Lajmet

13 vjeçarja gjeni nga Gjakova Fiona Meqa me krijimin e saj i bën shtëpitë “inteligjente”

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 03 Maj 2019
0
"Shtëpia e zgjuar", është një nga realizimet e Fionës që synon të lehtësojë jetesën e çdokujt prej nesh duke mundësuar realizimin automatik të shumë funksioneve të një shtëpie. 13 vjeçarja gjeni nga Gjakova Fiona Meqa me krijimin e saj i bën shtëpitë “inteligjente”

Në edicionin e 7-të të Albanian ICT Awards një vajzë 13 vjeçare nga Gjakova, Fiona Meqa, triumfoi në kategorinë Ylli në Ngritje.

Fiona është 13 vjeç, nxënëse në klasën e 7-të të shkollën Fehmi Agani në Gjakovë me njohuri të shkëlqyera në teknologji, IoT, Arduino, Ultimaker e shumë të tjera.

Ajo është gjithmonë në kërkim të sfidave kreative të të nxënit, zhvillim të ideve inovative dhe aplikimin e tyre në projekte praktike, duke u bërë një fëmijë model për gjeneratën e saj.

“Shtëpia e zgjuar”, është një nga realizimet e Fionës që synon të lehtësojë jetesën e çdokujt prej nesh duke mundësuar realizimin automatik të shumë funksioneve të një shtëpie.

Sistemi është i aksesueshëm përmes një aplikacioni mobil dhe është në gjëndje të bëjë aktivizimin e ngrohjes, ndezjen dhe fikjen e dritave, duke realizuar përdorimin efikas të energjisë elektrike duke ulur shkëlqmin e dritave gjatë ditës dhe rritur atë gjatë natës.

Në kategorinë ICT Ylli në Ngritje ajo garoi me Ardit Xhaferin nga Kosova me Projektin GIVE, Daniel Doci nga Shqipëria me projektin Virtual Reality Driving Stimulator (VRDS) dhe Jasir Idriz nga Maqedonia Veriore me projektin Creating a website for faculties.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, dorëzoi çmimin Fionës dhe tha “se evente të tilla, janë moment reflektimi për ne të rritur dhe frymëzimi për të rinjtë të cilët po ndërtojnë modele.”

Ai tha se këta modele të rinjsh gjithashtu na bëjnë më të përgjegjshëm për të parë se çfarë është më e rëndësishme për të ardhmen siç është teknologjia dhe inovacioni.

Albanian ICT Awards finalizoi ediconin e 7-të mbrëmjen e së Martes me prezencën e mbarë komunitetit të teknologjisë, përfaqësuesve të lartë të institucioneve nga Shqipëria dhe Kosova pas një maratone mëse 90 ditore në kërkim, identifikim dhe promovim të këtyre talentëve të vegjël që i flasin të ardhmes me kurajo. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Lenovo prezantoi laptopët e parë me procesorët Intel të gjeneratës së 8-të

Lajmet e fundit>