Biznes

70 miliardë dollarë janë injektuar në Bitcoin në 30 ditët e fundit

Nga: PCWorld
Publikuar , 28 Janar 2021
Në 2017-ën çmimi i bitcoin u rrit me shpejtësi në vetëm tre muaj për të kulmuar në Dhjetor në 20 mijë dollarë, një trend i nxitur kryesisht nga investitorë të vegjël. 70 miliardë dollarë janë injektuar në Bitcoin në 30 ditët e fundit

Sasia totale e kapitalit të hyrë në bitcoin gjatë 30 ditëve të fundit është aq e lartë sa tërë vlera e tregut e monedhës nga Shtatori 2017 deri në fillim të 2019-ës sipas të dhënave të publikuara nga Glassnode.

Bashkëthemeluesi i Glassnode dhe CTO i kompanisë Rafael Schultze-Kraft, në një cicërimë në rrjetin social Twitter tha se përllogaritet që paratë e hyra në drejtim të bitcoin janë afro 70 miliardë dollarë në vetëm 1 muaj.

Në 2017-ën çmimi i bitcoin u rrit me shpejtësi në vetëm tre muaj për të kulmuar në Dhjetor në 20 mijë dollarë, një trend i nxitur kryesisht nga investitorë të vegjël. Tani të dhënat e Glassnode tregojnë se interesi vjen nga institucione të cilat kanë pompuar miliarda dollarë në kriptomonedhë ose si aset rezervë ose si një mbrojtjen ndaj inflacionit monetar.

Rritja deri në 42 mijë dollarë është lidhur ngushtë me përfshirjen e korporatave dhe institucioneve, gjë që shihet mjaft pozitive nga analistët. Aktualisht vlera totale e bitcoin kalon 1 trilionë dollarë.

Pavarësisht euforisë, çmimi i bitcoin tashmë është tërhequr nën 30 mijë dollarë ndërsa nuk kanë munguar zërat për një flluskë të dytë. Bitcoin ka hasur në vështirësi për tu rikthyer në nivelet e mbi 40 mijë dollarëve dhe për momentin sillet mes 31 mijë dhe 37 mijë dollarë.

Analisti në zë i Etoro Simon Peters thotë se rënia e bitcoin në ditët e fundit nuk ka lidhje me një flluskë. Ai beson se kërkesa dhe interesi nga investitorë të mëdhenj korporatave do të parandalojnë rënien e tij.

Peters parashikon që deri në fund të vitit bitcoin do të arrijë në 70 mijë dollarë. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Sekretari Amerikan i Shtetit: Rusia pas sulmeve të fundit kibernetike