Lajmet

Vjen më në fund Microsoft Office për iPhone

Jun 14 2013
0 Shpërndarje
Vjen më në fund Microsoft Office për iPhone

Për të gjithë ju që mezi po prisnit të kishit në iPhone-in tuaj suitën Microsoft Office, pritjes i ka ardhur fundi. Microsoft do të lançojë më në fund Office për iPhone, duke sjellë Word, Excel dhe PowerPoint në smartfonin më popullor në botë.

Versioni i Office për iPhone quhet Office Mobile dhe është pothuajse identitik me aplikacionet që gjenden në Windows Phone. Të vetmet aplikacione që përfshihen në suitën mobile janë Word, Excel dhe PowerPoint.

Zgjerimi i suitës edhe për platforma të tjera mobile vjen në sajë të strategjisë së re të Microsoft-it, sipas së cilës po synohet që të ofrohen produktet dhe shërbimet e kompanisë në mënyrë të pavarur nga platforma operuese. Një shërbim i tillë është edhe Office 365, i cili funksionon me abonime dhe mund të aksesohet nga lloje të ndryshme pajisjesh, duke eliminuar kufizimet e shkarkimit të një programi të vetëm.

Gjithsesi, përdoruesit kanë mundësi gjithashtu ta shkarkojnë aplikacionin por vetëm ata që janë të abonuar në Office 365 mund ta përdorin atë, duke qenë se aplikacioni kërkon që të hyni me llogarinë tuaj Office apo Microsoft.

Edhe pse prej kohësh priteshin lajme edhe për një version Office për iPad, Microsoft-i u shpreh se ky version është vetëm për iPhone. Sigurisht, pothuajse çdo aplikacion për iPhone mund të instalohet edhe në iPad, megjithatë eksperienca nuk është e njëjtë për shkak të ndryshimit të madhësisë së ekranit. Gjithsesi, Microsoft-i beson se për përdoruesit e iPad-it përshtaten më mirë aplikacionet ueb të Office 365.

“Duke qenë se është ekran i vogël, atëherë ndihet më tepër nevoja e një aplikacioni të mirëfilltë mobile. Ndërsa, kur ke një tablet, duke pasur më tepër hapësirë pune në ekran, aplikacionet ueb të Office ofrojnë eksperiencë mjaft të mirë,” u shpreh kompania.

Vlen të përmendet fakti që Office për iOS vjen para Android-it, edhe pse përdoruesit e kësaj të fundit mund t’i aksesojnë aplikacionet ueb të Office përmes shfletuesit Chrome. (PCWorld Albanian)

office mobile iphon

Lajmet e fundit>