Biznes

AKEP shtyn hyrjen në fuqi të rregullores së re për mbrojtjen e konsumatorëve

Nga: PCWorld
Publikuar , 08 Tetor 2021
Nga projektrregullorja janë hequr edhe dispozitat që parashikonin krijimin e Bazës Kombëtare të Dhënave të Numrave të Telefonit dhe një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbante numrat e telefonit të pajtimtarëve që do të zgjidhnin të përfshiheshin në të. AKEP shtyn hyrjen në fuqi të rregullores së re për mbrojtjen e konsumatorëve

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka shtyrë afatin e hyrjes në fuqi të rregullores “Për mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.

Rregullorja duhet të hynte në fuqi në 4 tetor të këtij viti, gjashtë muaj pas miratimit nga Këshilli Drejtues i AKEP dhe publikimit në faqen e internetit. Por, me një vendim të marrë këtë javë, ky organ ka vendosur ta shtyjë hyrjen në fuqi më datë 15 dhjetor 2021. Deri tani, janë katër sipërmarrës të tregut të komunikimeve elektronike që kanë paraqitur kontratat e reja tip, konkretisht Vodafone Albania, One Telecommunications, Albtelecom dhe Abissnet.

Nga vlerësimi i deritanishëm i AKEP rezulton se dokumentacioni i depozituar nga katër sipërmarrësit e lartpërmendur, në përgjithësi i ka reflektuar ndryshimet e kërkuara rregullorja e re. Megjithatë, AKEP ka rekomanduar pranë sipërmarrësve se termat dhe kushtet e përgjithshme dhe elementë të tjerë të kontratave tip të depozituara kanë nevojë për ndryshime dhe përcaktime ligjore më të qarta, për të qenë plotësisht në përputhje me përcaktimet e ligjit kuadër të sektorit dhe rregullores në fjalë. Për shkak të këtyre rekomandimeve, AKEP ka gjykuar nevojitet më shumë kohë, me qëllim reflektimin e rekomandimeve në kontratat e pajtimit për shërbimet nga rrjete celulare dhe fikse.

Sipas AKEP, rregullorja e re synon një mbrojtje më të mirë të konsumatorit dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike nëpërmjet rregullave më të qarta për të drejtat tyre në marrëdhëniet me sipërmarrësit duke përfshirë detyrime më të qarta për termat dhe kushtet e përfshira në kontratat e pajtimit; rregulla të qarta për aksesin në shërbimet e emergjencës dhe përcjelljen e informacionit të vendndodhjes së pajtimtarit për këto thirrje; saktësime për kohëzgjatjen, rinovimin dhe përfundimin e kontratave; rregulla më të qarta për trajtimin e ankesave nga operatorët dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pajtimtarë – sipërmarrës; kushtet për transparencën dhe publikimin e informacionit nga operatorët dhe masa për garantimin e aksesit të barabartë për personat me aftësi të kufizuar.

LEXO EDHE:  AKEP nuk ka ende një zgjidhje për operatorët celularë virtualë

Megjithatë, rregullorja pësoi ndryshime rrënjësore në procesin e gjatë të konsultimit që zgjati rreth dy vjet. Nga projektrregullorja fillestare u hoq detyrimi i operatorëve për transparencë mbi shpejtësinë minimale të internetit të ofruar nga rrjetet me lidhje fikse. Në variantin e parë të vitit 2019, AKEP propozoi që shpejtësia minimale dhet të ishte të paktën sa 70% e shpejtësisë së parashikuar në kontratë. Në praktikë, shpejtësia e reklamuar nuk i ofrohet abonentëve gjatë gjithë kohës dhe është ndjeshëm më e ulët në momente të caktuara të ditës, sidomos në oraret e pikut, ku përdorimi i rrjetit të operatorit shtohet. Por, në muajin shtator 2020, AKEP e modifikoi propozimin fillestar, duke kërkuar vetëm që operatori duhet të përfshijë në kontratën e shërbimit një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm të shpejtësisë minimale, normalisht të disponueshme, maksimale dhe të publikuar të shkarkimit dhe të ngarkimit të shërbimit të aksesit në internet, nëpërmjet rrjeteve fikse ose celulare. Ndërsa në variantin final të rregullores, të miratuar në muajin mars të këtij viti, në asnjë nen nuk parashikohen detyrime që lidhen shprehimisht me transparencë mbi shpejtësinë e internetit.

AKEP ka vendosur vetëm një dispozitë me natyrë më të përgjithshme, ku parashikohet se, “si pjesë e informacionit për karakteristikat kryesore të secilit shërbim të ofruar, sipërmarrësit përfshijnë dhe nivelet minimale të cilësisë së shërbimit të ofruar, si koha për lidhje fillestare, koha për riparimin e defekteve dhe, kur është e përshtatshme, edhe parametra të tjerë të cilësisë së garantuar për treguesit e cilësisë së shërbimit, si dhe mënyrat e kompensimit dhe të rimbursimit të pajtimtarit, në rastet kur shërbimi i kontraktuar nuk plotëson nivelin e cilësisë së parashikuar në kontratë.”

LEXO EDHE:  Rritje ndjeshëm konsumi i internetit celular në Shqipëri

Nga projektrregullorja janë hequr edhe dispozitat që parashikonin krijimin e Bazës Kombëtare të Dhënave të Numrave të Telefonit dhe një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbante numrat e telefonit të pajtimtarëve që do të zgjidhnin të përfshiheshin në të.

Këto propozime kanë ndeshur shumë kritika nga operatorët, që janë shprehur se kishte shumë paqartësi për mënyrën se si do të ndërtohej dhe funksiononte regjistri në fjalë, për përballimin e kostove dhe për garantimin e sigurisë së informacionin.

/E.Shehu – Monitor

Tags >

akep