Lajmet

AKEP rihap tenderin për frekuencat 4G në bandën 800Mhz

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 26 Korrik 2019
0
Licenca e parë e përdorimit të frekuencave 800Mhz ju dha operatorit Vodafone Albania në Shkurt të këtij viti i cili pagoi 7.4 milionë euro. AKEP rihap tenderin për frekuencat 4G në bandën 800Mhz

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP) lajmëroi ditën e djeshme vijimin e procedurës për dhënien në përdorim të frekuencave në brezin 800Mhz.

Ky brez frekuencash duhet të ndihmojë operatorët celularë të ofrojnë internet 4G më të shpejtë, në zona më popullsi rurale por edhe në hapësira të brendshme.

Licenca e parë e përdorimit të frekuencave 800Mhz ju dha operatorit Vodafone Albania në Shkurt të këtij viti i cili pagoi 7.4 milionë euro.

Dy operatorët e tjerë, Telekom Albania dhe ALBtelecom nuk morën pjesë në garë duke mos dhënë ofertë. Tashmë AKEP ka rivendosur të rihapë tenderin për dy operatorët në fjalë për dy të drejta përdorimi dhe çmimi përsëri nuk do të jetë më pak sesa 7.44 milionë euro.

Ky çmim ishte vlerësuar si i lartë nga dy operatorët e tjerë në tenderin e parë. Vlefshmëria e autorizimit do të jetë 15 vjeçare.

Aktualisht dy operatorët e tjerë ofrojnë 4G dhe 4G+ në frekuencat 1800/2600Mhz. Këto frekuenca janë të mira në ofrimin e internetit 4G të shpejtësisë së lartë por që nuk udhëtojnë në distanca të largëta duke rezultat në mbulim më të ulët.

E kundërta është me frekuencën 800Mhz e cila udhëton në distanca të mëdha por transporton më pak bandwidth. Vodafone Albania është i vetmi operator që ofron 4G në këtë brez.

Në kohën e marrjes së autorizimit kompania është shprehur se mund të ofrojë internet me shpejtësi Gigabit duke kombinuar frekuencat 800/1800/2600Mhz ose siç quhet ndryshe Carrier Aggregation.

Vodafone Albania është operatori më i madh në vend me 1.78 milionë abonentë, ndjekur nga Telekom Albania ma 1.21 milionë dhe ALBtelecom me 613 mijë. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Mesazhet në Instagram dalin përtej aplikacionit mobil për në ueb

Lajmet e fundit>