Biznes

Webmaster.al, vendtakimi i webmasterave shqiptarë online

Jan 2 2010
0 Shpërndarje
Webmaster.al, vendtakimi i webmasterave shqiptarë online

 Këtë gjë e shpjegon fare mirë Webmaster.al, i cili është komuniteti më i madh i dedikuar totalisht webmasterave shqiptarë. Përveçse një forum i mrekullueshëm me guida dhe informacione nga më të ndryshmet, Webmaster.al është bërë një urë lidhëse për shumë shqiptarë, të cilët e përdorin internetin për biznes dhe për përfitime. Edhe pse ka vetëm 1 vit në treg, Webmaster.al ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke thithur rreth vetes webmaster shqiptarë me emër dhe tepër profesionistë në punën e tyre. Në fillim vihej në pikëpyetje nëse ky lloj sektori do të kishte sukses, por falë punës së palodhshme të stafit si dhe anëtarëve me eksperiencë, ky forum ka arritur majat e webit shqiptar. Edhe pse “webmastering” është i ri si koncept në trevat shqiptare, duket qartë interesimi tepër i lartë i moshave të reja për një nga profesionet më të bukura në bote, atë të webmasterit. Webmaster.al ka qenë edhe një nga organizatorët e Ditës Për Webmaster, mbajtur në ambientet e Universitetit Planetar të Tiranës më datë 27 dhjetor 2009. Edhe pse të paktë në numër, u arritën të diskutoheshin tema mjaft interesante dhe të nevojshme për të ardhmen e webit shqiptar. Ndryshe nga forume të tjera, Webmaster.al është përqendruar kryesisht në fusha si Dizajn, Programim, Marketing Online, SEO si dhe mjaft sektorë të tjerë e deri te Si Të Besh Lek në Internet, ku ka webmaster shqiptarë që fitojnë shuma të mëdha parash çdo muaj. Ja se si shprehet Olgi Zenullari, ideatori dhe themeluesi i Webmaster.al për redaksinë tonë.

Si ju lindi ideja për të hapur një forum të tillë?
Faktikisht një forum si Webmaster.al duhet të ishte hapur vite më parë, por më mirë vonë sesa kurrë 🙂
Ideja lindi natyrshëm, edhe pse në fillim isha pak skeptik pasi ishin të pakte në numër personat që njihja, të cilët mund ta pëlqenin një forum kaq teknik si Webmaster.al. Me ndihmën e një stafi vërtet të jashtëzakonshëm arritëm të krijojmë një komunitet kaq serioz në më pak se 1 vit kohë.

Çfarë e bën Webmaster.al kaq të veçante dhe të vizituar?
Mendoj se në forum ka persona me aftësi vërtet të mëdha, të cilët kane shkruar dhe shkruajnë guida dhe tutoriale të ndryshme, të cilat ndihmojnë çdo fillestar në ëndrrën e tij për t’u bërë webmaster. Ka dhe nga ata që të qenët webmaster e shohin si hobi, por për shumicën prej nesh titulli webmaster ka shumë domethënie. Një tjetër faktor kyç, sipas mendimit tim, ka qenë dhe rreptësia e stafit për të mos lejuar përmbajtje ilegale në forum sepse Webmaster.al është tamam si një shkollë që duhet të drejtojë “studentët” e saj në rrugën e duhur dhe vërtet deri tani ia ka arritur qëllimit

Webmaster.al dhe e ardhmja ?

E ardhmja mund të ketë rezervuar të papritura për secilin prej nesh, kurrë nuk i dihet, por diçka është e sigurt, Webmaster.al është dhe do të mbetet djepi i webmasterave shqiptarë. Në fokusin tonë do jenë edhe sektorë si marketingu online, pra t’i japim shtysë të gjithë shqipfolësve ta përdorin Internetin jo vetëm për të komentuar foto në Facebook, por edhe ta përdorin internetin si një resurs të nevojshëm për bizneset e tyre.

Reklamim online apo offline?

Asnjëherë mos i bëni një webmasteri një pyetje të këtillë sepse përgjigja është më se e dukshme, online. Këtë nuk e them sepse merrem vetë me marketing online, por e them sepse kultura në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare ende nuk ka kuptuar vlerën e vërtetë të reklamimit online. Google gjeneron 95% të të ardhurave vjetore vetëm nga reklamimi online, pra tregon qartë se çfarë efekti ka të reklamuarit online. Shumë biznese (të paktën në Shqipëri) preferojnë më mire të harxhojnë mijëra euro nëpër radio apo media të shkruara sesa online dhe për këtë gjë jemi duke punuar shumë, pasi ShqipAD.com është pikërisht një faqe e cila i dedikohet marketingut shqiptar online, ku çdo individ apo biznes mund të reklamojë fare lehtë biznesin e tij dhe të shikojë statistikat (pra sa herë është shikuar/ klikuar reklama e tij) në kohë reale.

A është e vërtetë që mund të fitohen para në Internet?

Në Internet jo vetëm mund të fitosh para, por mund të sigurosh edhe 4 gjenerata pas teje :). Po të shikoni disa statistika të faqeve si Amazon, eBay, PayPal apo dhe lojëra online si Runescape, do kuptoni që të ardhurat e tyre mujore janë miliona dollarë dhe të gjithë ato që përmenda më lart e kanë pasur një fillim, pra nuk janë bërë “big” sa hap e mbyll sytë. E bukura e Internetit është se të ofron mijëra mundësi pa limit, pra nëse ti je një dizajner apo një programues, nëse ti ke hobi të shkruash artikuj apo nëse ke ndonjë aftësi tjetër, Interneti ofron mundësi për çdo njeri, mjafton të kesh pak vullnet dhe dëshirë.

A është një problem mënyra e pagesave online?

Realisht ky është një sektor i veçantë ku vërtet “çalon” puna. Gjigantë si PayPal ende nuk e kanë aprovuar Shqipërinë të jetë pjesë e plotë e saj (pra të marrësh dhe të dërgosh para), por shpresojmë që në vitet e ardhshme ky problem do të zgjidhet. Ne te Webmaster.al kemi gjetur një zgjidhje sa të thjeshtë, aq dhe praktike: kemi krijuar monedhën tonë të përbashkët të quajtur WM$ (Webmaster Dollar) dhe çdo shitje, blerje apo ndonjë shërbim bëhet nëpërmjet kësaj monedhe virtuale.

Për ta mbyllur, një mesazh për PCWorld.al.
Do dëshiroja vërtet të falënderoja stafin e PCWorld.al, me në krye z. Hevci Cuci, për punën profesionale që po bëhet dhe do të bëhet gjithmonë me PcWorld.al. Një falënderim i veçantë shkon gjithashtu për të gjithë lexuesit e kësaj reviste dhe shpresojmë që në vitet në vazhdim të rritet shumë e më shumë interesi për Informatikën dhe Teknologjinë.

Lajmet e fundit>