Biznes

Adam Dunlop: PTK ka pasur një vit të rëndësishëm të suksesit

Publikuar , 19 Shkurt 2010
0
Adam Dunlop: PTK ka pasur një vit të rëndësishëm të suksesit

Gjatë një takimi në Londër me Bordin e Drejtorëve të PTK-së ai ka thënë se janë diskutuar shumë çështje që kanë të bëjnë më bashkëpunimin strategjik të PTK-së me kompanitë ndërkombëtare të telekomunikacionit.

“Ne jemi takuar me Bordin e Drejtorëve të PTK-së dhe iu kemi ofruar atyre një pasqyrë të përgjithshme të operacioneve të Cable & Wireless dhe Monako Telecom. Ne gjithashtu diskutuam hapat e ardhshëm që do të ndërmerren për të zbatuar marrëveshjen e re, veçanërisht lidhur me ofrimin e shërbimeve të reja për PTK-në nga ana e Monako Telecom-it”, është shprehur Adam Dunlop.

Rreth dy muaj më parë, Monaco Telecom International, pronar i të cilës është Cable and Wireless International, ka nënshkruar një kontratë të re me PTK-në, me anë të së cilës vazhdohet ofrimi i shërbimeve të reja, për të zhvilluar ofertën konkurruese të PTK-së për konsumatorët në Kosovë, duke përfshirë: shërbime me vlerë të shtuar, të tilla si: SMS mirëseardhjeje, shërbime firewall, menaxhimi i roaming, shërbime drejtuese dhe shërbime të përmbajtjes mobile.

Zyrtari përgjegjës për zhvillim të CWI-së ka thënë se përfitimet e PTK-së nga kjo kontratë kanë të bëjnë me ndihmën për zhvillimin e mëtejshëm të PTK-së. “Ne jemi të sigurt se shërbimet e reja do të jenë të dobishme për PTK-në dhe konsumatorët e saj. Shërbimet e reja, të ofruara nga Monako Telekom, nën udhëheqjen e drejtorit të ri z. Reda El-Mejjad, do të përfshijnë: 1) parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit, 2) shërbimet me vlerë të shtuar në SMS dhe roaming, dhe 3) përmbajtje të re për konsumatorët e telefonisë mobile të PTK-së, etj”, ka potencuar Adam Dunlop.

Ai gjithashtu ka vlerësuar lart bashkëpunimin e ngushtë me menaxhmentin aktual të PTK-së e sidomos me kryeshefin ekzekutiv dr. Shyqyri Haxha, dhe se ky bashkëpunim; sipas tij ka sjell zhvillime pozitive për kompaninë. “Unë mendoj se arritja e 1 milion konsumatorëve, në rrjetin Vala të PTK-së, është një arritje e konsiderueshme. Unë gjithashtu mendoj se marrëveshja e re do të jetë e dobishme për PTK-në dhe konsumatorët e saj. Ne jemi shumë të kënaqur që të qëndrojmë partner i PTK-së dhe të ndihmojmë kompaninë në zhvillimin e shërbimeve të saj”, ka deklaruar Dunlop duke shtuar se ndihet i kënaqur që vazhdon partneritetin me PTK-në.

LEXO EDHE:  Autoritetet Gjermane ndalojnë shitblerjen e aksioneve të huazuara në Wirecard

I pyetur nëse është koha e duhur për privatizimin e PTK-së, z. Dunlop ka theksuar se privatizimi është një hap i rëndësishëm për kompaninë dhe për Qeverinë e Kosovës. “Autoritetet në Kosovë do të duhej të vendosin lidhur me këtë çështje. Vendimi lidhur me kohën, i përket Bordit të Drejtorëve të PTK-së dhe aksionarëve të PTK-së në Qeveri.

Siç ka deklaruar kohët e fundit Lord George Robertson, këshilltar special në Cable & Wireless, është e rëndësishme që procesi të jetë i hapur dhe transparent. Ka gjasa që të vijnë investitorë të ndryshëm dhe të shprehin interesimin e tyre, në qoftë se ofrohet shumica e aksioneve të PTK-së”, ka thënë Dunlop, duke pohuar se i takon Qeverisë së Kosovës që të vendos për PTK-në.

Lajmet e fundit>