YouTube lëshon programin pilot për kanale me pagesë

May 10 2013
0 Shpërndarje
YouTube lëshon programin pilot për kanale me pagesë

Para pak ditësh ju lajmëruam që Google planifikon të ofrojë shërbime me pagesë për përmbajtjen e disa kanaleve të caktuara në YouTube dhe nuk kaloi shumë kohë që kur u jetësua ky planifikim gjatë ditës së enjte, kur në YouTube u paraqit ky shërbim.

Ky program i lëshuar vjen me 53 kanale abonimi që kanë çmimet duke shkuar nga 1 deri në 10 dollarë në muaj dhe disa kanë edhe ulje të çmimit nëse bëhet abonimi vjetor. Të gjitha kanalet ofrojnë shikim pa pagesë prej 14 ditëve.

Kanalet janë të natyrave të ndryshme televizive, duke filluar nga emisionet televizive dhe filmat, deri tek programet që kanë të bëjnë më tepër me sport, automjete, gatim, shëndet/fitnes, fëmijë etj. Kanalet përfshijnë “Jim Henson Family TV,” “National Geographic Kids,” “UFC Select,” “Comedy.TV,” “Acorn TV,” dhe “Cars.TV”.

Nëse bëhet krahasimi i këtij programi, me shërbimet kabllore, siç duket nuk ka vend për shqetësim nga ata që merren me ofrimin e shërbimeve televizive kabllore, sepse në fakt nuk është ndonjë përmbajtje edhe aq sfiduese sa mund t’i frikësojë me pakësim të shikuesve.

Sidoqoftë, YouTube premton se ky është vetëm fillimi dhe nëse është kështu, atëherë pritet që me kalimin e kohës ta kuptojmë se a do të shkaktojë YouTube pakësim të shikuesve të programeve televizive në mënyrën tradicionale.

Po ashtu pritet të shihet se si do të jetë reagimi i vizitorëve të YouTube. Për ata që tashmë kanë qenë duke paguar për të parë përmbajtje të caktuar në YouTube, kjo mund të mos jetë edhe ndonjë barrë e rëndë për të mos e përballuar financiarisht, por ajo që pritet të shihet është reagimi i vizitorëve të tjerë të cilët kanë qenë duke e shijuar deri tani këtë përmbajtje pa pagesë.

Pritet të shihet edhe nëse do të përhapen aq shumë kanale të tilla, sa të shkaktojnë një antipati tek vizitorët kundër portalit të njohur, pasi jo të gjithë mund të jenë të gatshëm të paguajnë. (PC World Albanian)

youtube

Lajmet e fundit>