Lajmet

Windows 8 tejkalon Vista-n gjatë vitit të parë të adaptimit

Sep 3 2013
0 Shpërndarje
Windows 8 tejkalon Vista-n gjatë vitit të parë të adaptimit

Lajme të mira këtë jave për Microsoft-in. Sipas të dhënave të firmës Net Applications, Windows 8 ka tejkaluar përqindjen e adaptimit të Vista-s nëse i referohemi të njëjtës periudhë kohe.

Për momentin, përqindja e Windows 8 në të gjithë PC-të me Windows, ku përfshihet gjithashtu edhe versioni 8.1 që është lançuar së fundmi e që do të jetë i disponueshëm për publikun e gjerë nga muaji i ardhshëm, ka arritur në 8.4%. Bëhet fjalë për të dhëna nga muaji gusht.

Nga muaji qershor, Windows 8 është rritur me 2.5%, shifra më e lartë deri tani. Për të bërë një krahasim me Vista-n, dhjetë muaj pas lançimit në janar 2007, Windows Vista përbënte 7.3% të PC-ve me Windows. Megjithatë, sistemi mbetet larg adaptimit të Windows 7 për të njëjtën periudhë kohe (17.3%) – pothuajse dyfish larg.

Matje të tjera tregojnë shifra të tjera

Firma rivale analitike, StatCounter, nuk e ka bërë edhe aq “dramatike” rritjen e Windows 8 gjatë muajit gusht.

Irlandezët, të cilët e masin përqindjen e përdoruesve duke numëruar vizitat e tyre në një numër më të madh uebfaqesh krahasuar me Net Applications, tha se Windows është rritur me vetëm 0.4% gjatë muajit të kaluar.

Sipas statistikave të tyre, tashmë sistemi operativ ka 7% të PC-ve. Ende nuk dihet se çfarë ka ndikuar në të dhënat e Net Applications në mënyrë që ata arritën të nxirrnin një shifër kaq të ndryshme me StatCounter.

Megjithatë duhet të kemi parasysh se Windows 8 vjen në një kohë më të vështirë se Windows 7. Së pari sepse në para disa vitesh tregu i PC-ve ishte në rritje dhe së dyti sepse nuk kishte konkurrencë kaq të fortë nga tabletët apo pajisjet e tjera mobile. (PCWorld Albanian)

windows8

Lajmet e fundit>