Biznes

4iG kërkon zyrtarisht autorizimin e Autoritetit të Konkurrencës për blerjen e Albtelecom

Nga: PCWorld
Publikuar , 13 Janar 2022
Duke qenë se bëhet fjalë për një treg strategjik, dhënia e miratimit nga AKEP përfshin edhe konsiderata politike, të lidhura me profilin dhe prejardhjen e investitorit. Për arsye të këtij lloji, qeveria shqiptare bllokoi në vitin 2018 shitjen e operatorit Telekom Albania (sot ONE) te Telekom Srbija. 4iG kërkon zyrtarisht autorizimin e Autoritetit të Konkurrencës për blerjen e Albtelecom

Kompania hungarez, 4iG, ka kërkuar zyrtarisht nga Autoriteti i Konkurrencës autorizimin për blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve në Albtelecom. Kërkesa është depozituar zyrtarisht pranë këtij institucioni në fund të muajit dhjetor dhe palët kanë njfotuar arritjen e marrëveshjes për shitjen e 80.27% të kapitalit aksionar të shoqërisë Albtelecom nga konsorciumi turk CETEL tek 4iG.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit paraprak, Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se transaksioni i njoftuar është në përputhje me kërkesat e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros. Rrjedhimisht, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Duke qenë se kompania blerëse, 4iG, nuk ka aktivitet në tregun shqiptar, transaksioni nuk sjell përqendrim të tregut dhe në këtë rast nuk pritet që të ketë pengesa për marrjen e autorizimit të Autoritetit të Konkurrencës. Megjithatë, në muajin dhjetor 4iG njoftoi edhe arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e operatorit tjetër të komunikimeve të lëvizshme, One Telecommunications. Blerja e ONE do të sjellë përqendrim të tregut të komunikimeve celulare, duke e ulur numrin e operatorëve të tregut në dy, nga tre që janë aktualisht. Rrjedhimisht, ky transaksion do të kërkojë një analizë të efekteve të përqendrimit në konkurrencën brenda tregut përkatës. Nëse të dy transaksionet autorizohen nga Autoriteti i Konkurrencës, 4iG do të bëhet aktori më i madh në tregun e telekomunikacioneve në Shqipëri, duke lënë pas edhe Vodafone Albania. Autorizimi nga Autoriteti i Konkurrencës është një nga dy miratimet e domosdoshme ligjore për shitjen e Albtelecom te kompania hungareze.

Miratimi tjetër duhet të jepet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për arsye se Albtelecom zotëron një autorizim individual për për përdorimin e frekuencave.

LEXO EDHE:  Linja iPhone 13 do të ketë një variant 1TB

Në këto raste, dispozitat e autorizimit individual të parashikuara në ligjin “Për komunikimet elektronike” ndalojnë transferimi e së drejtës për përdorimin e frekuencës në një sipërmarrës tjetër, në rast se për këtë nuk është dhënë, paraprakisht, miratimi nga AKEP.

Duke qenë se bëhet fjalë për një treg strategjik, dhënia e miratimit nga AKEP përfshin edhe konsiderata politike, të lidhura me profilin dhe prejardhjen e investitorit. Për arsye të këtij lloji, qeveria shqiptare bllokoi në vitin 2018 shitjen e operatorit Telekom Albania (sot ONE) te Telekom Srbija.

Në rastin konkret, besohet se kompania hungareze ka marrë paraprakisht miratimin e qeverisë shqiptare para se të zyrtarizonte arritjen e marrëveshjeve për blerjen e Albtelecom dhe ONE.

4iG në dy vitet e fundit po ndjek një politikë të ekspansionit të shpejtë në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore. Vitin e kaluar, ajo mbylli edhe blerjen e operatorit më të madh të telekomunikacioneve në Mal të Zi, Telenor Montenegro. /Monitor