Lajmet

Adobe shton printimin 3D në Photoshop

Publikuar , 17 Janar 2014
0
Adobe shton printimin 3D në Photoshop

PhotoshopAdobe ka shtuar disa mjete të reja në Photoshop të cilat u mundësojnë përdoruesve të krijojnë dhe modifikojnë dizajne për printimin 3D.

Para se të preken fizikisht, modelet 3D duhet të dizajnohen fillimisht në të treja përmasat. Ata mund të krijohen nga fillimi ose mund të shkarkohen nga interneti. Pasi është plotësuar ky hap, do t’ju duhet një softuer që suporton imazhet 3D, nëse dëshironi t’i bëni modifikime.

Deri tani, përdoruesit e Photoshop-it mund të dizajnonin, modifikonin dhe personalizonin modelet 3D në mënyrë të ngjashme me hapat që përdoren për përshtatjen e një imazhi 2D brenda programit.

Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për ta sjellë printimin 3D tek masat. “Printimi 3D ka ekzistuar prej disa dekadash por pjesa më e madhe e parave të shpenzuara në të i kanë takuar fushave të prodhimit dhe asaj dentare,” shprehet Andy Lauta, menaxher produkti i Photoshop-it. “Teksa rritet numri i konsumatorëve që adoptojnë printimin 3D, aq më shumë ndihet nevoja për të pasur mjete për të.”

Pasi shkarkohen modelet 3D nga shërbime online si Thingiverse, përdoruesit e Photoshop-it mund të shtojnë ngjyra, të rregullojnë formën apo të ndryshojnë këndet.

Artistët kanë mundësi edhe të dizajnojnë diçka nga zeroja. Kur është momenti për ta printuar, softueri do t’ju shfaqë edhe disa pika të tjera të rëndësishme për ta përmirësuar siç duhet modelin dhe për ta përgatitur atë për prodhim. Do të keni mundësi gjithashtu edhe të specifikoni llojin e materialit që dëshironi të përdorni për printim.

Përditësimi është i disponueshëm që tani. Ai kërkon versionin 14.1 të Photoshop-it. Për përdoruesit e Adobe Creative Cloud (49.99 $/muaj) është pa pagesë. E njëjta gjë vlen edhe për ata të Creative Cloud (19.99 $/muaj) si dhe përdoruesit e CS3 (9.99$). (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Pas Photoshop vjen edhe versioni i plotë i Illustrator në iPad

Lajmet e fundit>