Analiza

Windows 7: Të mirat, të këqijat dhe të panjohurat

Mar 26 2010
0 Shpërndarje
Windows 7: Të mirat, të këqijat dhe të panjohurat

Microsoft-i ka hedhur në qarkullim versionin final RTM (Release to Manafacturing) të Windows 7 për kompanitë që blejnë licenca dhe për profesionistët e IT-së përmes shërbimit të vet Technet. Zyrtarisht po duket se era e Windows Vista po mbaron dhe po fillon era e Windows 7.

Win 7 është dizajnuar që mos t’jua zërë rrugën, kështu që mund t’i kryeni punët pa problem. Ai i ka zgjidhur me mençuri problemet deritashme të Windows, si ato të reja (User Account Control) dhe ato të vjetra (shiriti i sistemit). Versioni final që kam përdorur duket se i ka përmbushur të gjitha përmirësimet që nga testimi i versioneve fillestare në tetorin e kaluar.
Windows 7 nuk është pa probleme, por nuk jam magjepsur aq shumë nga një Sistem i ri Operativ i Microsoft-it që nga debutimi i Windows 2000 para një dekade. Ja një shikim i shpejtë për disa nga tiparet më të mira që ka, disa mangësi dhe disa pjesë ku mosshfaqja e mendimit ka kuptim. (Shënim: PC World në numrat e ardhshëm do të ketë artikuj më të detajuar, teste, këshilla dhe raporte për sistemin Windows 7.)

Të mirat
Sistemi Operativ është më pak i rëndë: Versioni fillestar i Windows Vista kishte tiparin kryesor (ambienti Aero), i cili kërkonte shumë fuqi që të punonte në kompjuterët e vitit 2007. Deri tani, shenjat e para tregojnë se Win 7 mund të punojë pa problem në të gjitha sistemet aktuale, përfshirë edhe netbook.

Në Windows 7, shiriti i detyrave dhe shiriti i sistemit fshihen. Shiriti i ri i detyrave (taskbar) nuk ka etiketa me tekst dhe përdor vetëm ikonat e programeve, duke racionalizuar përdorimin e hapësirës së ekranit. Shikimi i minimizuar, që është përmirësuar nga Vista, punon mirë edhe kur keni të hapura disa dritare për një aplikacion. Tipari Jump Lists ju jep akses me tastin e djathtë të miut në menytë kontekstuale. Edhe topi i vogël në këndin e djathtë, të cilin mund ta klikoni për të shikuar dekstopin, është një përmirësim i mirëseardhur.
Shiriti i sistemit – zyrtarisht i quajtur hapësira e lajmërimeve – tashmë nuk është “tipari” më i veçantë. Kur të instaloni ndonjë aplikacion të ri, aplikacionet që kanë të bëjnë me shiritin e sistemit janë të mbledhura në një vend dhe përdorin balona me lajmërime për t’ju tërhequr vëmendjen. Microsoft-i gjithashtu ka reduktuar në mënyrë dramatike volumin e mesazheve bezdisëse nga Windows, që është meritë e Action Center, e cila mbledh të gjitha lajmërimet e sistemit, të cilat mund t’i shikoni kur ju leverdis.

UAC tani është më i butë: Windows Vista ka prezantuar Account Control, e cila provon t’ju lajmërojë për çdo veprim tuajin që mund të infektojë me virus ose programe të dëmshme sistemin tuaj. Por në parim ka dy opsione: të klikoni në të pa menduar se çfarë shkruan dhe ta çaktivizoni. Në Windows 7, dy opsione të menjëhershme ju lajmërojnë nëse programit i ndryshohet ndonjë opsion me apo pa dritaren lajmëruese të Vista-s. Kjo tregon se çfarë pune të dobët ka bërë Microsoft-i me Vista-n.

Libraritë mbledhin skedarët tuaj: Për vite me radhë, Microsoft-i është munduar t’i trajnojë përdoruesit e Windows-it që t’i ruajnë të gjitha të dhënat e tyre personale në një vend, duke ofruar një skedar të emëruar My Documents për këtë arsye. Shumica prej nesh e ka injoruar këtë sugjerim dhe i kemi ruajtur gjërat gjithandej nëpër hard disqe. Një tipar i ri, i quajtur Libraries, i ndan dokumentet duke ju ofruar dosje virtuale për dokumente, fotografi, muzikë, fotografi dhe video duke kombinuar përmbajtjen nga cilado dosje që caktoni në një librari të unifikuar. Libraritë do të ishin edhe më të dobishme nëse do të ishin të integruara në tiparin Saved Searches, që krijon një formë tjetër të dosjeve të virtualizuara.

Të këqijat
HomeGroup është dëshpëruese: Duket si ide interesante – një mënyrë për të shkëmbyer dosje plot me material multimedial dhe dokumente mes kompjuterëve në rrjet, kështu që mund të përdorni fotografitë nga desktopi në dhomën e punës te laptopi në dhomën e ditës për shembull. Por implementimi në Microsoft befasisht nuk është aq mirë i përgatitur: në vend që t’ju mundësojë të vendosni një fjalëkalim gjatë instalimit, sistemi automatikisht vendos një kombinim prej dhjetë karakteresh të pakombinuara dhe ju thotë ta ruani atë. HomeGroup punon vetëm nëse të gjitha PC-të përdorin Windows 7.
Windows Update ende e fik kompjuterin: Windows 7 me siguri se do të arnohet sa edhe versionet e tjera të Sistemit Operativ. Nëse përdorni Windows Update në mënyrën që Microsoft-i rekomandon, kompjuteri juaj mund të kërkojë që ta fikni atë që të mund të freskohet vetvetiu ose mund të shpenzojë kohë duke instaluar freskimet kur provoni ta ristartoni, një problem i ngjashëm me versionet e kaluara të Windows-it.
Nuk mund të kaloni direkt nga XP: Nëse doni të kaloni nga XP-ja në 7, duhet të filloni nga fillimi; të riinstaloni aplikacionet tuaja dhe të rivendosni opsionet e tyre. (Përdoruesit e Vista-s mund ta instalojnë versionin 7 mbi Sistemin Operativ aktual, por jo gjithmonë me sukses të plotë). Vendimi i Microsoft-it për të mos mundësuar kalimin nga XP-ja në 7 nuk është aq i mirëpritur – një instalim i freskët do të jetë më i qëndrueshëm se instalimi mbi XP-në – por kjo do të trembë disa përdorues të XP-së, të cilët me siguri do ta pëlqejnë punën në Windows 7.

…dhe të panjohurat
Sa të mëdha do të jenë problemet e përshtatjes? Windows 7 duket dhe punon ndryshe nga Windows Vista, por nuk është shumë i ndryshëm. Kjo do të thotë se do të keni më pak dhimbje koke me drajverë dhe softuerë- sigurisht që kjo është parë edhe në versionin testues të Windows 7, i cili ishte mjaft i shpejtë si Sistem Operativ. Por pasi miliona njerëz instalojnë Windows 7 në një numër të pafund kompjuterësh, disa prej tyre ndoshta do të hasin probleme të cilat Microsoft-i nuk i ka parashikuar.
A do ta shfrytëzojnë DeviceStage prodhuesit e harduerit? Ky tipar i ri i jep printerit tuaj, aparatit dhe pjesëve të tjera periferike një qendër informacioni, të cilën prodhuesit e harduerit mund ta përshtatin me linqe për manuale online dhe vegla për rregullimin e problemeve. Por nëse këto kompani nuk investojnë në ndërtimin e Device Stages, kjo mund të jetë edhe një ide brilante e Microsoft-it, e cila nuk është aplikuar askund. Gjithashtu, pjesë të Device Stage nuk duken aq të suksesshme në substancë (shfaqje e pjesëve tuaja periferike në fotografi të mëdha) dhe të tjera mund të jenë irrituese (kompani printerësh që shesin ngjyra për printerë brenda Sistemit tuaj Operativ!).
Opsioni multitouch, pengesë apo ndihmesë? Windows 7 është versioni i parë i Sistemit Operativ me përkrahje për opsionin multitouch – për shembull nëse sistemi vëren se e keni hapur menynë Start me gishtat tuaj dhe jo me miun, do të shihni një meny më të zgjeruar, e cila kërkon më pak precizitet për të naviguar. Sigurisht, sistemi kërkon edhe PC-në që ka opsionin multitouch dhe vetëm disa prej tyre (si për shembull HP TouchSmart) gjenden tashmë në treg. Arritja e Windows 7 mund të sjellë PC të reja me opsionin multitouch – por edhe atëherë ajo që na duhet janë aplikacionet multitouch.

Përfundimi
Edhe kur del një version i ri i Sistemit Operativ, i cili është aq tërheqës sa edhe ky, duhet të keni kujdes me hapat që do të ndërmerrni. Ata që adaptohen shpejt do të jenë të lumtur, por dyshoj se shumë njerëz, të cilët presin pak më gjatë- pasi të tjerët të kenë gjetur vrimat dhe problemet e këtij sistemi– do të jenë edhe më të lumtur. Nëse jeni duke përdorur një PC të vjetër, duhet të qëndroni larg Windows 7 derisa të blini një sistem të ri, i cili është i dizajnuar të punojë mirë me të.
Këshilla ime për përdoruesit e Windows-it është kjo: Merrni Windows 7, por kur t’ju leverdisë juve. Ai do të jetë gati kur të jeni edhe ju dhe me siguri se ky version do të jetë më i mirë se cilido version i Windows-it që keni përdorur deri tani.

Lajmet e fundit>