Lajmet

Windows 8 tejkalon më në fund përqindjen e tregut të Vista-s

Jul 2 2013
0 Shpërndarje
Windows 8 tejkalon më në fund përqindjen e tregut të Vista-s

Zyrtarisht, Windows 8 është sistem më i përdorur se Windows Vista, duke lënë pas “turpin” që kishte pushtuar Microsoft-in gjatë kësaj kohe, teksa sistemi i fundit operativ rritej me ritme tepër të ngadalta, duke mbetur në shifrat e Vista-s, sistemit të dështuar të kompanisë.

Sipas Net Applications’ NetMarketshare tracker, Windows 8 ka aktualisht 5.1% të të gjithë sistemeve desktop për muajin qershor, ndërkohë që Vista mbetet në 4.62%. Sigurisht, do të duhen disa muaj (ose vite) për të tejkaluar shifrat e Windows XP dhe Windows 7, të cilat qëndrojnë përkatësisht në shifrat 44.37% dhe 37.17%.

Edhe në aspektin e shfletuesve ueb kishte disa lajme të mira për Microsoft-in: Internet Explorer 10 ishte rritur me 4.26%, duke arritur në 13.52% të tregut të desktopëve. Kjo shënon herën e parë që IE10, i cili vjen me Windows 8 (por njëkohësisht është i disponueshëm edhe për Windows 7), ka kaluar IE 9.0, i cili ra me 3.68% në 11.71%.

Shifrat vazhdojnë të tregojnë se Windows 8 po ndeshet me vështirësi në adaptim. Në shkurt të këtij viti, sistemi tejkaloi përqindjen e tregut të Mac OS X 10.8. Nëse vazhdon të rritet me këto ritme (0.5% në muaj) – dhe nëse Windows XP vazhdon të bjerë me pothuajse të njëjtën shifër – Microsoft-it do t’i duhen rreth 32 muaj, pra deri në shkurt 2016, që Windows 8 të tejkalojë XP.

Përsa i përket shfletuesve, Net Applications e rendit IE me 56.15% të tregut, në krahasim me 55.98% në maj. Net Applications rendit Firefox në 19.15%, i cili ka rënë nga 20.63%, dhe Chrome me 17.17%, nga 15.74%.

Ndërkohë, sipas të dhënave nga StatCounter, Windows 8 ka 6.44% të tregut. Ata shtojnë se gjithë versionet e bashkuara të Mac OS X përbëjnë 8.52%, pra më tepër se Windows 8. Në aspektin e shfletuesve, sipas StatCounter, gjithë versionet e Chrome përbëjnë 42.19%, ndërsa ato të Firefox 5.0 e lart 19.14%. (PCWorld Albanian)

win 8

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>