Lajmet

A mund të parashikojë fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, Facebook-u?

Publikuar , 22 Nëntor 2010
0
A mund të parashikojë fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, Facebook-u?

Sot, rrjetet sociale si Facebook (mbi 500 milion përdorues) apo Twitter (mbi 200 milion përdorues) konsiderohen vegla moderne të komunikimit, dhe përveç formës së zakonshme të përdorimit të tyre, ato gjejnë përdorim edhe tek partitë apo kandidatët politik të cilët i konsiderojnë si mjete të fuqishme komunikuese me masën. Kjo u argumentua edhe në fushatën elektorale presidenciale të Barack Obamas, preisdentit të tanishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast u mobilizuan me mijëra qytetarë amerikanë. Dhe e njëjta ndodhi sërish edhe këtë vit me zgjedhjet e radhës në SHBA.

Deri diku mund të thuhet pak a shumë e njëjta frymë edhe për protagonistët e skenës politike në Kosovë, të cilët pavarësisht ndryshimeve moderne, ende e konsiderojnë formë klasike të komunikimit “sy-me-sy” si mjetin më të fuqishëm për të fituar votën e qytetarit.

Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe për një afat të shkurtë kohor të përgatitjes për të dalë para elektoratit, partitë e reja po përdorin të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion për të zgjeruar komunikimin. Në mesin e 29 subjekteve politike të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), veçohen partia e re “Fryma e Re (FER)” dhe “Lëvizja Vetëvendosje” si dy prej partive më aktive në Facebook. Që të dy kanë faqe aktive zyrtare përmes të cilave njoftojnë “përcjellësit”  rreth aktiviteteve ditore, postojnë fotografi nga tubime me qytetarë, video, etj.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 62,952 pëlqime dhe është e para për sa i përket numrit të pëlqimeve. Pas saj renditet Partia Fryma e Re (FER) me mbi 18,120 pëlqime, AKR me 5,788, PDK me 4,142, LDK me 1,954, KDTP me 1,496, dhe pastaj partitë tjera më të vogla (partitë apo kandidatët nga minoriteti Serb apo Romë nuk kanë ndonjë faqe zyrtare në Facebook). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë kanë grupe zyrtare në Facebook, të cilat numërojnë 2,145 anëtarë, respektivisht 800 anëtarë.

Duhet theksuar se në rrjetet sociale kanë profil zyrtar edhe disa prej kandidatëve të partive politike aktive në Kosovë. Behgjet Pacolli për shembull është njëri prej figurave më aktive në Facebook me mbi 38,882 pëlqime, pastaj pas tij është një kandidate tjetër nga po e njëjta parti (AKR), Mimoza Kusari-Lila me 38,578 pëlqime, dhe pasojnë figura si Fatmir Limaj me mbi 7,085 pëlqime, Fatmir Sejdiu (nuk dihet a është zyrtare) me 10,481 pëlqime, etj. Zyrtarët e lartë të Kosovës në anën tjetër kanë profile e faqe të ndryshme të hapura në këto rrjete sociale por asnjëra prej tyre nuk është zyrtare. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, etj asnjëri nuk kanë ndonjë faqe zyrtare. Në anën tjetër vlen të theksohet se shumë prej anëtarëve të Partisë FER veçse janë aktiv me profile personale ne Facebook si Shpend Ahmeti, Ilir Deda, Qëndrim Gashi, Linda Shala, etj, gjë që e bënë këtë parti të dallueshme prej partive tjera në aspektin e shfrytëzimit të veglave moderne të komunikimit.

Partia Numri i pëlqimeve në faqen zyrtare në Facebook
Lëvizja Vetëvendosje 62,952
Partia Fryma e re – FER 18,120
Aleanca Kosova e Re – AKR 5,788
Partia Demokratike e Kosovës – PDK 4,142
Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK 1.954
Kosova Demokratik Turk Partisi 1,496
Partitë nga minoriteti serb nuk kanë faqe zyrtare
Partitë nga minoriteti romë nuk kanë faqe zyrtare

Vini re: Rezultatet janë të datës 22.11.2010 dhe mund të ndryshojë vazhdimisht.Disa faqe mund të mos jenë zyrtare

Partia Numri i anëtarëve në grupin zyrtar
Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK 4.823 anëtarë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK 2.145 anëtarë
Lidhja Demokratike e Dardanisë – LDD 800 anëtarë

Vini re: Rezultatet janë të datës 22.11.2010 dhe mund të ndryshojë vazhdimisht. Disa grupe mund të mos jenë zyrtare


Por duhet pasur parasysh se rrjete sociale janë rrjete sociale dhe pavarësisht se mund të kenë ndikimin e vet, ato jo domosdoshmërisht përcaktojnë fituesin. Në lidhje me ndikimin e Facebook në jetën politike dhe me shfrytëzimin e veglave moderne të komunikimit me masën, PCWorld Albanian realizoi intervista me dy kandidatë potencial për kuvendin e Kosovës, z. Fisnik Ismaili nga Partia Fryma e Re dhe znj. Meliza Haradinaj nga AAK, të cilat mund t’i lexoni në vazhdim.


Fisnik Ismaili - FERPCWA: Cila ka qenë forma e parë që është marrë në shqyrtim për promovimin e Partisë Fryma e RE?
Fisniku: Meqenëse Partia Fryma e Re u krijua ne rrethana paksa te jashtëzakonshme dhe me një afat shumë të shkurtër kohor për t’u prezantuar në publik, padyshim se Facebook ishte një prej formave të para dhe më të shpejta për ta njoftuar publikun për subjektin e ri politik që u fut në lojë.  Tjetra, natyrisht, është televizioni, që është mediumi që përparësi e ka penetrimin në publik (90% të Kosovës shohin TV), por mangësi e ka kohën dhe sasinë e informatave që mund të prezantohen aty.

PCWA: Pse me Facebook? Inspirim nga vendet e huaja, modernizim apo diçka tjetër?

Fisniku: As njëra, as tjetra. Thjesht, sepse Facebook është mënyra më e lehtë, më e lirë dhe më e shpejtë për ta informuar një numër të madh njerëzish për çfarëdo qoftë, posaçërisht në rastin e Frymës së Re, ku shumë anëtarë të ekipit kanë shumë shokë në këtë rrjet social, të cilin e përdorin aktivisht tash disa vjet. Natyrisht se, duke qenë rrjet social i përdorur shumë në Kosovë, edhe promovimi nëpërmjet Facebook-ut e meriton vëmendjen e veçantë si dhe “hyzmetin” që të gjitha partitë politike në Kosovë e bëjnë, e posaçërisht këto të rejat, të cilat dëshirojnë votën nga përdoruesit e këtij rrjeti,

LEXO EDHE:  Më 29 Nëntor Open Data Kosovo organizon analizën "Qeverisja e Hapur e Pushtetit Ekzekutiv në rajon dhe në Kosovë"


PCWA:A mendoni se përmes këtij rrjeti social qe ka mbi 500 milion anëtare mund të njoftoni më se miri qytetarin e Kosovës?

Fisniku: Jo. Facebook nuk është mënyra më e mirë për ta njoftuar më së miri qytetarin e Kosovës, sepse ka shumë njerëz që nuk e përdorin atë, apo thjesht, nuk iu bie në sy informata që ne mundohemi ta përçojmë. Facebook është vetëm një prej mjeteve të ndryshme të promovimit, që përfshijnë materialet e shtypura, ato promocionale, televizionin, radion, billboard-at, ueb faqet, etj. Por, duke e marrë parasysh kohën e shkurtër, koston edhe pamundësinë të bëhet fushatë para 1 dhjetorit (që pamundëson billbordet, TV reklamat dhe format tjera të promovimit) Facebook është treguar mjet shumë efikas për ta përçuar informatën te një pjesë e mirë e elektoratit, duke mundësuar interaksion me votuesin potencial dhe duke mundësuar futjen e informatave të ndryshme pa shpenzime, përpos atyre kohore.

PCWA: A mendoni se Facebook mund  ta zëvendësoj komunikimin direkt me qytetarin?
Fisniku: Facebook mund të përdoret vetëm si mjet plotësues për ta informuar qytetarin më mirë për ideologjinë, aktivitetet dhe parimet e një partie. Shumë njerëz nëpër botë thonë se rrjetet sociale e kanë zvogëluar kontaktin direkt ndërmjet njerëzve, që deri diku është e vërtetë, por në asnjë mënyrë nuk mundet ta zëvendësojë komunikimin direkt “fytyrë më fytyrë”, i cili është i domosdoshëm për ta fituar zemrën e një votuesi, meqë janë disa gjëra të rëndësishme që Facebook nuk i tregon aq mirë – emocionet. Janë sinqeriteti, dëshira për të bërë mirë, dashuria, komunikimi i dyanshëm dhe elementet tjera të ngjashme që “lexohen” më së miri vetëm gjatë takimeve fizike në mes dy apo më shumë njerëzve. Partia FER, përveç ueb faqes së saj dhe faqes në Facebook, komunikon online me qytetarin edhe nëpërmjet YouTube, Twitter si dhe metodën më tradicionale, nëpërmjet email-it.

PCWA: Cilat janë statistikat e “likes” ditor të faqes së FER në Facebook dhe a mendoni se kjo në ndonjë mënyre do të thotë se ata që pëlqen faqen e FER do të votojnë për të?
Fisniku: Dy-tri ditët e para, natyrisht, e kanë pas hovin më të madh të “like”-ave, duke e bërë më vonë një konstantë prej nja 400 “like”-ave në ditë mesatarisht, përpos në ditët që ka ndodhë ndonjë aktivitet i posaçëm, si prezantimi i anëtarëve të ri apo fotove të ndryshme. Facebook faqja e Frymës së Re tani numëron gati 18,000 “likes”, të cilët nuk janë medoemos votues të FER. Do të ishte shumë e bukur sikur të ishin, por realiteti është më ndryshe. Po të numëroheshin kështu votuesit, atëherë FER do të ishte partia e dytë më e madhe në Kosovë, akoma pa u futur në zgjedhje. Mbase kjo mund të jetë edhe realitet, do ta marrim vesh pas 12 dhjetorit, por tani për tani vetëm mund të identifikojmë një numër të madh të votuesve që janë të gatshëm të votojnë FER, prej komenteve të tyre dhe interaksionit të vazhdueshëm që e bëjnë në faqen e Partisë fryma e Re.

PCWA: Përveç Facebook, FER se fundi shpalosi edhe ueb faqen e saj, si po shkon puna deri tash?

Fisniku: Facebook ka qenë nisma e prezencës së Frymës së Re në internet, duke evoluar në ueb faqen e saj, e cila mori pak kohë derisa u kompletua, dhe e cila tani përmban komplet programin e partisë, një numër të madh të anëtarëve dhe informata tjera, si lajme, aktivitete, paraqitje nëpër media dhe publikime të vetë produkteve promocionale të Frymës. Dy ditët e para në ueb faqe kanë treguar mbi 15 000 vizita, dhe, për ta mbajtur në këtë numër, duhet të plotësohet dhe përditësohet vazhdimisht dhe njëkohësisht të ndërlidhet me Facebook, në mënyrë që t’i mbajë të informuar edhe anëtarët brenda FB faqes së FER.

LEXO EDHE:  Prodhuesit e mëdhenj të makinave, optimistë për makinat elektrike

PCWA: A mendoni se rrjetet sociale janë mjetet me të fuqishme që i kemi sot përballë qytetarit?
Fisniku: Asgjë nuk do të mund ta zëvendësojë interaksionin në mes njerëzve që komunikojnë fizikisht ballë për ballë. Për këtë arsye rrjetet sociale nuk do të mund të jenë mjetet më të fuqishme përballë qytetarit, por gjithsesi do të mbeten mjete shumë efektive për të komunikuar me qytetarin më lehtë e më mirë. Për shembull, dje, pas tubimit te FER në Prishtinë, në një bashkëbisedim me qytetarë, një person që ka qenë mjaft aktiv në faqen e FER, na u afrua dhe tha “Tani jam bindë se ju jeni me të vërtetë ata që i shihja nëpër foto dhe më dukeshin tepër të mirë për t’u besuar.” Ky lloj komunikimi, i sinqerte dhe emocional është pikërisht ai që në fund ia konfirmon votuesit potencial se një parti apo tjetër është zgjedhja më e mirë për të.

PCWA: Diçka për fund?
Fisniku: Në këtë botë kaq dinamike, ku koha është luks dhe informatat kurrë më shumë e më shpejt nuk janë servuar, rrjetet sociale janë një mjet plotësues i ndodhive që njeriu mund t’i humbë nga mungesa e kontaktit të mjaftueshëm fizik me shokët dhe të afërmit. Edhe pse nganjëherë ato vetë dinë të jenë edhe shkak i humbjes së panevojshme të kohës, duke servuar më shumë informata se që i duhen njeriut, por të cilat iu marrin kohë për ti parë/lexuar nga kureshtja, rrjetet sociale tashmë janë bërë pjesë e pashmangshme e jetës, duke iu referuar në diskutime të përditshme, thashetheme, e madje edhe lajme ne radio dhe TV, në mbarë botën.


Meliza Haradinaj, anëtare e AAK dhe kandidate për Kuvendin e Kosovës, ndan gjithashtu mendim të ngjashëm në lidhje me shfrytëzimin e rrjeteve sociale për komunikim me qytetarin:

LEXO EDHE:  Numri që përdorni për verifikimin me dy faktorë në Facebook nuk është privat

Meliza Haradinaj - AAK

PCWA:  A mendoni se rrjetet sociale si Facebook, Twitter etj janë sot mjetet më të fuqishme për të komunikuar me qytetarin? Dihet se shumica e popullsisë në Kosove nuk ka qasje ne internet por pavarësisht kësaj këto shume parti, sidomos partitë e reja po i shfrytëzojnë ato për t’i njoftuar qytetaret ne lidhje me më të rejat.

Meliza:
Rrjetet sociale elektronike si Facebook apo Twitter konsiderohen sot si mjete shume të fuqishme për të përçuar mesazh brenda sekondës tek miliona njerëz përnjëherë. Sot dihet botërisht se Facebook dhe Twitter ishin mjetet më të përdorura nga fushata presidenciale e Barack Obamës – presidentit aktual të SHBA-ve, të cilat thuhet se mobilizuan me mijëra qytetarë amerikanë.
Përkundër faktit se shumica e popullsisë në Kosovë nuk kanë qasje në internet, mendoj se përqindja që zë rinia në Kosovë është shumë e lartë, dhe besoj se më shumë se 90% e rinisë janë prezentë në këto rrjete sociale. Prandaj besoj fuqishëm se kjo është një metodë shumë e përshtatshme për të komunikuar me qytetarët, e cila edhe mund të sinjalizojë deri diku ndarjen e elektoratit.

PCWA: A është grupi ne Facebook grup zyrtar i AAK-së? Dhe pse nuk ka AAK një faqe zyrtare (profil) përmes së cilës do të njoftoj opinionin për aktivitetet e saja?
Meliza:  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ende grup/faqe zyrtare në Facebook, por shumica e kandidatëve kanë profilet e tyre personale, të cilat përdoren edhe për komunikim me qytetarë. Megjithatë, njoftimet publike bëhen vazhdimisht përmes emailit (mailing listës) e cila u shpërndahet medieve të shkruara, televizive dhe atyre elektronike.

PCWA: Ju gjithashtu keni një faqe zyrtare përmes se cilës promovoni emrin tuaj si kandidat pretendent për Kuvendin e Kosovës? A mendoni se mund te depërtoni tek të rinjtë përmes Facebook për t’ju përkrahur juve dhe partinë tuaj?
Meliza: Faqja ime zyrtare është hapur që nga zgjedhjet e kaluara lokale, në vitin 2009, kur unë u kandidova për herë të parë. Edhe pas zgjedhjes sime si deputete në Kuvendin Komunal të Prishtinës, unë vazhdova të përdorë faqen time zyrtare në baza ditore për të komunikuar me qytetarët, për të marrë mendim, kritikë, sugjerim, apo kërkesë. Më ndihmoi shumë, dhe të gjitha komentet që morra aty nga qytetarët i kam paraqitur gjatë mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe shumica e tyre janë pranuar.

Tani edhe për kandidimin tim të radhës për deputete në Parlamentin e Kosovës po e përdorë fuqishëm, në radhë të parë për të mobilizuar rininë që të dalë masovikisht në votime, e pastaj për t’i njoftuar ata se edhe unë jam një nga kandidatet për të cilën ata mund të votojnë në këto zgjedhje. Rinia është mjaft aktive në Facebook, prandaj duke u bazuar në përgjigjet e tyre dhe reaksionin pozitiv, ashtu edhe e përdorë.

PCWA: A do të ishte e drejt të thuhet se ato parti që kane më së shumti adhurues në Facebook do të kenë primatin në zgjedhje? Dihet se “Like” mund t’i bësh të gjitha partive dhe në fund para kutisë të votosh për tjetër kënd… por çfarë mendoni ju, a luan rol sa numër te adhuruesve ka një parti?
Meliza:  Nuk mund te thuhet plotësisht kështu, mirëpo është një sinjal i mirë për të segmentuar elektoratin, dhe me një fjalë është si një lloj sondazhi që tregon se nga vijnë votuesit e tu.

PCWA: Nëse keni diçka për të shtuar?
Meliza: Ju bëj thirrje gjithë rinisë që të dal në votime sa më masovikisht, për të treguar fuqinë tonë politike, dhe për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje.

Lajmet e fundit>