Analiza

Windows 7 po rritet më shpejt se Windows 8

Dec 13 2013
0 Shpërndarje
Windows 7 po rritet më shpejt se Windows 8

windows_logoSistemi operativ Microsoft Windows 8 ka hasur vështirësi adoptimi që prej momentit të lançimit.

Steve Sinofsky ka parashikuar se fillimi do të ishte i tillë për këtë sistem derisa konsumatorët të arrinin të përshtateshin plotësisht, por pavarësisht se ka kaluar 1 vit, Windows 8 është shumë hapa prapa paraardhësit të tij të suksesshëm Windows 7.

Në një grafik të publikuar së fundmi nga Statista, faqe për publikimin e statistikave, rezulton se sistemi i ri operativ përbën vetëm 9.3% të tregut të kompjuterëve. Në qoftë se e krahasojmë me Windows 7, rreth 12 muaj pas lançimit të tij ka qenë dyfish më i suksesshëm sesa Windows 8.

Sistemi Windows 7 mundi të zotëronte mbi 10% të tregut që në muajt e parë të prezantimit dhe 20% deri në përfundim të vitit të parë të lançimit. Ndërkohë, Windows 8 filloi të zhvillohej ngadalë dhe vazhdon të rritet ngadalë.

Gjatë muajve të verës u vu re një rritje në shitjet e përgjithshme, por në muajt e fundit ato janë reduktuar përsëri. Platforma e re mundi të zotërojë vetëm 5% të tregut në gjysmën e parë të vitit.

Akoma më shqetësuese për kompaninë Microsoft duhet të jenë shifrat e një raporti të publikuar nga Net Applications i cili ka përcaktuar se Windows 8 po përjeton një rritje prej 0.5%, ndërkohë që rritja e Windows 7 ka qenë 0.22%.

Si përfundim mund të themi se Windows 8 po konkurrohet fuqishëm nga paraardhësi i vet 4-vjeçar pavarësisht se Microsoft po investon shumë në përhapjen e dizajnit të ri edhe në platformat e tjera si për shembull Xbox dhe Windows Phone. Sigurisht, nuk mund të themi se këto shifra parashikojnë dështimin e Windows 8.

Microsoft shpreson që gjatë festave të fundvitit, shitjet e pajisjeve që suportojnë këtë platformë të përmirësojnë pjesën e tregut të zotëruar nga kompania. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>