Lajmet

Zbulohen disa foto të aplikacionit të ardhshëm të Apple “Healthbook”

Mar 20 2014
0 Shpërndarje
Zbulohen disa foto të aplikacionit të ardhshëm të Apple “Healthbook”

iPhonePrej disa muajsh është diskutuar shumë rreth planeve të kompanisë Apple për përqendrimin e softuerit të ardhshëm iOS 8 ndaj shëndetit dhe aktivitetit fizik. Së fundmi janë zbuluar disa foto të aplikacionit të ri “Healthbook”, i cili do të monitorojë gjithçka duke filluar nga numri i hapave apo presioni i gjakut dhe deri tek mënyra e fjetjes apo konsumi i mjaftueshëm i ujit. Në qoftë se shihni fotot e mëposhtme të siguruara nga 9to5Mac mund të vini re se dizajni është i ngjashëm me atë të aplikacionit “Passbook”, portofoli virtual në iPhone për gjëra të tilla si bileta avioni, kupona etj…

Aplikacioni është i ndarë në disa kategori tek të cilat do të ruhen informacione personale si për shembull ritmi i rrahjes së zemrës, presioni i gjakut, niveli i sheqerit në gjak, gjumi, të dhëna mbi të ushqyerit, gjumin, frymëmarrjen dhe peshën. “Healthbook” do të mundësojë njëkohësisht ruajtjen dhe monitorimin e këtyre të dhënave. Aktiviteti i fundit do të mundësohet nga disa sensorë inteligjentë që pritet të përfshihen tek iPhone-ët e ardhshëm.

Pavarësisht se nuk duket të ketë ndonjë seksion për monitorimin e stresit apo shtatzanisë, ekziston një mënyrë për të matur nivelin e oksigjenit në gjakun e përdoruesit, e dhënë që mund të shërbejë për të informuar mbi cilësinë e frymëmarrjes. Ndërkohë, në një “kartë  urgjence” mund të regjistrohet emri i përdoruesit, trajtimi mjekësor, informacione për doktorin dhe informacione të tjera të rëndësishme të cilat mund të jenë të dobishme në ato raste kur nevojitet urgjencë mjekësore.

Aplikacioni i monitorimit të aktivitetit fizik do të përdoret shumë tek aksesorët e tjerë si Nike+, Fuelband SE dhe Fitbit Force, por aksesimi i të dhënave vitale për shëndetin do të jetë një teknologji relativisht e re për smartfonët. Së fundmi, kompania ka siguruar edhe një patentë për aplikimin e kësaj teknologjie tek smartfonët. Ky lajm nuk është shumë surprizues duke marrë parasysh se gjatë vitit të kaluar Apple punësoi disa ekspertë të shëndetit dhe aktivitetit fizik. (PCWorld Albanian)  

Lajmet e fundit>