Analiza

Windows Phone 8 vs Android 4.0 vs iOS 6

Jun 22 2012
0 Shpërndarje
Windows Phone 8 vs Android 4.0 vs iOS 6

Kur të krahasoni sot tregun e smartfonëve me atë të para disa viteve, ndryshimi është vërtetë shumë i madh. Smartfonët e sotëm dalë ngadalë po marrin më shumë aplikacione të ngashme me ato të kompjuterëve sesa te aparateve celulare, dhe një shembull i tillë është edhe Windows Phone 8. Sistemet operative mobile si iOS 6, Android 4.0 dhe Windows Phone 8 po zhvillohen gjithmonë e më shpejt, duke u përpjekur të fitojnë sa më shumë klientë, por edhe në të njëjtën kohë të zhvillojnë tregun.

Ndërfaqja
Windows Phone 8 është i ndërtuar në sistemin “Live Tiles”. Për ata që nuk e njohin, janë ato katrorët e mëdhenj ku secili përfaqëson një aplikacion të ndryshëm si muzikë dhe porosi. Duke mbajtur pothuajse të njëjtat gjëra, janë bërë azhurnime edhe nga Windows Phone 7, duke e sjellë ndërfaqen më të lehtë për t’u përdorur për konsumatorin, mundësinë për ta rregulluar atë vet sipas dëshirës, dhe vendosjen e më shumë aplikacioneve.

Android nga ana tjetër siguron lidhjen nëpërmjet aplikacioneve që mund të vendosen në pjesë të ndryshme të ekranit. Modelet standarde të Android 4.0 kanë 5 lloje të këtij ekrani, por me modifikime personale mund të shkojnë deri në 7 sosh. Android gjithashtu është shumë i modifikueshëm, me prodhues të ndryshëm që e ofrojnë këtë shërbim nga Google e deri te UI.

Apple përdor një formulë të besuar dhe të provuar që bazohet në thjeshtësi. Jo katrora, jo vende të veçanta për aplikacione, vetëm një listë me ikonat e çdo aplikacioni përkatës të cilat mund t’i lëvizësh nga menyja kryesore. Çdo përsëritje ka sjellë përmirësime të dukshme, dhe tani me iOS 6 vjen një përmirësim i Siri dhe disa etapa sigurie për fëmijët.

Hartat
Çuditërisht Windows Phone 8 nuk i përdor më hartat e Bing. Tani Windows Phone 8 përdor sistemin e hartave të Nokia, që sjellin navigimin 3D, dhe shërbimin e Nokia Navteq Traffic.

Android përdor sistemin e vet të hartave në Google Maps, duke sjellë Street View dhe 3D. Jep mundësi shikimi si nga pikëvështrimi i këmbësorit dhe atij që është në mjet lëvizës, gjithashtu ka detaje për restorante, bar kafe dhe biznese tjera.

iOS tradicionalisht ka përkrahur hartat e Google. E gjitha kjo ndryshon me iOS 6, që tani përdor sistemin e hartave të Apple. Ky shërbim ofron integrim me listat e biznesit të Yelp, si dhe kontroll vokal me anë të Siri. Gjithashtu ka edhe harta 3D, shërbim trafiku, dhe pamje nga sateliti.

Kamera
Microsoft e ka marrë seriozisht aplikacionin e kamerës në Windows Phone 8, duke i dhënë një pamje të re dhe të pastër, me meny të vogël dhe butonë për futje në funksionet e kameras.

Në anën tjetër, aplikacioni i kameras së Android 4.0 ka sjellë ndryshime të vogla, por të dukshme. Ky aplikacion është i disponueshë në versione të ndryshme, që ju mundëson të krijoni foton tuaj ideale.

iOS 6 i ndërtuar mbi bazën e versionit paraprak iOS 5, u prezantua në iPhone 4S. Duke vazhduar thjeshtësinë e temës, rregullimet vendosen automatikisht, gjë që ndryshon vetëm nëqoftëse specifikoni një pjesë të caktuar të ekranit duke e prekur. Për ata të cilët duan një buton të vërtëtë për të nxjerrë foto, iOS lejon të shtypni butonin për ngritjen e zërit.

NFC
Windows Phone 8 posedon Microsoft Wallet, duke e bërë të mundur teknologjinë NFC në smartfonë. Kjo përbën një seri aplikacionesh të instaluara, duke lejuar blerjen dhe kryerjen e pagesave online përmes shërbimeve si PayPal. Gjithashtu janë të instaluara edhe aplikacione tjera si lidhje direkte me Bluetooth.

iOS 6 sjell Passbook, që nuk i ka të gjitha aplikacionet e NFC, por ka shumicën që përfshijnë shërbime të njëjta, duke bërë të mundur blerjen e biletave për sport, teatër dhe aeroplanë. Pritet që Apple të shpallë mundësitë e plota të NFC me lansimin e iPhone 5, bazuar edhe në faktin që rivalet e saj tashmë e kanë integruar plotësisht këtë teknologji.

Shfletuesi
Windows Phone 8 e konsideron navigimin në Internet si shumë të rëndësishëm, duke sjell versionin e fundit të Internet Explorer IE10. Kjo do të ndihmojë që WP8 të mbahet si preferencë personale në fushën e navigimit. IE10 vjen me një filtrim nga mashtrimet dhe shërbimin SmartScreen që e bën më të vështirë kapjen nga faqet keqdashëse.

Navigimi në Internet për Android është një çështje krejt tjetër. Shfletuesi standard ka disa karakteristika të veçanta për sa i përket sigurisë, si dhe mundësinë për të ruajtur faqet për t’i lexuar ato offline. Gjithashtu është i disponueshëm edhe shfletuesi Google Chrome, që ka shumë funksione të cilat përdoren edhe në desktop.

Safari është shfletuesi origjinal i iPhone, gjë që nuk do të ndryshojë as me iOS 6. Gjithashtu do të ketë azhurnime të reja si lexim offline dhe integrim në iCloud. Poashtu ka reklama të veçanta të cilat ndihmojnë në reklamimin e aplikacioneve të ndyshme.

Media
Një fushë në të cilën Windows ka vuajtur shumë, ka qenë mundësia e vendosjes së kartelave microSD. Fatmirësisht kjo gjë ka ndryshuar në Windows Phone 8, duke lejuar që media të rezervohet shumë lehtë nëpërmjet një kartele microSD, si dhe mundësinë e instalimit të aplikacioneve në këtë kartelë. Gjithashtu është bërë azhurnimi në rezolucionin 1280 x 768 dhe 1280 x 720 nga 800 x 480 sa ka qenë paraprakisht.

Që nga koha e Android 2.2, aplikacionet në microSD ishin diçka e zakonshme. Android 4.0 gjithashtu ofron një aplikacion për ndëgjim të muzikës si dhe një tjetër për video. Google Music jep gjithashtu mundësinë e ruajtjes së muzikës në llojet si Samsung Galaxy S3.

Besojeni apo jo, kompania që prodhoi iPod nuk ka mundësi të vënies së kartelave microSD. Gjithsesi Apple ka një zakon që pajisjet e veta i krijon me shumë memorje për ruajtje të të dhënave. Media menaxhohet nëpërmjet dyqanit të iCloud dhe iTunes. Gjithsesi ekrani i iPhone është shumë i vogël për të parë filma të gjatë.

Lidhja me tabletët
Microsoft vetëm para pak ditësh prezantoi tabletin e vet Surface që punon me sistemin operativ Windows 8. Gjithsesi nuk ka akoma ndonjë të dhënë nëse Windows Phone 8 do të dalë në tabletë, por besojmë se do të ketë lidhje shumë të forta me Windows 8, pasi të dyja janë të bazuara në të njëjtin Kernel. Siç e përmendëm dhe më parë, Windows Phone 8 ka rezolucion 1280 x 768, kështuqë duke parë një tablet që punon me sistemin operativ të pajisjeve celulare, kjo nuk duket teknologji aq e përparuar.

Android 4.0 është konsideruar si sistemi operativ që ka bashkuar teknologjinë e smartfonëve me tabletët. U desh versioni më i mirë i 2.3 (Gingerbread) i kombinuar me 3.2 (Honeycomb) për të krijuar një eksperiencë që të sjellin llojet e Asus Transformer Prime dhe ka gjithashtu zëra për nxjerrjen e një tableti Google Nexus.

iOS e ka një tablet, iPad. Duke fituar popullaritet gjithmonë e më shumë, iPad i ri me sistemin iOS 6 do të sjellë Siri e iPhone 4S. iOS 6 ka ndryshime, por në sytë e disa njerëzve është e njëjta eksperiencë me iPhone e mëparshëm.

Përfundimi
Windows Phone 8 punon me teknologjinë që paraardhësit e saj kanë hedhur. Duke sjellë gjithashtu të shumëpriturën Love Tiles, si dhe azhurnimet që i janë bërë në instalimin e aplikacioneve të brezit të ri, Microsoft ka hedhur nja hap të rëndësishëm në fushën e ekosistemit.

Android 4.0 është gjithashtu një sistem operativ shumë i këndshëm. Sjell karakteristika të reja, përfshirë kryerjen e disa veprimeve në të njëjtën kohë për dallim nga versioni 3.2. Gjithsesi duke parë të dhënat, me pajisjet e iOS që dominojnë tregun, nuk do të jetë shumë e lehtë të ndryshohet diçka shumë shpejt.

Duke e ndërtuar Android 4.0 nga fillimi, do të thotë se Google e ka një shans, sidomos kur fokusohet në çmimet e tregut. Integrimi i fuqishëm i Windows 8 me Windows Phone 8 do të sjellë një platformë të fortë, e që njëkohësisht do t’i mundësoj Microsoftit të mbetet konkurrent në tregun e kompjuterëve. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>