Biznes

Vodafone blen operatorin kabllor spanjoll Ono

Mar 18 2014
0 Shpërndarje
Vodafone blen operatorin kabllor spanjoll Ono

AVodafone në mbarë botën vijon në forcimin e rrjetit të tij dhe lëvizja më e fundit është blerja e operatorit kabllor spanjoll Ono për një vlerë prej 7.2 miliard euro (rreth 10 miliard dollarë). Ishte e ditur që Vodafone kishte plot kursime në bankë pas shitjes së pjesës së aksioneve të Vodafone për Verizon Wireless.

E jo vetëm kaq, por javën e kaluar Vodafone njoftoi gjithashtu që do të fillojë integrimin e Kabel Deutchland më datë 1 prill, operatori kabllor gjerman që e bleu vitin e kaluar për 7.7 miliard euro. Blerja e operatorëve kabllorë Ono dhe Kavel Deutchland duken si mundësi për Vodafone për të kombinuar telefoninë, linjën e rrjetit me kabëll dhe abonimet televizive. Gjithashtu, kërkesa për një komunikacion të unifikuar është rritur ndjeshëm në Spanjë dhe kombinimi i rrjetit të Ono dhe rrjetit të fibrave të Vodafone duket se do të jetë më kompetitiv, ka thënë zëdhënësi i Vodafone të hënën.

Rrjeti i Ono shkon në mbi 7.2 milion shtëpi, në rreth 41% të të gjitha shtëpive në Spanjë për të ofruar shpejtësi linje interneti rreth 200 Mbps dhe shërbime televizive me pagesë, përfshirë shërbimin TiVo.

Rrjeti është përditësuar kohët e fundit në DOCSIS 3.0, që do të thotë që mund të ofrojë shpejtësi akoma më të mëdha me një çmim dhe kosto më të ulët. Vodafone i ftoi të gjithë ekspertët dhe inxhinierët që momentalisht janë në Ono, të qëndrojnë në pozicionet e tyre të punës dhe “të bëhen pjesë integrale e skuadrës lokale të menaxhimit, të fokusohen në lidhjen e internetit, në telefoninë fikse dhe në segmentet e shërbimit televiziv, duke i kombinuar të gjitha këto në një biznes të suksesshëm.”

Ashtu si në SHBA, edhe në Europë, tregu i telekomunikacioneve po kalon disa vështirësi. Në Francë duket se do të shitet operatori më i madh në vend për linjën telefonike fikse për Altice. Edhe për Vodafone ka pasur fjalë që do të shitej. Vitin e kaluar operatori amerikan AT&T ishte duke e marrë në konsideratë blerjen e Vodafone, por në fund të janarit, ekzekutivë nga AT&T deklaruan se nuk kishin një ofertë edhe për rreth gjashtë muaj.

Por Vodafone duket se po e merr veten ngadalë dhe blerja e Ono-s është një provë e mirë e kësaj. Madje, veç forcimit të pozitave të Vodafone në tregun e telekomunikacionit, kjo blerje mund të jetë një rritje akoma më e madhe e çmimit nëse edhe në Vodafone po merret në shqyrtim shitja e kompanisë. (PCWorld Albanian)

Tags >

Vodafone
Lajmet e fundit>