Harduer

Adoptohen 44 standarde Evropiane për pajisjet elektrike

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 07 Qershor 2019
0
Përzgjedhja e standardeve dhe dokumenteve të standardizimit, europiane dhe ndërkombëtare, u bë nga DPS dhe anëtarët e Komitetit Teknik, sipas Planit të punës së 6-mujorit të parë të vitit 2019. Adoptohen 44 standarde Evropiane për pajisjet elektrike

Standardet për pajisjet elektrike dhe elektronike kanë qenë këtë herë në fokus të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit.

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të këtij institucioni u njoftua adoptimi i 44 standardeve dhe dokumenteve të standardizimit, europiane (EN) dhe ndërkombëtare (IEC) lidhur me fushën e elektroteknikës, si: transformatorët, turbinat, makinat elektrike, bateritë, sistemet e energjisë, pajisje shpërndarëse dhe kontrolli.

Përzgjedhja e standardeve dhe dokumenteve të standardizimit, europiane dhe ndërkombëtare, u bë nga DPS dhe anëtarët e Komitetit Teknik, sipas Planit të punës së 6-mujorit të parë të vitit 2019.

Pas përfundimit të fazës së mendimit publik, përkatësisht të periudhës 60-ditore nga data e publikimit të Buletinit Nr. 77 të DPS-së, ku pasqyrohen projekt-standardet dhe projekt-dokumentet e standardizimit për subjektet e interesuara, të cilat ruajnë të drejtën e dhënies së mendimit, u organizua mbledhja e Komitetit Teknik për adoptimin e standardeve.

U diskutua në lidhje me terminologjinë e përdorur, huazimet e fjalëve dhe korrektësinë e përdorimit të termave teknikë në përkthimin e titujve, të cilat duhet të jenë të përdorshme dhe të kuptueshme nga të gjithë specialistët e fushës.

Në përfundim të mbledhjes, anëtarët e KT-së ranë dakord që të adoptohen si Standarde Shqiptare (SSH), me përkthim të faqes së parë dhe fushës së veprimtarisë së standardeve, në gjuhën shqipe, duke mos bërë asnjë ndryshim në tekstin origjinal të tyre.

Diskutimet e pjesëmarrësve në mbledhje u përqendruan edhe në nevojën e rritjes së ndërgjegjësimit të të gjitha palëve të interesuara në procesin e standardizimit, mbi rëndësinë dhe përfitimet nga aplikimi i standardeve shqiptare në ekonomi. /Monitor

LEXO EDHE:  Testimet tregojnë se "Dark Mode" bën diferencën në baterinë e iPhone me ekrane OLED

Lajmet e fundit>