Biznes

5G ka kosto të lartë për tu implementuar në Shqipëri

Nga: PCWorld
Publikuar , 11 Mars 2021
Duke marrë në analizë disa vende në zhvillim dhe me të ardhura të mesme, studimi arrin në përfundimin se teknologjia 5G mund të ketë avantazhe ekonomike për mbulimin universal me internet vetëm për ato shtete ku mbulimi me rrjete 4G i popullsisë është në nivele të ulëta. 5G ka kosto të lartë për tu implementuar në Shqipëri

Për Shqipërinë, teknologjia 4G mund të jetë një zgjidhje më eficiente për mbulimin e plotë të popullsisë me internet broadband krahasuar me teknologjinë 5G.

Ekspertë të Bankës Botërore kanë përgatitur një studim që vlerëson kostot e mbulimit universal me internet me brez të gjerë, në varësi të teknologjisë së përdorur. Studimi arrin në përfundimin se, për vendet si Shqipëria, që kanë tashmë një mbulim të lartë të popullsisë me rrjete 4G, mbulimi universal duke përdorur këtë teknologji do të ishte më i leverdisshëm.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, të përdorura në studim, Shqipëria ka një mbulim të popullsisë me rrjet 4G në nivelin 96%. Kostot janë llogaritur mbi disa skenarë, që marrin në konsideratë zgjidhje të ndryshme teknike dhe nivele të ndryshme të shpejtësisë së synuar të rrjeteve.

Në skenarin optimal, sipas të cilit synohet një shpejtësi 400 megabit për sekondë (Mbps) në zonat urbane me dendësi të lartë, ekipi i BB përllogarit se për Shqipërinë duhet një investim mes 250 dhe 340 milionë dollarë për mbulim universal me rrjet 4G. Investimi prej 250 milionë dollarësh i referohet skenarit kur rrjeti ndërtohet vetëm mbi infrastrukturë të lëvizshme, ndërsa kostot mund të arrijnë deri në 340 milionë dollar nëse ky rrjet mbështetet nga një infrastrukturë fibre optike.

Në rastin e teknologjisë 5G, mbulimi universal me internet do të kërkonte një investim prej të paktën 320 milionë dollarë për një infrastrukturë ekskluzivisht të lëvizshme, por do të arrinte deri në 710 milionë dollarë në rast se përdoret mbështetja me fibër optike.

Vlerat e investimeve janë më të ulëta në rast të skenarëve që parashikojnë shpejtësi rrjeti më të ulët. Por, duhet thënë se skenari optimal i mësipërm është i vetmi që plotëson objektivat e përcaktuara nga Komisioni për Internetin me Brez të Gjerë i Kombeve të Bashkuara, që përcakton një shpejtësi prej të paktën 10 Mbps në zonat rurale.

LEXO EDHE:  Android 12 do të lejojë instalimin e aplikacioneve jashtë Play Store

Edhe për skenarët që parashikojnë një shpejtësi më të ulët, sidoqoftë, teknologjia 4G është më e leverdisshme, madje në këto skenarë avantazhi në kosto i 4G është shumë më i thellë.

Megjithatë, teknologjia 5G mund të bëhet e leverdisshme në një skenar kur operatorët do të ndërtonin një infrastrukturë rrjeti të përbashkët, në vend që të ngrinin secili rrjetin e vet në mënyrë të pavarur. Shkalla e kursimit do të varej nga niveli i përdorimit të përbashkët të infrastrukturës dhe kostot e investimit mund të uleshin deri në 70%, nëse operatorët do të pëdornin rrjete plotësisht të përbashkët në zonat rurale.

Një zgjidhje e tillë do të ulte ndjeshëm kostot e investimit, por, sipas ekspertëve, mund të sillte ndikime negative afatgjata për sa i takon konkurrencës. Ulja e trysnive konkurruese mund të krijojë rënie graduale të eficiencës, duke bërë që përfitimet ekonomike në kohë të bien gradualisht.

Duke marrë në analizë disa vende në zhvillim dhe me të ardhura të mesme, studimi arrin në përfundimin se teknologjia 5G mund të ketë avantazhe ekonomike për mbulimin universal me internet vetëm për ato shtete ku mbulimi me rrjete 4G i popullsisë është në nivele të ulëta.

Qeveria shqiptare kishte parashikuar të tenderonte frekuencat e para për teknologjinë 5G qysh vitin e kaluar, por kjo nuk ndodhi. Në mungesë të shpjegimeve zyrtare, mund të supozohet se shtyrja është ndikuar nga kriza e lidhur me pandeminë dhe ndoshta nga nevoja për analiza të mëtejshme lidhur me përdorimin e teknologjisë më të re. Megjithatë, një faktor që duhet marrë në konsideratë është edhe rënia e ndjeshme e të fitimeve të operatorëve celularë në vitet e fundit. Kjo ka ulur fuqinë investuese të kompanive, përfshi edhe gatishmërinë për të paguar marrjen në përdorim të frekuencave të reja. Në vitin 2019, qeveria shqiptare arriti të japë vetëm dy nga tre të drejta përdorimi të parashikuara në brezin 800 Mhz.

LEXO EDHE:  Frekuencat 700 MHz për teknologjinë 5G vetëm në 2022

Pavarësisht se të dhënat zyrtare pretendojnë një mbulim prej 96% të popullsisë me rrjete 4G, ky mbulim ndryshon shumë mes operatorëve të ndryshëm, madje shpesh edhe në qendrat më të mëdha urbane cilësia e shërbimit lë shumë për të dëshiruar. Implementimi i teknologjisë 5G ndoshta mund ta thellojë avantazhin e operatorëve që kanë një fuqi më të madhe tregu dhe më shumë mundësi për të investuar në frekuenca dhe në infrastrukturë rrjeti.

/E.Shehu Monitor