Biznes

AKEP kërkon “pavarësinë” e plotë financiare dhe ndryshime në legjislacion për 5G

Nga: PCWorld
Publikuar , 27 Tetor 2021
Përpos kësaj sillet në vëmendje edhe nevoja për të bërë amendime lidhur me zhvillimet që kanë sot tregjet dhe një ndër to është edhe teknologjia 5G. AKEP kërkon “pavarësinë” e plotë financiare dhe ndryshime në legjislacion për 5G

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka kërkuar asistencën e një kompanie për të plotësuar kuadrin e tij ligjor me disa hallka të rëndësishme që lidhen me zhvillimet e përgjithshme të tregut.

Ndër të tjera ajo që bie në sy së pari është synimi për të kaluar në një institucion të pavarur nga ana financiare duke e konsideruar situatën aktuale si frenues për investimet.

Kështu AKEP vlerëson se “përcaktimi i burimeve të financimit, të ndarë nga buxheti i shtetit, nuk mund të mjaftojë si element i vetëm përbërës i autonomisë financiare të një autoriteti rregullator në një sektor utilitar, kur në ligj parashikohet kompetenca e Këshillit të Ministrave për miratimin e buxhetit të autoritetit rregullator, si bashkëpropozim i Ministrisë përgjegjëse për komunikimet elektronike dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe detyrimi i AKEP për të kaluar në buxhetin e shtetit tepricën e të ardhurave të mbetura në fund të vitit buxhetor”.

I njëjti dokument nënvizon se “parashikimet ekzistuese, sa i përket dimensionit të autonomisë financiare, nuk lehtësojnë efektivisht operimin financiar të autoritet rregullator për të qënë maksimalisht efiçent në kryerjen e detyrave dhe përmbushjen e objektivave rregullatorë, pasi, sjellim në vëmendje faktin se procedurat e miratimit të buxhetit të këtij institucioni, do të duhet të kalojnë në disa faza apo hapa deri në miratimin final me akt nënligjor nga Këshilli i Ministrave”.

AKEP vlerëson se autonomia financiare e plotë është një ndër kërkesat kryesore të Kodit të Komunikimeve Elektronike të Bashkimit Evropian ndërkohë që edhe autoritete të tjera rregullatore në tregje të tjera gëzojnë këtë pavarësi në dimensione të tjera.

“Të gjithë rregullatorët e komunikimeve elektronike në rajon, por edhe institucione të tjera të pavarura me kompetenca rregullatorë në Shqipëri, si BSH, AMA, ERE, AMF, procedojnë me një buxhet të miratuar nga këshillit drejtuese dhe mbartin tepricat financiare të vitit buxhetor pararendës në buxhetin e vitit pasues. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe për AKEP, për të cilin theksojmë, se nëse i përmbahemi progres-raporteve të fundit të KE, nuk është bërë shumë për sa i përket “pavarësisë operacionale” thuhet në dokument.

LEXO EDHE:  Autoritetet nga disa vende të botës hakojnë grupin famëkeq të ransomware REvil

Përpos kësaj sillet në vëmendje edhe nevoja për të bërë amendime lidhur me zhvillimet që kanë sot tregjet dhe një ndër to është edhe teknologjia 5G.

“Për të krijuar bazën teknologjike të nevojshme për hyrjen në Shqipëri të teknologjive 5G, nevojitet rishikimi i dispozitës aktuale ligjore sa i përket lëshimit të autorizimeve individuale për qëllime kërkimi, matje apo prove (testimi). Me qëllim lehtësimin apo dhe motivimin e operatorëve për të testuar apo kryer matjet e nevojshme teknologjike, shihet e nevojshme garantimi i diskrecionit të AKEP për të zgjatur në kohë afatin e autorizimeve individuale të cilat lëshohen për qëllime testimi, përtej 90 ditëve që parashikon aktualisht ligji” thuhet në dokument.

Sa i takon tarifave analizat e tregut sipas AKEP tashmë duhet të kalojnë në periodicitet 5 vjeçar nga 2 që është aktualisht. Autoriteti ka hapur aktualisht procedurën e prokurimit për të gjetur kompaninë që do ta asistojë në hartimin e kuadrit të ri ligjor.

/Monitor

Tags >

akep