementuar virtualizimin në infrastrukturën e tyre të TI-së. Në këtë mënyrë, këto kompani kanë kursyer shuma të mëdha të të hollave nga buxheti i TI-së për harduerë (serverë) shtesë, hapësirë shtesë për vendosjen e tyre dhe energji elektrike pasi me zvogëlimin e numrit të serverëve zvogëlohet edhe kostoja e harxhimit të energjisë elektrike dhe hapësirës shtesë për serverë.

Përveç anëve pozitive që sjell aplikimi i virtualizimit, të cilat i përmendëm deri tani, virtualizimi mundëson edhe menaxhimin nga qendra të serverëve (Central Management), në të cilët ka disa serverë virtualë apo desktopë virtualë. Aplikimi i virtualizimit mundëson edhe reduktimin e stafit të TI-së që do të merrej me administrimin e qendrave të të dhënave, pasi një administrator i vetëm mund të monitorojë dhe menaxhojë një rrjet deri në 20-30 serverë virtualë. Aplikimi i virtualizimit dhe teknologjisë më të re të serverëve Blade G6 të prodhuesit të njohur HP mundëson një shfrytëzim shumë racional të resurseve harduerike, softuerike dhe atyre njerëzore të TI-së.
Këto dy teknologji janë një e ardhme që tashmë ka filluar.

 
Nga aspekti i sigurisë së të dhënave dhe kthimit të shënimeve apo riinstalimit të serverëve në rast defekti harduerik apo softuerik; virtualizimi mundëson aktivizimin e shpejtë të serverëve dhe futjen e tyre në punë për një kohë shumë të shkurtër.

Nëse me metodat klasike të riinstalimit janë dashur 2-3 ditë, me anë të virtualizimit kjo kohë është reduktuar në disa orë. Kompania e cila ka implementuar virtualizimin në tërë rrjetin e vet do të ketë mundësi që serverët e tërë virtualë dhe aplikacionet të mund t’i “zhvendosë” në harduer të ri brenda një kohe shumë të shkurtër. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e virtualizimit.

Risia tjetër që sjell teknologjia e virtualizimit është edhe aplikimi në Storage apo Virtual Storage, ku komplet shënimet e një kompanie do të mund të ruhen në Virtual Storage dhe do të mund të zhvendosen për një kohë shumë të shkurtër (disa ore) në rast nevoje. Kjo ka qenë e pamundshme në rastin e Storage-ve konvencionalë, te të cilët nuk është aplikuar teknologjia e virtualizimit.
Në vazhdim, aplikimi i virtualizimit në serverë HP.

Lajmet e fundit>