Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (akep) ka bllokuar aksesin e 56 faqeve elektronike që ofronin zhvillimin e lojërave online, pas një kërkese të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (shih listën e faqeve të bllokuara në fund).
Burime zyrtare të AKEP thanë për Monitor se “AKEP nuk është institucioni iniciues dhe as vendimmarrës në lidhje me bllokimin e aksesit të faqeve elektronike, por AKEP ka marrë një kërkesë zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, ku është kërkuar bllokimi i faqeve të internetit të shoqërive që ofrojnë zhvillimin e lojërave online, në kundërshtim me Ligjin nr.155/2015 “Për Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”.
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka dërguar kërkesën pranë AKEP, pasi ka vlerësuar si të paligjshme përmbajtjen e faqeve elektronike.
Pas marrjes së kërkesës AKEP u ka çuar një shkresë operatorëve, që kryejnë aktivitet në fushën e basteve sportive, ku kërkon mbylljen e faqes. “AKEP, me disponimin e kërkesës së organit kompetent të fushës për kufizimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme, i drejtohet sipërmarrësit, subjektit që ofron rrjetin dhe/ose shërbimet e komunikimit elektronik publik, për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit të kësaj përmbajtje”.
Lista e faqeve elektronike, që janë bllokuar nga AKEP, pas kërkesës së Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është si më poshtë: