Lajmet

Vodafone është operatori celular me internetin më të shpejtë në Shqipëri thotë Speedtest.net

Aug 18 2017
0 Shpërndarje
Ndërsa saga e këtij tregu vijon në Shqipëri, vlen të theksohet se është tregu më konkurrues i komunikimeve elektronike në Shqipëri Vodafone është operatori celular me internetin më të shpejtë në Shqipëri thotë Speedtest.net Photo Source: Vodafone

Pak ditë pasi publikoi raportin e parë Speedtest.net Global Index ku Shqipëria ishte pjesë e tij, Ookla publikoi raportin e parë për Shqipërinë dhe gjendjen e shpejtësisë së internetit në vendin tonë. (http://bit.ly/2ibVVLD)

Speedtest.net Awards është një raport përpiluar nga Ookla i cili mat shpejtësitë mesatare të internetit fiks dhe mobil për vende të ndryshme të botës.

Më shumë se 10 milion testime janë analizuar nga 40,000+ ISP dhe 1,500 rrjete në mbarë botën për të përcaktuar shpejtësitë mesatare.

Speedtest.net Awards ka publikuar plot 45 raporte të shpejtësisë së internetit ku më i fundit është raporti për Shqipërinë. (http://bit.ly/2wmDo4G)

Ky raport i cili ka në fokus vetëm internetin mobil, vlerëson Vodafone Albania si operatorin mobil me rrjetin më të shpejtë celular në Shqipëri.

Nga 71,033 testime dhe 17,223 pajisje në total rrjeti i Vodafone Albania kishte arritur një shpejtësi mesatare prej 29.85Mbps në shkarkim dhe 11.57Mbps në ngarkim.

Pas Vodafone vjen menjëherë operatori mobil në pronësi të ALBtelecom Eagle Mobile, me një shpejtësi mesatare 18.53Mbps në shkarkim dhe 11.21Mbps në ngarkim, një diferencë prej mëse 10Mbps krahasuar me vendin e parë.

Së fundi vjen Telekom Albania me një shpejtësi mesatare 15.56Mbps në shkarkim dhe 4.49Mbps në ngarkim.

Në testimet e kryera përgjatë gjashtë mujorit të parë të vitit, Ookla arrin në konkluzionin se Vodafone Albania ka rrjetin LTE më të shpejtë në Shqipëri dhe me një diferencë të prekshme krahasuar me dy rivalët më të afërt ALBtelecom dhe Telekom Albania.

Kjo diferencë vihet re edhe në numrin e abonentëve raportuar nga AKEP. Vodafone Albania është operatori më i madh në Shqipëri me 1.933 milion abonentë sipas raportit më të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike. Telekom Albania dhe ALBtelecom kanë 1.288 milion dhe 0.494 milion abonentët respektivisht.

Që të tre operatorët ofrojnë shërbime 4G dhe 4G+ që nga tremujori i tretë i 2015-ës.

Ndërsa Vodafone Albania u certifikua si operatori me internetin mobil më të shpejtë në Shqipëri, ajo që bie në sy është mungesa e operatorit të katërt celular me kapital Shqiptar Plus Communication.

Në raportin e Speedtest.net Plus mungon, një indikator i cili tregon numrin e vogël të abonentëve dhe për rrjedhojë atë të testimeve. Prej vitesh ky operator, i cili vazhdimisht është gjendur në vështirësi financiare, kishte kërkuar nga AKEP dhënien e licencave 3G dhe 4G me oferta minimale për lojtarët e vegjël në treg në mënyrë që të favorizohej konkurrenca e ndershme. (http://bit.ly/2uOeA65)

Operatori kishte akuzuar Vodafone Albania për krijimin e një situate monopolistike me planin tarifor Vodafone Club, akuza që u hodhën poshtë nga AKEP. Në Pranverë autoriteti i konkurrencës hapi hetim ndaj praktikave të Vodafone, Telekom dhe ALBtelecom të cilët akuzohen se kanë unifikuar ofertat e shërbimeve mobile. (http://bit.ly/2uOnBMo)

Ndërsa saga e këtij tregu vijon në Shqipëri, vlen të theksohet se është tregu më konkurrues i komunikimeve elektronike në Shqipëri, dhe këtë e dëshmon mësë miri ky raport i Speedtest.net. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>