Lajmet

46% e linjave të internetit fiks në shtëpi ofrohet përmes fibrës optike

Nga: PCWorld
Publikuar , 27 Korrik 2021
Vodafone spikati për rritjen e madhe me 28% të numrit të pajtimtarëve gjatë vitit të kaluar ku edhe u realizua kalimi i ABCom në pronësi të operatorit celular më të madh në vend. 46% e linjave të internetit fiks në shtëpi ofrohet përmes fibrës optike

Në 2020-ën numri i pajtimtarëve me akses në internet broadband fikse kapërceu shifrën e 500 mijë, një rritje me 17% krahasuar me 2019-ën dhe thuajse dyfishuar krahasuar me 2016-ën sipas raportit më të fundit vjetor publikuar nga AKEP.

Vitin e kaluar ALBtelecom ishte ofruesi më i madh i internetit fiks me 128 mijë pajtimtarë, ndjekur nga Vodafone (ABCom) me 95 mijë pajtimtarë, Tring me 58 mijë pajtimtarë dhe Abissnet me 41 mijë pajtimtarë.

Vodafone spikati për rritjen e madhe me 28% të numrit të pajtimtarëve gjatë vitit të kaluar ku edhe u realizua kalimi i ABCom në pronësi të operatorit celular më të madh në vend.

Situata nuk u paraqit e mirë për ALBtelecom që pati një tkurrje me 5 mijë abonentë. Megjithatë zotëron rreth 25% të tregut ndërsa Vodafone ( ABCom) 19% dhe Tring 12%.

Rritje të madhe ka shënuar kategoria operatorë të tjerë ku janë më shumë se 144 mijë pajtimtarë. Penetrimi i internetit fiks është rritur gjithashtu në 17.8% për popullsi dhe 70% për familje.

Tirana dhe Korça kanë penetrimin më të lartë të internetit me 40% dhe 27%. Teknologjia kryesor e aksesit broadband është FTTH/FTTB ndjekur nga DSL që është një miks i FTTN/FTTC. Lidhje me fibër optike në Shqipëri përbëjnë 46% të totalit, një rritje me 14% krahasuar me 2019-ën.

Linjat DSL kombinuar me fibër optike përbëjnë 30%, linjat kabllore 18%, linjat bakri 3% dhe llojet e tjera 3%. Në 2020-ën 43% e pajtimtarëve kishin internet me shpejtësi 10 deri në 30Mbps.

Por rritjen më të madhe e kishte segmenti 30-100Mbps. AKEP thekson se në 2020-ën numri i atyre që kishin internet me shpejtësi mbi 100Mbps u trefishua në 15,400 nga 6,500 që ishte një vit më parë. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Rritje ndjeshëm konsumi i internetit celular në Shqipëri