Biznes

AKEP vendim për shmangjen e interferencave mes Vodafone Albania dhe Telekom Albania

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 04 Nëntor 2019
0
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar një vendim që autorizon ndryshimin e kanalit të sigurisë mes Vodafone dhe Telekom duke shmangur kështu interferencat AKEP vendim për shmangjen e interferencave mes Vodafone Albania dhe Telekom Albania

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar një vendim që autorizon ndryshimin e kanalit të sigurisë mes Vodafone dhe Telekom duke shmangur kështu interferencat si dhe duke bërë rregullimin final pas situatës që u trashëgua nga dalja e operatorit Plus Communication në fund të vitit 2017. Në një vendim të fundit AKEP ka sqaruar se ky ndryshim është kërkuar nga kompania Vodafone dhe ka gjetur edhe dakordësinë e kompanisë tjetër Telekom.

Konkretisht sipas korrespondencës Autoriteti sqaron se sipërmarrësi “Vodafone Abania sh.a.”, i është drejtuar AKEP me shkresat nr. 1449 prot. datë 20.05.2019 dhe nr. 2191 prot. datë 15.10.2019 me anë të të cilave i ka kërkuar AKEP ndryshimin e kanalit të sigurisë në brezin 900 MHz të tij, duke caktuar kanalin ARFCN nr. 1003 (frekuenca 985.80 MHz i ciftuar me 930.80 MHz) si kanal sigurie mes tij dhe Telekom Albania sh.a. “Në kompensim të kanalit 1003 që del nga përdorimi, kërkon caktimin e kanalit ARFCN nr. 983 (frekuenca 881,8 MHz e çiftuar me 926,8 MHz), për përdorim nga Vodafone Albania sh.a. Kanali ARFCN nr. 983 ka shërbyer si kanal sigurie mes Vodafone Alabani sh.a dhe ish-sipërmarrësit Plus Communications sh.a, por pas ndarjes së brezit të këtij të fundit, ky kanal sigurie ndodhet mes dy brezave të Vodafone Albania sh.a. Kalimi i kanalit ARFCN nr. 1003 të Vodafone Albania sh.a si kanal sigurie me Telekom Albania sh.a, do të garantonte përdorim efiçent të spektrit 900 MHz nga dy kompanitë dhe do të shmangte interferencat mes tyre” thuhet në sqarimin e AKEP.

Në pikën dy të vendimit autoriteti sjell në vëmendje se në dhjetor 2017 Këshilli Drejtues i AKEP ka miratuar dhënien e Autorizimeve Individuale, rrjedhojë e përfundimit të procedurës së miratimit paraprak të transferimit të të drejtave të përdorimit të frekuencave të sipërmarrësit Plus Communication sh.a, respektivisht tek sipërmarrësi Vodafone Albania sh.a (VKD nr. 21) dhe sipërmarrësi Telekom Albania sh.a (VKD nr. 22), në sasi spektri të barabartë mes këtyre dy sipërmarrësve.

LEXO EDHE:  Prodhuesit e mëdhenj të makinave, optimistë për makinat elektrike

“Pas ndarjes së spektrit 900 MHz të ish-sipërmarrësit Plus Communications, midis sipërmarrësve Vodafone Albania dhe Telekom Albania, midis brezave 900 MHz të këtyre sipërmarresve nuk ka kanal mbrojtës sigurie. Si pasojë e kësaj ndarje të brezit 900 MHz, mes spektrit që dispononte Vodafone Albania sh.a dhe spektrit që ka marrë nga ish-sipërmarrësi Plus Communications sh.a, ekziston një kanal sigurie, tashmë i ndodhur midis brezit të vetë Vodafone Albania, duke bërë që spektri 900 MHz i tij të mos jetë i vijueshëm. Ky kanal sigurie me ARFCN nr. 983, nuk përdoret nga Vodafone Albania sh.a” nënvizon Autoriteti.

Ky i fundit i është drejtuar edhe Telekom Albania sh.a për kërkesën e Vodafone Albania sh.a, ku kanali ARFCN nr. 1003 i Vodafone Albania sh.a, fqinj me kanalin ARFCN nr. 1004 të Telekom Albania sh.a, të kalojë si kanal sigurie mes Vodafone Albania dhe Telekom Albania sh.a.

“Me shkresën nr. 2191/1 prot. datë 25.10.2019, Telekom Albania sh.a ka konfirmuar dakortësinë e tij për vendosjen e kanalit të sigurisë me Vodafone Albania sh.a në brezin 900 MHz. Ndryshimi i kanalit të sigurisë nuk shoqërohet me efekte financiare, pasi nuk ndryshon numri i kanaleve të frekuencave të Vodafone Albania sh.a, pra nuk ndryshon sasia totale e spektrit të brezit 900 MHz të alokuar sipërmarrësit Vodafone Albania sh.a” thuhet në vendim.

Duke dhënë argumentet e mësipërme Këshilli Drejtues i AKEP ka marrë  vendimin final për të miratuar kërkesën bërë nga Vodafone lidhur me kanalin e sigurisë duke i kërkuar Drejtorisë së autorizimeve që të kryejë procedurat përkatëse si dhe të njoftojë kompanitë e telefonisë celulare të prekura direkt prej tij. /Monitor

Lajmet e fundit>