Analiza

AKEP publikon raportin: Bie numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, rritet ai i internetit fiks

Nov 27 2018
0 Shpërndarje
Për tre mujorin e tretë të 2018-ës AKEP raportoi 164 sipërmarrës të rrjeteve dhe shërbimeve të telekomunikimit ku 161 janë operatorë të shërbimeve fikse dhe 3 operatorë mobilë. AKEP publikon raportin: Bie numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, rritet ai i internetit fiks

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë publikoi ditën e sotme të dhënat më të fundit rreth tregut të telekomunikacionit.

Për tre mujorin e tretë të 2018-ës AKEP raportoi 164 sipërmarrës të rrjeteve dhe shërbimeve të telekomunikimit ku 161 janë operatorë të shërbimeve fikse dhe 3 operatorë mobilë.

Sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike kanë detyrim ligjor të dërgojnë në AKEP, të raportojnë të dhëna periodike rreth aktivitetit të tyre.

Gjatë këtij tre mujori numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ishte 2.8 milion, një rritje me 4.3% krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe rënie me 25.8% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ndërsa numra i linjave fikse në fund të tre mujorit ishte 245 mijë, një rënie me 1.01%. Numri i pajtimtarëve në akses në internet broadband shkoi në 332 mijë një rritje me 15.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Rritje ka pasur edhe numri i pajtimtarëve me shërbime të integruara si Internet, TV dhe Telefoni fikse. Kjo shifër shkoi në 215 mijë gjatë kësaj periudhe.

Telefonia Celulare

Numri i pajtimtarëve të telefonisë celulare ishte 4.63 milion në tre mujorin e fundit të vitit ku vetëm 2.85 milion janë përdorues të rregullt të shërbimeve celulare.

Përqindja e përdoruesve me parapagim ishte 90.3% ndërsa numri i përdoruesve aktivë të internetit në celular ishte 1.98 milion.

Të gjithë operatorët celulare patën një 2018 me rënie në numrin e përdoruesve aktivë.

Vodafone Albania vijon të udhëheqë këtë treg me 1.31 milion përdorues aktivë dhe krahasuar me vitin e kaluar ka humbur 31.4% të abonentëve.

Telekom Albania numëron 1.078 milion abonentë aktivë dhe pavarësisht rritjes me 8% krahasuar me tre mujorin e kaluar, në krahasim me 2017-ën ka humbur 11.5% të abonentëve.

LEXO EDHE:  Kënga e Justin Bieber nuk është më videoja më e papëlqyer në YouTube

ALBtelecom ishte operatori celular me rritjen më të madhe krahasuar me tre mujorin e dytë të 2018-ës duke u rritur me 9.8% në 468 mijë abonentë. Megjithatë krahasuar me vitin e kaluar ka humbu 5.3% të abonentëve.

 

ALBtelecom ka numrin më të lartë të përdoruesve me paspagim ku 84% e abonentëve janë në parapagesë. Ky raport për Vodafone Albania dhe Telekom Albania është 93.5% dhe 89% respektivisht.

Mbi 1,04 milion abonentë përdorin internetit celular të Vodafone, 628 mijë të Telekom dhe 308 mijë të ALBtelecom.

Volumi telefonik ka qëndruar thuajse në vend me 1,5 miliardë thirrje të realizuara. Trafiku i gjeneruar nga interneti celular u rrit me 32.7% krahasuar me një vit më parë në 16.4 milion GB.

Çdo përdorues konsumon mesatarisht 2.76GB internet në muaj, 189 minuta dhe 37 SMS.

Telefonia Fikse

Ky sektor dominohet prej vitesh nga ALBtelecom dhe as 2018-ta nuk përbën ndryshim. Operatori më i madh në vend zotëron 69.5% të linjave me 170,378 abonentë ndjekur nga Albanian Satellite Communications (Tring) me 41,179 abonentë, ABCom me 12,242 abonentë, Abissnet me 4,038 abonentë, Nisatel me 3,665 abonentë dhe 13,785 abonentë operatorët e tjerë.

Në tërësi ky treg ka rënë me 1.01% krahasuar me tre mujorin e kaluar.

Interneti Broadband Fiks

Aksesi në internet broadband fiks është edhe sektori me dinamikën më të lartë dhe pozitive në fushën e komunikimeve elektronike.

Në tre mujorin e tretë të 2018-ës, numri i pajtimtarëve me internet broadband në shtëpi arriti në 332,604 abonentë, një rritje me 3.7% krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe 15.6% krahasuar me vitin e kaluar kur ishin vetëm 287,620 abonentë.

LEXO EDHE:  Deutsche Telekom nuk njeh rival në Gjermani, kryeson shpejtësinë e internetit 4G

ALBtelecom është lideri i tregut me 122,075 abonentë. Pavarësisht një rënie tre mujorin e kaluar operatori u rrit me 1% këtë tre mujor. Kompania ofron internet përmes teknologjisë ADSL dhe VDSL për pjesën më të madhe të shtëpive.

ABCom është operatori i dytë më i madh në vend për nga numri i abonentëve dhe operatori i vetëm që operon një rrjet Hybrid-Fiber Coax me teknologjinë DOCSIS 3.0.

Kompania numëron 63,189 abonentë, një rritje me 6.7% krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe 18.8% krahasuar me një vit më parë. ABCom është operatori me rritjen më të madhe nga viti në vit.

Vendin e tretë e zë Tring me 48,652 abonentë dhe rritje vetëm 1.4%. Abissnet u rrit gjithashtu me 31,091 abonentë ndërsa në të dhënat e AKEP që nga fillimi i vitit është shfaqur një operator i ri, Digicom, i cili ofron internet përmes fibra optike për qytetarët (Fiber-to-the-Home).

Ky operator numëron 13,049 abonentë.

Pjesa e tregut e ALBtelecom, dikur monopol në këtë sektor ka rënë në 36.7% të tregut dhe nga viti i kaluar ka humbur 9.1% terren.

Shërbimet Tri-Play

Që nga 2014-ta me investime në rrjete dhe teknologji, është rritur ndjeshëm numri i pajtimtarëve me shërbime të integruara si Internet, TV dhe Telefoni fikse.

Ndërsa në 2014-ën ky numër ishte 119 mijë abonentë, sot ka arritur në 215 mijë abonentë në total, një rritje me 8.5% krahasuar me vitin e kaluar.

Pjesa më e madhe e tyre, ose 103,866 abonentë kanë tre shërbimet. 88,920 abonentë ka telefoni fikse dhe internet ndërsa 22,789 kanë internet dhe TV. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>