Biznes

AKEP shtyn për herë të dytë hyrjen në fuqi të rregullores për mbrojtjen e konsumatorëve

Nga: PCWorld
Publikuar , 10 Dhjetor 2021
Nga projektrregullorja janë hequr edhe dispozitat që parashikonin krijimin e Bazës Kombëtare të Dhënave të Numrave të Telefonit dhe një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbante numrat e telefonit të pajtimtarëve që do të zgjidhnin të përfshiheshin në të. AKEP shtyn për herë të dytë hyrjen në fuqi të rregullores për mbrojtjen e konsumatorëve

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka shtyrë për herë të dytë në tre muaj afatin e hyrjes në fuqi të rregullores “Për mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.

Fillimisht, rregullorja duhet të hynte në fuqi në 4 tetor të këtij viti. Por, me një vendim të marrë në fillim të muajit tetor, AKEP e shtyu hyrjen në fuqi të saj më datë 15 dhjetor 2021. Por, as kjo shtyrje nuk iu ka mjaftuar operatorëve të mëdhenj të komunikimeve elektronike për të përgatitur kontratat në përputhje të plotë me kërkesat e reja. Në takimin e fundit të zhvilluar nga AKEP me palët, në muajin nëntor, janë evidentuar sërish element që nuk janë gjetur në përputhje me kërkesat e rregullores në draft kontratat e paraqitura prej tyre. Për këtë arsye, Këshilli Drejtues i AKEP vendosi këtë javë ta shtyjë përsëri hyrjen në fuqi të rregullores për në datën 1 shkurt 2022.

Sipas AKEP, rregullorja synon një mbrojtje më të mirë të konsumatorit dhe rregulla më të qarta në marrëdhëniet me operatorët. Ndër risitë e parashikuara në rregullore janë detyrime më specifike për termat dhe kushtet, të cilat duhet të përfshihen dhe të jenë pjesë përbërëse në kontratat e pajtimit, rregulla të qarta për aksesin në shërbimet e emergjencës dhe përcjelljen e informacionit të vendndodhjes së pajtimtarit për këto thirrje;  saktësime për kohëzgjatjen, rinovimin dhe përfundimin e kontratave; rregulla më të qarta për trajtimin e ankesave nga operatorët dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pajtimtarë – sipërmarrës; kushtet për transparencën dhe publikimin e informacionit nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, si edhe masa për garantimin e aksesit të barabartë për personat me aftësi të kufizuar.

LEXO EDHE:  Përdorimi i internetit në Shqipëri në rritje, telefonia fikse braktiset

Në variantin e parë, të propozuar për konsultim në vitin 2019, projektrregullorja përcaktonte disa ndryshime shumë më radikale në detyrimet e operatorëve për transparencë lidhur me çështjet kyçe, si për shembull shpejtësia e internetit të parashikuar në kontratë. AKEP kishte propozuar që shpejtësia minimale duhet të ishte të paktën sa 70% e shpejtësisë së parashikuar në kontratë. Një detyrim i tillë u propozua për shkak të abuzimeve në promovimin e shpejtësisë së paketave: në fakt, shpejtësia e reklamuar nuk i ofrohet abonentëve gjatë gjithë kohës, madje në shumicën e kohës është ndjeshëm më e ulët. Rënia e shpejtësisë ndodh sidomos në oraret e pikut, ku përdorimi i rrjetit të operatorit shtohet. Në variantin final të rregullores, të miratuar në muajin mars të këtij viti, në asnjë nen nuk parashikohen detyrime që lidhen shprehimisht me transparencën mbi shpejtësinë e internetit. AKEP ka vendosur vetëm një dispozitë me natyrë më të përgjithshme, ku parashikohet se, “si pjesë e informacionit për karakteristikat kryesore të secilit shërbim të ofruar, sipërmarrësit përfshijnë dhe nivelet minimale të cilësisë së shërbimit të ofruar, si koha për lidhje fillestare, koha për riparimin e defekteve dhe, kur është e përshtatshme, edhe parametra të tjerë të cilësisë së garantuar për treguesit e cilësisë së shërbimit, si dhe mënyrat e kompensimit dhe të rimbursimit të pajtimtarit, në rastet kur shërbimi i kontraktuar nuk plotëson nivelin e cilësisë së parashikuar në kontratë.”

Nga projektrregullorja janë hequr edhe dispozitat që parashikonin krijimin e Bazës Kombëtare të Dhënave të Numrave të Telefonit dhe një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbante numrat e telefonit të pajtimtarëve që do të zgjidhnin të përfshiheshin në të.

Këto propozime kanë ndeshur shumë kritika nga operatorët, që janë shprehur se kishte shumë paqartësi për mënyrën se si do të ndërtohej dhe funksiononte regjistri në fjalë, për përballimin e kostove dhe për garantimin e sigurisë së informacionin.

LEXO EDHE:  Hyundai nuk do të prodhojë më motorë makinash me djegie të brendshme

/Monitor

Tags >

akep