Ja se si

Windows 7 tani flet Shqip

Apr 30 2010
0 Shpërndarje
Windows 7 tani flet Shqip

Këto pako të gjuhës janë pako opsionale dhe përzgjidhen nga seksioni i përditësimeve opsionale në Windows Update.

Nëse keni të instaluar Windows 7 në cilindo prej versioneve të lartë përmendura, atëherë klikoni këtu për të shkarkuar pakon e gjuhës shqipe për sistemin tuaj operativ.

Dihet se sistemet e mëhershme nga Microsoft, Windows XP dhe Windows Vista kanë pasur të përgatitura pako në gjuhën shqipe për të “lehtësuar punën” për ata që kanë pak njohuri nga gjuha angleze, por ato më shumë u konsideruan si dështim sesa një lehtësim. Personalisht nuk kam provuar asnjërën prej tyre.

Në kompjuterin tim të punës kam të instaluar Windows 7 Ultimate, dhe vendosa që ta testojë menjëherë pakon. E shkarkova dhe klikova në instalim. Edhe pse mori një kohë të gjatë për tu instaluar, vet fakti se po prisja të ndërroja gjuhën e sistemit tim operativ nga anglishtja në shqip, ishte motiv i mjaftueshëm për pritje.

Pas instalimit kompjuteri kërkoi që të ristartohet dhe në momentin e parë që shihni ekranin mikpritës ju përshëndeteni nga mesazhi në shqip “Mirë se vjen”.

Menyja Start është ajo e zakonshmja, klikon mbi të dhe sheh opsionet në shqip si “Të gjitha programet”, “Dokumentet”, “Imazhet”, “Paneli i Kontrollit”, “Rrjeti”, etj.

Në përgjithësi më duket se çdo gjë që është në anglisht është kthyer në shqip, madje edhe me shprehje më adekuate. Dhe natyrisht nuk mungojnë as “ë” dhe “ç” në shprehje, që do të thotë se kujdes i veçantë është kushtuar edhe në drejtshkrim.

Por keni parasysh se gjithnjë ka hapësirë për gabime dhe shprehje që nuk i keni dëgjuar asnjëherë, si për shembull “përgjumje” (Hybernate) apo Tryeza (Desktop), do të jenë pjesë përbërëse e sistemit tuaj. E kthimi i drejtpërdrejtë i fjalëve angleze në shqip, gjithashtu nuk mungon, por këtë nuk e shoh si ndonjë pikë negative megjithëse gjuhëtarët do të kundërshtojnë, por disa terma në gjuhën angleze nuk mund të kthehen aq lehtë në gjuhën shqipe me një fjalë.

Keni parasysh se pakoja gjuhësore vlen vetëm për Windows e jo për aplikacionet e instaluara në të si Microsoft Office, Adobe Reader, iTunes, etj.

Nëse e keni instaluar pakon e gjuhës shqipe për Windows 7, çfarë mendoni për të? A ju duket më lehtë apo më vështirë me të? A ka hapësirë për përmirësime? Cilat terme të panjohura i keni gjetur deri më tani?  Apo edhe ndonjë gjë tjetër.

(E plotësuar)

Nga komentet e pashë të arsyeshme të plotësojë edhe disa gjëra në lidhje me pakon e gjuhës për Windows 7.

Pakoja e gjuhës mund të fshihet (ç’instalohet) pa problem. Vetëm shkoni tek “Control Panel”, (Paneli i kontrollit), dhe kërkoni për rubrikën ku shkruan “Clock, Language and Region” (Ora, gjuha dhe rajoni), dhe nën të klikoni tek “Change Display Language” (Ndërroni gjuhën e ekranit). 

Pasi të klikoni mbi të hapet një dritare e re dhe para jush kërkoni opsionin ku shkruan “Install/Uninstall languages…” (instalo/ç’instalo gjuhë). Klikoni mbi të dhe më pas prapë hapet një dritare e re dhe ju nëse dëshironi ta fshihni pakon e gjuhës shqipe, klikoni tek “Uninstall Display Language” (Fshijë/ç’instalo gjuhën e ekranit). Më pas në hapin e radhës vetëm zgjidhni pakon shqipe dhe klikoni next dhe ajo do të fshihet.

Pas këtij hapi do të jetë i nevojshëm ristartimi i kompjuterit. Asgjë tjetër më shumë.

Me këta hapa që u përmend më lartë mund të fshihet pakoja e gjuhës shqipe të cilën e instaluat në sistemin tuaj operativ.

Ndërsa nëse dëshironi ta ruani atë por të shfrytëzoni gjuhën angleze si gjuhë primare vetëm zgjidhni opsionin për përzgjedhjen e gjuhës së ekranit.

Për probleme apo informata shtesë shikoni në forumin e PC World Albanian, forum.pcworld.al.

Lajmet e fundit>