Lajmet

Yjet HDTV

Feb 25 2009
0 Shpërndarje
Yjet HDTV

Çmimet për televizorët plazma dhe LCD po bien shpejt.Sipas firmës për kërkime të tregut Display Search, çmimet e shitjes për LCD në tërë botën kanë rënë me 22% për 12 muaj, në fund të shtatorit, ndërsa çmimet e televizorëve plazma janë ulur me 27%. Sa më i madh televizori aq më e madhe është ulja. Në Amerikën Veriore, çmimi mesatar për një televizor LCD 32inç ka rënë nga 750$ në 658$ (është ulur 12%) ndërsa një televizor LCD 52inç ka rënë nga 2791$ në 1951$ (30%).
Për këtë përmbledhje krahasuese të televizorëve me definicion të lartë, kemi parë 13 HDTV të rinj dhe kemi rivlerësuar disa modele të vjetër, në tri kategori bazë, sipas madhësisë: 42 inç, 46 deri 47 inç dhe 50 deri 52 inç. Në fund, 3 televizorët e rinj morën nderin për Ofertën më të mirë: LG 42PG25 42 inç, Samsung LN46A650 46 inç dhe Samsung PN50A760 50 inç.

120 Hz nuk dëmton
Këtë sezon lajmi i madh është LCD me 120 Hz, që e rifreskon ekranin 120 herë në sekondë. Edhe pse HDTV me 120 Hz kanë qenë rrotull që nga viti 2007, ata ishin shumë të shtrenjtë deri vonë. Tash, thotë Paul Gagnon, drejtor për Amerikën e Veriut për kompaninë e kërkimeve të tregut të TV-ve, Display Search, një LCD me 120 Hz kushton rreth 10% më shumë se televizorët me shpejtësi freskimi më të ngadalshme, por në parim janë të njëjtë.
Shpejtësia më e madhe e freskimit ka për qëllim përmirësimin e mangësive të teknologjisë LCD, për faktin që pikselat e LCD nuk rishkruhen aq shpejt sa fosfori i televizorëve plazma. Rishkrimi i ngadalshëm mund të shkaktojë turbullim te fotografisë në lëvizje të shpejtë dhe lëvizjet e shpejta të kamerës.
Por ka disa arsye teknike për të qenë skeptikë. Ndërsa Joel Silver nga Imaging Science thekson se ndryshimi i shpejtësisë së rifreskimit (refresh rate) nuk ndikon në “ndryshimin e pamjes natyrale të LCD.” Me fjalë tjera, dërgimi i një imazhi të ri në LCD çdo 120-n pjesë të sekondës nuk do të thotë se imazhet e vjetra do të humbin. Përmbajtjet ende regjistrohen në 30 (video) ose 24 (film) frame për sekondë.
Megjithatë, shpejtësia e freskimit prej 120Hz mund të përmirësojë shfaqjen e veprimeve të shpejta, veçanërisht nëse filmimi është bërë në high-definition në 60 imazhe për sekondë, siç janë sot shumica e xhirimeve sportive. Duke futur ndonjë imazh shtesë te këto ekzistuese, televizioni LCD me 120Hz mund ta bëjë fotografinë më të pastër. Kjo teknologji mund të ndihmojë në eliminimin e lëkundjeve të pamjes që shkaktohet nga konvertimi i filmit nga 24fps në 30fps.
Të tre televizorët 42inç LCD me 120Hz, që kemi testuar, LG Electronics 42LGX, Toshiba 42XV54U dhe Vizio Electronics 42PG25, kanë mundur modelin 42inç plazma (LG Electronics 42PG25) në testin tonë NASCAR, që përfshin xhirime të veprimeve të shpejta në 60Hz. Kjo është shpejtësia ku mund të vërehet performanca e përmirësuar e shpejtësisë së rifreskimit prej 120Hz.

Shembull të njëjtë ka edhe në kategorinë 46 dhe 47inç. Samsung LN46A650 120Hz dhe Vizio SV470XVT , kanë tejkaluar televizorët plazma (Panasonic TH-46PZ800U) në përgjithësi dhe në testin e NASCAR.
Ndikimi i 120Hz nuk vërehej shumë te televizorët 50 dhe 52inç. Modelet LG 52LG70 dhe Sharp LC-52D85U janë të dy me 120Hz, por LG mbaroi i treti në grup dhe në testin NASCAR, ndërsa Sharp u radhit i pesti dhe i barabartë me LG, për sa i përket performancës.

Trendet e opsioneve HDTV
Në fillim të vitit 2008 flitej për televizorët me internet, por deri më tash vetëm një pjesë e televizorëve kanë këtë mundësi.
Samsung PN50A760 me 50inç dhe LN46A650 me 46inç kanë porte ethernet dhe përdorin internetin për t’u qasur në shërbimin e lajmeve të kompanisë InfoLink (për motin, lajme, sport dhe raporte financiare nga USA Today) por ende larg nga mundësia e plotë e internetit. Tani për tani opsionet multimediale janë për t’u veçuar. Disa prej modeleve kanë port USB që mund ta përdorni për të parë fotografi dhe për të dëgjuar muzikë MP3. Gjithashtu mund ta vendosni SD Card nga aparati fotografik në Hitachi P50X902 ose Panasonic TH-46PZ800U për të parë fotot në televizor.    
Shumica e modeleve HDTV kanë modulet e fotografisë (module të paracaktuara që mund t’i ndryshoni nga menyja) të quajtur Movie ose Cinema, por Panasonic TH-46PZ800U ka një modul të emëruar THX, i cili është dizajnuar të paraqesë pamjen profesionale, e cila përdoret për krijim të videove. Do të thotë kjo që nëse përdorni THX do të keni fotografi më të mirë? Shefi i arkitekturës AV në Lucasfilm THX, Michael Rudd tha se “është e mundur, por jo e sigurt”.
Qendra e Testimit e PC World nuk përdor modulet e caktuara në testet e kualitetit të fotografisë, kështu që nuk mund të gjykojmë përparësitë e certifikimit THX. Por ndërsa në të kaluarën vetëm një pjesë e vogël e TV-ve lejonte ndryshimin e pamjes nga rregullimi në fabrikë, tani shumica prej tyre e kanë këtë mundësi.
Çmimet janë duke u ulur dhe kualiteti i fotografisë po përmirësohet. Tani kutitë idiote për herë qëparë bëjnë pyetje inteligjente, kur e ndizni televizorin. Televizori është më i mirë se kurrë më parë.

HDTV me ekran të sheshtë

50 dhe 52 inç
Samsung PN50A760, modeli plazma, kalon konkurrencën në këtë kategori, ndërsa plazma LG 50PG30 është ofertë e mirë për kërkuesit e çmimeve të lira.

Samsung PN50A760alt
Samsung PN50A760 (2500$) kombinon mundësitë multimediale dhe kualitetin e mirë të fotografisë. Në testet tona laboratorike, ky HDTV plazma ishte i vetmi model në kategorinë e madhësisë së vet, që ka merituar klasifikimin si Shumë Mirë për kualitetin e fotografisë.
Një nga anëtaret e jurisë ka vënë re disa piksela në disa nga testet, por edhe ajo deklaroi se ky model është “më i miri nga të gjithë të testuarit” me disa fotografi të qarta dhe të brishta. Një anëtar tjetër i jurisë komentoi balancën e ngjyrave. E admiroj aftësinë që tregoi në testin tonë NASCAR, dhe këndin e gjerë që ofron!
Në testet e mia, PN50A760 ofronte një sistem audio të shkëlqyer, afërsisht si të dëgjonit nga një sistem i veçantë altoparlantësh. Audioja nga një film me të shtëna armësh kishte efekte shumë të fuqishme dhe realiste.
PN50A760 është i dizajnuar shumë mirë. Një magjistar instalimi ndihmon të përshtatni televizorin për përdorim në shtëpi (për dallim nga shitorja). Menytë e televizorit janë mjaft të lexueshme dhe menyja Input ju lejon të caktoni prioritetet për pajisjet e lidhura, të ndezura, kështu që nuk keni nevojë të hyni në meny dhe opsione të pafundme për të zgjedhur pajisjen që dëshironi të përdorni.
Modeli PN50A760 ka shumë mundësi bashkëveprimi me materialet multimediale. Shtypni butonin Content në telekomandë për të paraqitur pamjen e plotë të opsioneve, duke përfshirë fotografi skenike, receta, ushtrime dhe aktivitete për fëmijë; të gjitha të integruara në memorien flash të TV-së (por që është e pandryshueshme). Mund të vendosni një USB disk në portin USB për të parë fotografitë tuaja ose për të dëgjuar muzikë. Mundësi tjetër është lidhja me kabllon ethernet në PN50A760 dhe shikimi i materialeve multimediale nga PC të konfiguruar në serverin DLNA. TV-ja ka softuerin adekuat për këtë.
Drita në sfond e bën shumë të lehtë përdorimin e telekomandës në errësirë. Ka një lloj leve në vend të shigjetave të zakonshme, por Samsung nuk e ka vendosur butonin për opsionin picture-in-picture edhe pse TV e ofron këtë opsion.
Me 2500$, Samsung PN50A760 është i shtrenjtë. Por ama merrni shumë për sa paguani sa i përket kualitetit dhe opsioneve ekstra.

LG Electronics 50PG30

LG 50PG30 është një televizor plazma HDTV jo i shtrenjtë (1700$) me një pamje me stil. Dizajni dhe mundësia për lidhje të shumta (duke përfshirë tri porte HDMI) tërheq vëmendjen, por kualiteti i fotografisë së këtij modeli është mesatar.
Në Qendrën e Testimit të PC World, anëtarët e jurisë kishin reagime të ndryshme për këtë model. Ai dukej mjaft mirë kur shikohej nga këndi, siç pritej nga televizorët plazma. Kisha mendimin se modeli 50PG30 ka bërë punë të mirë me detajet në pjesën e përparme dhe në prapavijë, që i vlerësova duke parë intervistën tonë me David Letterman. Më pak i kënaqur me modelin 50PG30 isha në shikimin e klipit NASCAR, ku vërejta disa pjesë të mjegulluara e jo të qarta. Një nga anëtarët e jurisë kritikoi ngjyrat e lëkurës; disa të tjerë thanë se fotografia dukej shumë e rrafshët, me ngjyra të cilat nuk theksoheshin.    
Modeli 50PG30 është i lehtë të montohet dhe ka shumë mundësi lidhjesh me inpute të vendosura në vende të përshtatshme dhe një magjistar instalimi, i cili ju pyet nëse dëshironi ta rregulloni TV-në për përdorim në shtëpi apo në ndonjë dyqan. Quick Menu ofron qasje të shpejtë në opsionet e zakonshme, si për shembull modulet e fotografisë dhe zërit. Gjithashtu zgjedhjet shfaqen në ekran (si ikona) kur klikoni butonin për inpute, për t’i dhënë prioritet burimeve që dërgojnë sinjalin në TV, që është një opsion që kursen kohë.
Por 50PG30 nuk ka opsionin picture-in-picture, gjithashtu nuk përkrah lidhjen me USB dhe SD Card. Telekomanda nuk ndriçon në errësirë, nuk është e programueshme dhe komandon vetëm VCR ose DVD player që përkrahin LG Simple Link (HDMI CEC).
Edhe pse 50PG30 është radhitur i dyti në kategorinë 50-52inç në radhitjen e përgjithshme, falë çmimit të ulët që ka, mund t’i afrohet dizajnit superior dhe kualitetit të lartë të Samsung PN50A760. Modeli tjetër i LG në këtë kategori, 52LG70, është superior në krahasim me 50PG30 thuajse në çdo aspekt, por kushton 800$ më shumë.

LG Electronics 52LG70alt
Edhe pse i ngjan shumë modelit plazma (50PG30) LG52LG70 LCD HDTV duket qartë që është model më i avancuar.
Për dallim nga modeli plazma, mund të vendosni flashdiskun në 52LG70 për të parë foto dhe për të dëgjuar MP3-sha. Televizori ka katër porte HDMI dhe dy dalje audio optike, në kornizën e vet 52inç, por edhe ky model nuk e ka mundësinë picture-in-picture. Rregullimi është i thjeshtë. Lidhje të vendosura mirë dhe magjistari i instalimit që ju pyet nëse televizori do të përdoret në shtëpi apo dyqan.
Kur në telekomandë klikoni butonin Input për të ndryshuar burimin nga kabllori në DVD player, për shembull, televizori shfaq ikonat për të gjitha inputet. Inputet aktive janë të theksuara dhe të grupuara në pjesën e përparme. Dëshironi të rregulloni proporcionin e pamjes apo dritën në sfond të TV-së? Butoni Q në meny ofron qasje të shpejtë në këto opsione. Pullat në telekomandën e hollë dhe të gjatë, kanë madhësi të mirë dhe janë të vendosura mirë për kontroll me gishtat. Edhe pse telekomanda nuk ka dritë në sfond, mund ta programoni për punë me pajisjet e tjera.
Anëtarët e jurisë të Qendrës Testuese të PC World e kanë klasifikuar kualitetin e këtij modeli si mesatar. Kam parë disa fytyra me ngjyra jonatyrale dhe strukturë të lëkurës si një pikturë me ngjyra. Të gjithë gjyqtarët kanë vërejtur çrregullim të pikselave dhe mangësi të tjera në testet e ndryshme, veçanërisht gjatë veprimeve të shpejta dhe zbërthimeve. Disa fotografi në testet tona dukeshin pak të buta, por në përgjithësi kualiteti i fotografive ishte i kënaqshëm.
Modeli 52LG70 ka një çmim shumë të pranueshëm. Por mund të gjeni më të mirë që janë edhe më të lirë.

altSharp LC-52D85U
Dizajni nuk është pika më e fortë e LC-52D85U. Menytë në ekran, telekomanda dhe manuali mund të kenë kaluar disa trajnime të përshtatjes me konsumatorin. Por ky model LCD me çmim prej 2300$ arrin më shumë pikë te kriteret më të rëndësishme, në kualitetin e fotografisë.
Në testimet tona në Qendrën e Testimi të PC World, ai kishte rezultatet të barabarta me LG 52LG70 për vendin e tretë në kategorinë e vet. Gjyqtarët e jurisë kishin mendimin t’i jepnin vlerësimin Mirë ose Shumë Mirë në shumicën e shkallëve dhe një nga gjyqtarët lavdëroi aftësitë e televizorit për shfaqjen e detajeve. Edhe kështu, gjyqtarët tanë kanë zbuluar disa ngecje. Njëri nga anëtarët është ankuar se ngjyrat dukeshin të dobëta në 480p DVD. Kam vënë re çrregullim të pikselave dhe shumë skena më janë dukur shumë të shndritshme. Edhe pse ky televizor ka shpejtësinë e rifreskimit 120Hz, nuk kemi parë ndonjë fakt që ka ndihmuar në përmirësimin e pamjes në klipin tonë NASCAR.
Sharp ofron audio të pranueshme, por sistemi artificial nuk paraqet shumë thellësi të vërtetë të zërit dhe në variacione të ndryshme të zërit nuk kishte jehonë. Tingujt e ulët vinin si pasojë e vrazhdësisë së imët.
Telekomanda është mbushur me butona të vegjël dhe të vështirë për t’u shtypur. Edhe pse ka dritë në sfond, ky opsion nuk ndihmon shumë në errësirë. Shtypni butonin Light (i cili gjithashtu shkëlqen shumë mirë) dhe vetëm pullat e zgjatura të Volumit dhe Kanaleve plus katër të tjera vezullojnë. Pasi që shenjat nuk janë të ndriçuara, nuk është aq e qartë se cili buton është cili.
Klikoni butonin Input dhe do të shihni listën e inputeve në dispozicion, qofshin ato të lidhura në mënyrë harduerike ose jo. Ky model nuk përkrah hapjen e fotografive një-pas-një dhe nuk ka ndonjë mundësi multimediale me USB, SD Card ose ethernet.
Me 2300$, LG-52D85U ofron fotografinë më të mirë për çmimin që ka në mesin e ekraneve të mëdha. Nuk është modeli më i lehtë për t’u përdorur dhe i mungojnë disa tipare, por gjithashtu kushton 200$ më lirë se Samsung PN50A760 (i cili i ka këto tipare).

Westinghouse Digital TX-52F480Salt
Televizori Westinghouse Digital TX-52F480S (2550$) është HDTV i dytë më i shtrenjtë në kategorinë e tij me këtë madhësi. Edhe pse kushton 50$ më shumë se Samsung PN50A760, ky model nuk ka tiparet dhe kualitetin e fotografisë që Samsung ofron.
Në testimet tona në qendrën e testimeve, TX-52F480S zuri vendin e dytë në testin e performancës. Edhe pse ishte modeli i vetëm në kategorinë 50 deri 52inç HDTV LCD që kemi testuar dhe nuk kishte shpejtësinë e freskimit 120Hz, ofronte paraqitje të shkëlqyer në testin tonë me klipin e NASCAR, ku përparësia e HDTV me 120Hz do të ishte e dallueshme.
Paneli ynë i gjyqtarëve gjeti disa probleme të tjera me kualitetin e fotografive edhe pse thuajse çdo gjyqtar kishte vërejtje për nuancën e kuqe që TV i jepte së lëkurës së njerëzve. Disa kanë vënë re çrregullime të pikselave dhe paqartësi. Gjithashtu, TX-52F480S dështoi në testin HD HQV Benchmark Jaggies.
Në testimin tim, audioja e këtij modeli ishte e mjerueshme. Me 61% të volumit të plotë (volumi i plotë ishte shumë i zhurmshëm), altoparlantët e integruar nuk e kishin kualitetin që do të duhej të kishin. Kolona zanore të një filmi me të cilin testova dëgjohej shumë e zbrazët, e zymtë dhe e tendosur. Edhe me 40% të volumit, forca e zërit nuk ishte për t’u lavdëruar. Çdokush që ble këtë pajisje duhet të rezervojë altoparlantët vetëm për lajme dhe show në TV, ndërsa për shikimin e filmave dhe koncerteve do t’ju duhen altoparlantë të veçantë.
Telekomanda e TX-52F480S është mesatare. Westinghouse vendos butonat me shigjeta afër pjesës së poshtme, ku nuk janë të përshtatshëm për t’u përdorur, ndërsa butonat Mute dhe Input janë të vegjël dhe të vendosur në vende të papërshtatshme. Telekomanda nuk ka dritë në sfond dhe nuk mund të programohet. Diçka pozitive është butoni Closed Caption.
Një plus i madh është rregullimi i tiparit Autosource. Ndizni DVD player ose ndonjë pajisje tjetër A/V që është e lidhur me televizorin dhe Autosource automatikisht merr sinjalin nga ajo pajisje.
Në përgjithësi Westinghouse Digital TX-52F480S është një TV modest. Por modelet e tjerë ofrojnë më shumë tipare me çmime më të ulëta.

HDTV me ekran të sheshtë 46 dhe 47inç

Samsung radhitet i pari këtu, duke zënë gjithashtu dy vendet e para. Fituesi i vendit të parë, LN64A650 është LCD model që përkrah shpejtësinë e freskimit të ekranit 120Hz, siç përkrah edhe modeli numër tre, Vizio SV470XVT.

altSamsung LN46A650
Samsung LN46A650 (1800$) është model i cili ju kënaq që nga ndezja e parë. Kjo fillon që kur magjistari i instalimit ju kërkon ta zgjidhni gjuhën dhe ju pyet nëse do ta përdorni TV-në në shtëpi apo dyqan. Pastaj kërkon kanalet dhe është gati për përdorim.
Telekomanda e gjatë ju jep qasje në menynë që shfaqet kur shtypni butonin Source dhe i radhit inputet aktive në pjesën e sipërme të ekranit ku dhe i thekson. Përveç se është shumë i përshtatshëm, ky model ka edhe bezdisjet e veta. Më është dashur të ç’aktivizoj opsionin Entertainment para se të ndryshoj modelin e audios. Edhe pse LN46A650 ofron shikimin e fotografive një-pas-një, telekomanda e programueshme nuk ka butonin PIP që mundëson shikimin e dy inputeve njëkohësisht. Telekomandës nuk i mungon asgjë tjetër, sidoqoftë ka një rreth manipulues të ngjashëm me iPod në vend të butonave me shigjeta.
Në testimet tona në Qendrën e Testimit të PC World, gjyqtarët i kanë dhënë modelit LN46A650 pikët mesatare për kualitetin e fotografive. Teknologjia 120Hz e këtij modeli është parashikuar të ndihmojë në lëvizje të shpejta, por dy gjyqtarë kanë parë çrregullime të pikselave dhe turbullime te tekstet që lëviznin. Ndërkohë, kur shikoja Mission Impossible III në testin tonë me Blu-ray, vura re se ekrani vibronte aq shumë, sa që dukej sikur isha duke parë ndonjë video të kombinuar.
Porti USB i vendosur anash përkrah dëgjimin e muzikës dhe shikimin e fotografive nga USB. Porti ethernet në pjesën e përparme punon me shërbimin Samsung InfoLink RSS, që ofron lajme, motin, sport dhe të dhëna financiare në televizor.
Dizajni i shkëlqyeshëm i LN46A650 dhe lehtësia për ta përdorur e bëjnë të përshtatshëm për shikuesit që vlerësojnë formën dhe funksionin.

Samsung LN46A550
alt
Ky model LCD me çmim 1699$ nuk ka disa specifikime dhe dizajnin e vëllait të vogël Samsung LN46A650, por modeli radhitet menjëherë pas tij.
Në testet tona në Qendrën e Testimit të PC World, LN46A550 në statistika përfundoi barabar me LN46A650 në performancën e përgjithshme. Në skenat nga Pirates of the Caribbean: The Curse of the Black Pearl, fotografitë nga LN46A550 dukeshin sikur po vinin direkt nga filmat 35mm. Kualiteti i zërit është i mirë për talk-show, por do të preferoni të blini një sistem audio për shikimin e filmave. Televizori mundohet të përkrahë shikimin nga këndet e ndryshme dhe ju ofron qasje të mirë në pjesën e pasme të televizorit.
Menytë në ekran, të bazuara në ikona janë të qarta dhe të lehta për t’i lexuar dhe një shpjegim i shkurtër në pjesën e sipërme të ekranit shpjegon se çfarë bën secila prej tyre. Butoni Tools në telekomandë vepron në të njëjtën mënyrë siç vepron tasti i djathtë i miut në Windows, duke ofruar zgjedhjen e opsioneve të përshtatshme për inputet e caktuara.
Tastet me ngjyra i japin telekomandës pamjen e një lodre për fëmijë, por nga ajo mund të përfitojnë të gjithë përdoruesit e të gjitha moshave. Telekomanda nuk është e programueshme, kështu që mund ta përdorni për të operuar me DVD player ose VCR, vetëm nëse pajisja punon me teknologjinë Anynet të Samsung.
Modeli LN46A550 është një HDTV i kompletuar që do të bëjë gjithçka që ju dëshironi të bëjë. Sa i përket çmimit, ky model është fituesi.

Vizio SV470XVT
Modeli Vizio SV470XVT LCD prodhon fotografi të mirë, por i mungojnë disa komforte që modelet tjera HDTV i kanë, si për shembull modelet e LG dhe Samsung.
Modeli SV470XVT mundohet mjaft të mbaj objektet në lëvizje të qartë. Dy nga gjyqtarët e jurisë kanë vërejtur disa dridhje në testin tonë me Blu-ray me filmin Mission Impossible III. Edhe pse nuk shfaqi ndonjë dobësi në testin HD HQV Benchmark, kemi parë disa çrregullime të pikselave në pjesët e cepave të ekranit. Nga ana tjetër, i kaloi TV-të e tjerë në testin NASCAR.
Modeli SV470XVT tregoi sukses të mirë në testin audio. Zërat e qetë dëgjoheshin mjaft qartë, kurse zërat e lartë dukej sikur më mbështillnin. Ky ishte kualiteti i zërit që kisha pritur. Nuk do të merrni audio më të mirë përveç nëse dëshironi të investoni në një sistem të veçantë audio.
SV470XVT ishte një sfidë për ta instaluar. Shumica e konektorëve janë vendosur në vende jo të mira dhe është vështirë t’i gjesh. Por, pasi ta instaloni të tërin, TV është i lehtë për t’u përdorur; menytë kanë shpjegime në ekran, shumica e të cilave janë të lehta për t’u kuptuar.
Fatkeqësisht, televizori nuk ka ndonjë meny të shkurtuar për qasje më të shpejtë te opsionet që përdorni më shpesh. Butonat e dedikuar në telekomandë ofrojnë qasje në 20 nga këto opsione, por të gjitha grumbull e bëjnë telekomandën jo shumë të lehtë për ta përdorur. Dizajni i ngathët i dritës në sfond gjithashtu nuk ndihmon.
SV470XVT vjen me mundësinë e ngrirjes së fotografisë, por nuk ka mundësi të lidhjes me pajisje multimediale. Mungesa e portit USB dhe SD Card do të thotë se nuk mund të shikoni fotografi dhe të dëgjoni muzikë përmes këtij televizori. Ky HDTV 47inç kushton vetëm 1400$ dhe prodhon fotografi që mund të krahasohet me të mirët në klasin e vet.

altVizio VO47LF
Modeli LCD 47inç ofron fotografi fantastike, ndërsa Vizio ende mund konkurrencën, sa i përket çmimit (1400$). Në anën tjetër, nuk ka elegancën e dizajnit dhe opsionet ekstra, si për shembull mbajtësin që rrotullohet dhe është i vështirë për t’u montuar dhe përdorur.
Butoni Input që gjendet me vështirësi në telekomandë, sjell listën e burimeve në dispozicion, duke përfshirë edhe burimet e sinjalit që nuk kanë asnjë përmbajtje të lëshuar. Vizio ofron butonat që ju drejtojnë direkt në lloje të caktuara inputesh (HDMI e të tjera), por jo në ndonjë input specifik.
Për dallim nga problemi i butonit Input, telekomanda nuk është e keqe dhe drita në sfond e bën të lehtë për t’u përdorur në errësirë. E keqja e saj është se nuk mund ta programoni dhe se kontrollon vetëm televizorin.
VO47LF ofron opsionin fotografi-në-fotografi dhe një kabëll HDMI falas. Ky model ishte i barabartë me Samsung LN46A550 për performancën. Televizori morri gjithashtu disa nota superiore. Zëri i televizorit ishte i shkëlqyer (me standardet HDTV), me dialogë të qartë dhe goditje të mjaftueshme për muzikë të zhurmshme. Manualet e detajuar të Vizio ju ndihmojnë për përjetim sa më të mirë të VO47LF.
Fotografia e shkëlqyer dhe çmimi jashtëzakonisht i përshtatshëm për një HDTV të madh, e bëjnë Vizio VO47LF një ofertë të favorshme.

Panasonic TH-46PZ800Ualt

Modeli TH-46PZ800U i Panasonic (2200$) balancon shumë mirë kualitetin e fotografisë dhe tiparet. Paneli ynë i gjyqtarëve e ka klasifikuar kualitetin e fotografisë të këtij televizori plazma si të Mirë. Isha i impresionuar me nivelin e detajeve që ky televizor ofroi në testin tonë me The Lord of the Rings: Return of the King. Por gjyqtarët e tjerë ankoheshin se disa ngjyra nuk dukeshin mirë dhe ishin të zbehta. Pasi TH-46PZ800U nuk ju pyet, pasi ta nxirrni nga kutia, nëse do ta përdorni në dyqan për ekspozim ose në shtëpinë tuaj, këtë duhet ta rregulloni vetë.
Në testet e mia, kualiteti i zërit në Panasonic ishte fenomenal, kur krahasohej me modelet e tjera me altoparlantë të integruar. Me zërin e ngritur në dy të tretat e volumit, mund të dëgjoja çdo detaj, sado të vogël, ndërsa muzika më merrte me vete kur arrinte kulmin.
Televizori ka të vendosur portin për SD Card në pjesën e përparme, të cilin mund ta përdorni për të parë fotografi në televizor. Nuk ka port USB për dëgjimin e muzikës MP3 dhe shikim të fotografive.

HDTV me ekran të sheshtë
42-inç

Klasifikimi i performancës së fotografisë ishte shumë i afërt në këtë kategori. Kjo shpjegon se si modeli LG42LG25, i cili u radhit në vendin e gjashtë në testin tonë të performancës arriti të merrte titullin si Oferta më e mirë.

LG Electronics 42PG25alt
LG Electronics 42PG25 ofron një çmim atraktiv (1000$) dhe tipare mbresëlënëse. Ky HDTV plazma ofron fotografi të bukura për pamje edhe pse ngeci pak në videot tona me lëvizje të shpejta.
Menytë janë të dizajnuara shumë mirë, me ikona të mëdha të lehta për t’u lexuar.  Menytë nuk kanë përshkrimin e opsioneve, kështu që ju duhet të hamendeni, për shembull çfarë bën “Clear Voice” ose duhet të hapni manualin e ta lexoni për ta kuptuar. Një dizavantazh tjetër është mungesa e butonit Display në telekomandë, që nuk mundëson një mënyrë të lehtë për të parë cilin kanal po shihni.
42PG25 kishte më shumë vështirësi se LCD-të me 120Hz që kemi krahasuar me të. Një nga katër gjyqtarët e vlerësoi mjegullimin e 42PG25 në testin NASCAR si “më të keqin” nga grupi i televizorëve 42inç. Të gjithë anëtarët e jurisë i dhanë nota të ulëta në testin tonë Jaggies nga HD HQV Benchmark. Për dallim nga këto sjellje të çuditshme të fotografisë, gjyqtarët vlerësuan fotografinë e tij si të Mirë në përgjithësi.
Edhe pse nuk është HDTV më i mirë që mund të blini, ose me kualitetin më të mirë, LG 45PG25 është një televizor atraktiv dhe çmimi i ultë e rrit joshjen.

altVizio SV420XVT
TV-të e Vizio shpesh udhëheqin analizat tona në çmim dhe kualitet të fotografisë, dhe ky model nuk është përjashtim. Me 1100$, SV420XVT është LCD-ja me 120Hz, më e lirë që kemi parë deri tani. Ai gjithashtu arriti në maje të klasifikimit në testin tonë të performancës.
Më pëlqeu shumë fotografia në testin Blu-ray me Pirates of the Caribbean: The Curse of the Black Pearl. Edhe pse skena me anijen që afrohej ishte pak me pupla, e kam vlerësuar këtë model me notën Superior, që është më e larta.
Por klipi në DVD i The Lord of the Rings: Return of the King kishte probleme me kualitetin e ngjyrës së zezë dhe shfaqte ngjyrën e fytyrës me disa nuanca jo të mira. Pasi ky test është bërë me DVD standard, këto rezultate mund të paralajmërojnë mangësi në rezolucionet më të larta.
Fatkeqësisht, shumica e inupteve janë vendosura mbrapsht në pjesën e prapme të televizorit dhe nuk mund të përdoren shumë lehtë . Instalimi fillestar i Vizio nuk ju pyet nëse jeni duke e përdorur TV-në në shtëpi ose në dyqan.
SV420XVT nuk e ka meny të shpejtë për përdorimin e opsioneve, nuk ka as port USB ose vend për SD Card për fotografi dhe muzikë. Edhe pse gjashtë butonat në telekomandë janë me dritë, në errësirë nuk mund të thoni se për çfarë përdoren katër prej tyre.
Megjithatë, nëse po kërkoni për fotografinë më të mirë në HDTV me çmim të mirë, ndoshta nuk do të merrni shumë parasysh këto mangësi.

altVizio VO42LF

Herën e parë e kemi testuar në Korrik të vitit të kaluar. Vizio VO42LF ende mbetet një komplet i mirë, me çmim të mirë (1100$). Edhe pse kushton sa versioni i ri Vizio SV420XVT, mbetet pak mbrapa kushëririt në performancë dhe specifikime.
Gjyqtarët tanë mendonin se VO42LF kishte fotografi me pamje natyrale. Megjithatë disa fotografi dukeshin të turbullta. Në disa raste, disa çrregullime u shfaqën në klipin me veturat në lëvizje. Në një klip tjetër, ngjyrat e lëkurës dukeshin pak të ngarkuara.
VO42LF ofron audio të mirë, brenda limiteve të altoparlantëve të integruar në HDTV. Me 50% të volumit, audio ishte pak e turbullt, por më e mirë se zëri i shumicës së TV-ve të tjerë.
Telekomanda e VO42LF duket si kandidate për Apple Computer Minimalist Design Award. Është e vogël, me pak butona dhe disa vrima në një sipërfaqe me vija. Por largësia me përdoruesin e bën këtë telekomandë jo shumë të përshtatshme për përdorim. Për shembull, nuk ka butonin Meny, kështu që duhet të shtypni butonin Enter (i cili nuk është i shënuar as si ‘Enter’ as si ‘Menu’) për ta hapur menynë.

LG Electronics 42LG60alt
LG 42LG60 i është përkushtuar shumë dizajnit; që nga telekomanda me imitim të lëkurës, deri tek menyja brilante dhe e përshtatshme për përdorim. Por për 1800$ duhet t’i shikojmë ca cikërrime.
Pjesa e pasme e panelit LCD është e kuqe, por kjo ka pak rëndësi, pasi nuk ka njerëz që shohin prapa televizorit të tyre të madh. Mbështjellësi është i hollë në pjesën e sipërme dhe anash, por tri herë më i gjerë në pjesën e poshtme, ku LG ka fshehur altoparlantë superiorë. Edhe pse është mirë që nuk shihni rrjeta të altoparlantëve, pjesa e poshtme tejet e rritur është jo atraktive, veçanërisht pasi çdo gjë tjetër duket e përkryer.
Shumica e sensorëve të dritës në HDTV masin dritën në dhomë. Por LG Intelegent Sensor nuk mat vetëm dritën, por edhe kontrastin, ngjyrat, qartësinë dhe balancën e së bardhës. Ky tipar punoi shumë mirë thuajse gjatë gjithë kohës, edhe pse në disa raste, për pak çaste çrregullonte fotografinë ndërsa përshtatej me ambientin. Fatmirësisht, kontrollet individuale për gjashtë ngjyra mund t’i gjeni shumë lehtë në menynë e fotografisë, te niveli Expert Control.
Çmimi i lartë i modelit Scarlet ju ofron kualitet të mirë të fotografisë, opsione të shkëlqyera të menysë dhe porte ekstra. Mund të dëgjoni muzikë ose të shikoni fotografi nga USB-të. Nëse vendosni të shtoni një LG Scarlet në dhomën tuaj të ditës, nuk do të zhgënjeheni.

Westinghouse Digital TX-42F30Salt
Vitet e fundit, Westinghouse ka krijuar një treg të përshtatshëm dhe praktik për veten, duke prodhuar HDTV jo të shtrenjtë që ofrojnë kualitet të mirë të fotografisë, por duke lënë anash tiparet e avancuara dhe stilin e sofistikuar që janë të zakonshme për modelet më të shtrenjta. Modeli 42inç TX-42F340S HDTV (1199$) nuk është përjashtim për këtë strategji.
Në testet tona laboratorike, televizori paraqiti fotografi shumë të mirë, duke arritur rezultatin si i Mirë, i njëjtë me LG 42LG60. Nuk e kemi vënë re, por TX-42F630S ka prirje të shtojë ngjyrën e kuqe tek lëkura e njerëzve në TV.
Ajo çka ishte për t’u lavdëruar ishin altoparlantët, të cilët prodhonin zë të mirë edhe kur volumi ngrihej në maksimum.
Telekomanda e bënte shumë të lehtë navigimin nëpër meny dhe gjetjen e opsioneve të dobishme, si rregullimi i zërit dhe fotografisë. Telekomanda ka ndjenjën sikur është e lirë, si shumica e telekomandave të HDTV-ve të lirë, dhe ka një numër butonash që nuk shërbejnë për ndonjë arsye të dukshme. Vlerësova pozitivisht butonat e ndarë për ndërrimin e burimit të sinjalit.
Westinghouse Digital TX-42F30S punon shumë mirë si një HDTV i nivelit fillestar. Nëse nuk jeni merakli për stil dhe tipare ekstra si lidhja me USB, ky model i lirë 42inç do të përmbushë dëshirat tuaja themelore.

 

Lajmet e fundit>