Lajmet

Aktivizohet PLUS, premtohen çmime 200 për qind më të lira

Publikuar , 27 Nëntor 2010
0
Aktivizohet PLUS, premtohen çmime 200 për qind më të lira

Në ceremoninë e vënies në funksion të këtij operatori të shtunën ka qenë prezent edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, drejtuesit e operatorit “Plus”, ata të Postë-Telekomit të Kosovës, si dhe një numër i madh i biznesmenëve shqiptarë.

Kryeministri Berisha tha se inaugurimi i kësaj kompanie të përbashkët midis investitorëve shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës shënon një ngjarje shumë të rëndësishme, duke e quajtur një dallëndyshe të integrimeve të pandalshme ndërshqiptare rajonale dhe evropiane.

Sipas tij, ky inaugurim i përbën një arritje të madhe në njërin prej tregjeve që është shndërruar në një nevojë jetike për njeriun modern. Kryeministri shqiptar ka theksuar se operatori “Plus” shënon operatorin më të ri që ka standardin e lartë, duke shprehur besimin se ky operator do të sjellë sukses të plotë.

“Unë kam shumë besim të ky ekip i shkëlqyer se do të di të dalin, do të shndërrojnë në më të riun, në më të mirin e të gjitha rrjeteve të gjithë operatorëve në hapësirat shqiptare dhe të urojmë këtyre sukses të plotë. “Plusi” është gjithmonë sukses”, ka theksuar Berisha.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha ka thënë se ndihet krenar me fillimin e punës së këtij operatori, duke shtuar se ky operator do të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve kualitative për konsumatorët.

“Lansimi i operatorit “Plus” në bashkëpunim me operatorin e PTK-Vala do të ndihmojë në integrimin dhe ofrimin e kushteve, respektivisht shërbimeve të një standardi shumë të lartë dhe të favorshëm për gjithë qytetarët tanë”, tha Haxha. Ai deklaroi se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk kanë pasur ndonjëherë rast që të kenë shërbime më të favorshme deri më tash. Sipas tij, operatori i ri garanton suksesin duke marrë parasysh se afër 1 milion shqiptarë të Kosovës vizitojnë bregdetin e Shqipërisë.

LEXO EDHE:  Microsoft sjell plane të reja për OneDrive dhe siguri më të lartë

Duke folur konkretisht për tarifat që do të ofrojë ky operator, Haxha tha se tarifat do të jenë mbi 200 për qind më të ulëta se sa që kanë qenë deri më tash.

“Çmimet bëhet fjalë diku 200 për qind më lirë edhe më tepër se 200 për qind se çmimet ekzistuese. Do të thotë, konsumatorët tanë do të befasohen me çmime simetrike gjithë konsumatorët e “Plus” që vizitojnë Kosovën dhe konsumatorët e Kosovës, respektivisht të “Valës” që e vizitojnë Shqipërinë do të jenë të njëjta çmime”, ka theksuar kryeshefi Haxha.

Petraq Shomo, kryetar i Bordit Drejtues të operatorit “Plus”, ka thënë se synohet që nëpërmjet “Plus” të ndihmohet edhe zhvillimi i biznesit shqiptar nëpërmjet partneriteteve reciproke. Aksionarë e PLUS janë disa biznesmenë shqiptarë, por edhe PTK ka rreth 30 për qind të aksioneve. Numri i punonjësve momentalisht është 241, ndërsa planifikimi është që të arrihet në 350. Vlera e investimit është 63 milionë euro ndërsa priten edhe investime tjera.

Lajmet e fundit>