Lajmet

Washington Education in Albania synon aftësimin profesional të programuesve shqiptarë

Oct 27 2014
0 Shpërndarje
Washington Education in Albania synon aftësimin profesional të programuesve shqiptarë

Programi i aftësimit profesional Washington Education in Albania është një risi në kontekstin shqiptar, që synon të përgatisë në nivel profesional gjeneratën e re të programuesve shqiptar. Ky program arsimimi funksionon mbi parimet bazë të ndjekjes së leksioneve mësimore në distancë dhe kryhet nga ekspertë dhe profesorë eminentë nga SHBA, të cilët mundësojnë aftësimin dhe përgatitjen e shqiptarëve në fushën e programimit. Kjo platformë studimore, para së gjithash është dizenjuar më përqasje praktike për të aftësuar dhe përgatitur inxhinierët e rinj shqiptarë në nivel konkurrues ndërkombëtar, ndaj dhe misioni i përgjithshëm i kësaj platforme mbetet përgatitja dhe aftësimi i gjeneratës së re të programuesve shqiptarë që konkurrojnë në tregun global në SHBA dhe Europë.

foto1Programi Washington Education in Albania (WEA) mbështetet në objektivin madhor në aftësimin dhe përgatitjen e inxhinierëve të rinj software-i, dhe e realizon këtë në dy forma: duke mundësuar ndërkontraktim punësh nga kompanitë siç janë Microsoft, Amazon, EA Sports, Disney …etj. për studentët që perfundojnë suksesshëm programin WEA dhe duke stimuluar ndërmarrësinë për të gjithë ata që përfundojnë WEA-n, respektivisht ata që krijojnë projekt-

produkte të reja për botën e softuerit. Më pas WEA ndihmon këto projekte duke sjellë resurse të jashtme, përfshirë dhe fonde për këta ndërmarrës të rinj.

Me qëllim nxitjen dhe inkurajimin e të interesuarve drejtuesit e programit WEA, në përmbushje të objektivave të lartpërmendura, po aplikohen filtra selektimi rigoroz përmes provimeve pranuese ku po piketohen studentët ekselentë të cilët mbështeten me bursa studimi.

foto2Tashmë aplikimet janë të hapura http://wea.al/apply.php për të rekrutuar të gjithë ata shqiptarë që dëshirojnë të pranojnë sfidën e përgatitjes së gjeneratës së re të programuesve. Kjo formë e përqasjes është përtej motivimit, nëse merret për bazë edhe garantimi i punësimit që sigurohet për të gjithë ata që mbarojnë këtë program studimi me sukses. Ky program ka orientim praktik dhe si i tillë është dizenjuar të zhvillojë aftësitë profesionale të studentëve pjesëmarrës si dhe të nxisë në masën e duhur mishërimin e njohurive teorike të lëndëve profesionale me pjesën praktike duke i konkretizuar në formë projektesh. Për rrjedhojë, çdo lëndë që ligjërohet studenti duhet të dorëzojë një projekt konkret që supozohet të kurorëzojë njohuritë e lëndës përkatëse http://courses.weaonline.al/v2/.

Lëndët të cilat ligjërohen në WEA janë sa të ndryshme aq edhe kompatibile me trendin e zhvillimeve në botën e teknologjisë së informacionit të cilat i gjeni të listuara: A byte of Python; Object Oriented Programming; Working at a high-tech company in America, Web development with PHP & MySQL, iOS Application Development; Android SDK Essentials; Developing Ideas and Design Concepts; Build your portfolio website dhe HTML5: Graphics and Animation with Canvas.

Për ata që duan të dinë më shumë rreth lëndëve po ndalemi më shumë te “A byte of Python” që shërben si udhëzues apo tutorial në gjuhën programuese Python, në të cilën lëndë theksohen dallimet ndërmjet Python dhe gjuhëve të tjera programuese. Edhe lënda, “Object Oriented Programming” është tejet atraktive dhe paraqet mjetet, shkrimin e kodit, veçoritë e debug-imit, etj, por para së gjithash edhe kjo lëndë i ndihmon studentët t’i grupojnë copëzat individuale të kodimit në aplikacion kompleks dhe koherent, duke i’u mësuar grupet e ideve dhe koncepteve të programimit të orientuar në objekte që janë të pranishme në shumicën e gjuhëve bashkëkohore të programimit.

Për mbarëvajtjen e suksesshme dhe me qëllim që të mbështes studentët, organizatorët kanë vënë në dispozicion përkrahje lokale përmes “Open Hours” ku studentët mund të drejtohen individualisht apo në grup për t’u konsultuar lidhur me lëndët që ndjekin në këtë program.

Ridvan Bunjaku M.A, zhvillues Software-i i cili drejton qendrën “Open Hours” në Prishtinë shprehet entuziast dhe i privilegjuar për rolin e tij në ofrimin e përvojës se tij akademike dhe industriale në fushën e programimit, ekspertizë të cilën e ka vënë në shërbim të studentëve të WEA dhe WEK. “Studentët tashmë kanë filluar t’i ideojnë projektet e tyre nga lëndët e përzgjedhura dhe janë në fazën e zhvillimit të tyre” pohon Bunjaku dhe shton se “këtu po aftësohen inxhinierë të mirëfilltë softuerikë që në të ardhmen do të përballen lehtësisht me sfidat e botës industriale softuerike. Kjo nuk është e lehtë, por vullneti i madh i të rinjve tanë të cilët kanë pasur mungesë të këtyre shanseve mendoj se deri tani do t’i tejkalojë sfidat e transformimit.”-përfundon M.A. i Shkencave Kompjuterike Ridvan Bunjaku.

Aplikimet vazhdojnë të jenë të hapura për çdo të interesuar i cili menjëherë pas marrjes se provimeve pranuese mund të fillojnë efektivisht në gjysmën e dytë të nëntorit. Washington Education in Albania mbështetet edhe nga shtëpia botuese ICTSmedia, duke kontribuar në pasqyrimin mediatik të eventeve, aktiviteteve dhe nismave të ndryshme, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. (PCWorld Albanian).

Lajmet e fundit>