Softuer

Windows 8: Çka, qysh, tek…

Jun 3 2011
0 Shpërndarje
Windows 8: Çka, qysh, tek…

Versioni i radhës i Windows 8 do të jetë një ndryshim radikal prej këtij që po shfrytëzoni sot, dhe do të jetë i bazuar përreth ekraneve të ndjeshme në prekje.

Çka demonstroi Microsoft me Windows 8?

Microsoft tregoi sesi Windows 8 do të punojë edhe në tablet edhe në PC tradicional. Pamja kryesore e sistemit operativ është e mbushur me panele të mëdha të ndjeshme në prekje, që ngjasojnë me katrorët e përdorur në Windows Phone 7, dhe prej këtu ju mund të shtypni apo rrëshqisni prej njërit në tjetrin panel, për të hapur ndonjë aplikacion të caktuar. Por nën këtë shtresë të prekjes qëndron Windows-i i vjetër, me një shirit të detyrave, menaxher të skedarëve dhe ikonat e zakonshme. 

Si punon ndërfaqja e prekjes?

Prej menysë start, që tregon informacione bazë si kohën dhe numrin e e-maileve që nuk janë lexuar, përdoruesit mund të shfletojnë nëpër ekran dhe përmes katrorëve sikurse në Windows Phone 7, duke lëshuar aplikacione që tregojnë disa informacione të vogla brenda kutive. Përdoruesit nuk kanë nevojë as të klikojnë në një aplikacion të motit për të shikuar temperaturën e tanishme. 

Përdoruesit mund të kalojnë prej një aplikacioni të hapur në një tjetër aplikacion pa asnjë problem. Dhe këtu ka edhe një prej veçorive më të bukura të Windows 8: Kur shfletoni në një aplikacion të ri, ju mund ta ngjitni atë afër aplikacionit që momentalisht është në funksion. Kjo mundëson lëshimin e dy aplikacioneve në të njëjtën kohë – gjë që asnjë tablet ekzistues nuk mund ta bëjë. 

Si punojnë aplikacionet në Windows 8?

Microsoft thotë se ka krijuar një lloj të ri të aplikacioneve për Windows 8 duke përdorur HTML 5 dhe Javascript, dhe ato nuk do të jenë sikurse aplikacionet që gjeni në një tablet. Një aplikacion i motit tregon parashikimin e motit për pesë ditë. Një aplikacion për lexim të lajmeve dhe shfaq disa fotografi të vogla në panele të mëdha, katrore. Microsoft gjithashtu ka demonstruar edhe IE10, që është përshtatur për shfletim në prekje. Microsoft do të shpërndajë këto aplikacione përmes dyqanit të saj që do të jetë në versionin e ri në Windows 8, por për të cilin nuk ka detaje. 

E çka bëhet me Office apo Photoshop?

Ato ende do të punojnë. Nëse njëra prej tyre vihet në funksion do të shihni një pamje më të njohur për ju të Windows. Sipas All Things Digital, Windows’i klasik do të paraqitet me një asistencë të vogël për të ndihmuar prekjet me gisht, por nuk do të jenë të përshtatura në të njëjtën formë sikurse ato që janë punuar me HTML5 Javascript. Në anën tjetër aplikacione tjera si Photoshop mund të punojnë pa problem sikurse aplikacionet e Windows 8.

Windows në ARM

Pajisjet me bazë në ARM do të jenë të kufizuara më aspektin e ndërfaqes së ndjeshme në prekje që shfrytëzohet nga Windows 8, por Microsoft nuk ka bërë ndonjë shpjegim në lidhje me këtë. Në fakt, Microsoft së fundi ka hedhur poshtë pretendimet e Intel se cilat aplikacione do të punojnë në sistemet me Windows që bazohen në çipat ARM. 

Kur do të paraqitet Windows 8?

Microsoft CEO Steve Ballmer ka thënë se Windows 8 do të lasnohet në vitin 2012, por detaje më të sakta do të ketë vetëm në muajin shtator, kur Microsoft do të mbaj një konferencë për zhvillues. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>