Lajmet

Winamp i shpëton “dënimit me vdekje”

Jan 15 2014
0 Shpërndarje
Winamp i shpëton “dënimit me vdekje”

Nuk do të marrë fund! Programi mjaft popullor e shumë i përdorur disa vite më parë do të vazhdojë të ekzistojë për një kohë të papërcaktuar, falë menaxhimit të ri që e ka marrë përsipër.

Softueri legjendar i MP3-ve i është blerë AOL-it nga Radionomy, pothuajse një muaj pasi AOL lajmëroi se do ta ndërpriste ofrimin e programit nga faqja zyrtare. Radionomy ka blerë gjithashtu edhe platformën “Winamp Shoutcast Internet radio” si pjesë e kësaj marrëveshjeje, edhe pse kushtet e kontratës nuk u bënë të ditura.

Radionomy është një kompani radioje në internet e cila iu mundëson përdoruesve të krijojnë dhe komercializojnë stacionet e tyre, pothuajse njësoj si Shoutcast.

Kompania shprehet se dëshiron të rrisë audiencën duke e bërë të disponueshëm përmes Winamp-it rrjetin e vet të radiove online, si dhe premton “funksionalitete të reja të dedikuara në desktop, mobile, sisteme makinash, pajisje të lidhura dhe platforma të tjera.” Nga ana tjetër, Radionomy thekson se suporti i Winamp-it për skins, plug-ins, vizualizacione dhe funksionalitete të tjera shtesë do të mbetet i pacënuar.

AOL e ka blerë Winamp-in në vitin 1999 nga zhvilluesi Nullsoft. Përdorimi i programit u rrit ndjeshëm për vite me radhë. Megjithatë, softueri u ngarkua gjithmonë e më tepër gjatë këtyre viteve dhe përdoruesit duhej të kalonin shumë hapa, një pjesë edhe të panevojshëm, gjatë instalimit.

Veçanërisht me lançimin e iTunes, përdorueshmëria e programit ra ndjeshëm. Nga ana tjetër, programe të tilla po përdoren gjithmonë e më pak që prej hyrjes në treg të aplikacioneve që ofrojnë muzikë streaming, si Pandora apo Spotify.

Në muajin nëntor, në faqen zyrtare të Winamp u dha një njoftim ku thuhej se softueri nuk do të ishte më i disponeushëm prej 20 dhjetorit. Data erdhi dhe kaloi e më pas TechCrunch raportoi një shitje të mundshme e cila ishte duke u diskutuar. E çuditshme ndoshta, por njoftimi për mbylljen e Winamp-it është ende online në faqen zyrtare. (PCWorld Albanian)

winamp-100069209-large-100221113-gallery

Tags >

Winamp
Lajmet e fundit>