Biznes

AKEP përgatit një model për rregullimin e tregut celular

Nga: PCWorld
Publikuar , 01 Dhjetor 2020
0
Deri tani, për llogaritjen e orientimit të tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare drejt kostove, AKEP është mbështetur në metodën benchmarking të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC AKEP përgatit një model për rregullimin e tregut celular

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur për herë të parë një dokument reference për modelin e ndërtimit të kostove të operatorëve celularë në tregun shqiptar.

Ky dokument është i rëndësishëm me qëllim rregullimin e tarifave të terminimit ose interkoneksionit të thirrjeve celulare kombëtare në Shqipëri.

Ato përfaqësojnë tarifat që operatorët e shërbimeve celulare i paguajnë njëri-tjetrin për terminimin e thirrjeve në rrjetet përkatëse. Rregullimi i tarifave me shumicë është instrumenti kryesor që përdorin entet rregullatore të komunikimeve elektronike për garantimin e konkurrencës në tregjet e telefonisë celulare.

Deri tani, për llogaritjen e orientimit të tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare drejt kostove, AKEP është mbështetur në metodën benchmarking të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Kjo është bërë në mungesë të një metodologjie të mirëfilltë për llogaritjen e kostove të tregut shqiptar. Ndërsa kjo qasje ka provuar të jetë një mënyrë alternative për të përcaktuar tarifat e terminimit në Shqipëri, AKEP tani synon të zhvillojë modelin e tij të kostos, në mënyrë që këto tarifa të pasqyrojnë me saktësi kushtet dhe karakteristikat e tregut shqiptar.

Dokument i Referencës së Modelit, i hartuar me kontraktimin e dy kompanive të konsulencës,  përshkruan dhe shpjegon parimet kryesore të modelimit dhe parametrat kryesorë mbi të cilët do të bazohet modeli i ri i kostos, duke marrë parasysh maksimalisht rekomandimin e Komisionit European të vitit 2009 dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai adreson gjithashtu cështjet dhe funksionalitetin kryesor të modelit, për të bërë të mundur adresimin e sfidave rregullatore aktuale dhe të ardhshme në Shqipëri.

Por, siç thekson AKEP, ky dokument nuk përcakton në një mënyrë të gjerë dhe shteruese përdorimin e ardhshëm të modelit pasi kjo do të kryhet në kontekstin e vendimeve rregullatore specifike të tregut. Sidoqoftë, ai diskuton qasjet e mundshme që mund të adresohen, të cilat sigurojnë që modeli i zhvilluar është mjaft fleksibël dhe i shkallëzuar për rregullimin e këtyre tarifave në vendimet e ardhshme rregullatore.

LEXO EDHE:  Galaxy Z Fold 2 është disa herë i sigurtë nga dëmtimet sesa Galaxy Z Fold

Konkurrenca në tregun e shërbimeve celulare në Shqipëri është bërë një çështje delikate në vitet e fundit. Operatori i katërt, Plus Communication, doli nga tregu në fund të vitit 2017, ndërsa operatori i tretë, Albtelecom Mobile, operon me humbje që nga fillimi i aktivitetit.

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson që ekziston rreziku për daljen nga tregu edhe të operatorëve të tjerë dhe, për këtë arsye, i ka kërkuar AKEP marrjen e masave të reja rregullatore, përfshi edhe rregullimin e tregut me pakicë. Megjithatë, deri tani, AKEP ka refuzuar, me argumentin se tregu në fjalë nuk plotëson kriteret për rregullim paraprak (ex ante) dhe se legjislacioni për mbrojtjen e konkurrencës është i mjaftueshëm për të adresuar problemet.

Në fund të vitit të kaluar, Vodafone Albania kishte një dominim të dukshëm në shumicën e treguesve, me mbi 50 % të pjesës së tregut sipas numrit të përdoruesve; mbi 47 % të pjesës së tregut për përdoruesit e SIM Card aktivë;  mbi 59 % të pjesëve të tregut për volumin e SMS dhe trafikut të internetit; mbi 52% të tregut për trafikun e minutave dhe përdoruesve aktivë të internetit; 54% të tregut për të ardhurat totale dhe 55% për shërbimet me pakicë. /Monitor