Biznes

ALBtelecom vazhdon të humbasë pajtimarë të internetit fiks, Vodafone Albania rritet me shpejtësi

Nga: PCWorld
Publikuar , 10 Dhjetor 2021
Shërbimi i telefonisë fikse është në rënie të vazhdueshme nga 248 mijë që kishte në 2018-ën. ALBtelecom vazhdon të humbasë pajtimarë të internetit fiks, Vodafone Albania rritet me shpejtësi

Numri i linjave të pajtimarëve të telefonisë fikse në Shqipëri ishte 205 mijë, një rënie me 11.1% krahasuar me një vit më parë në një treg të dominuar plotësisht nga ALBtelecom.

Ky i fundit zotëron 75.7% të linja fikse në përdorim në Shqipëri me 155 mijë abonentë ndjekur nga Tring me 25 mijë abonentë dhe Vodafone me mijë abonentë.

Shërbimi i telefonisë fikse është në rënie të vazhdueshme nga 248 mijë që kishte në 2018-ën.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për internetin fiks i cili gjatë vitit të kaluar ka shënuar një rritje galoponte nxitur edhe nga pandemia e Covid-19, puna dhe mësimi nga shtëpia.

Në tre mujorin e tretë të 2021 ishin 547,751 abonentë të internetit fiks kur 119 mijë i përkasin ALBtelecom, 108 mijë Vodafone Albania, 60 mijë Tring, 42 mijë Abissnet, 24 mijë Digicom, 19 mijë Nisatel dhe plot 174 mijë i përkasin operatorëve alternativë, kryesisht ISP lokale.

Krahasuar me një vit më parë numri i pajtimtarëve është rritur me 12.7%. ALBtelecom shënoi vlera negative, një trend i nisur që fillim të 2020-ës me rënie të vazhdueshme prej 9.1%.

Ndërsa situata paraqitet tjetër për Vodafone Albania që nga blerja e ABCom në fund të 2019-ës, kompania është rritur me ritme të shpejta. Krahasuar me një vit më parë është rritur me 21.7% ndërsa diferenca mes dy të parëve është reduktuar në vetëm 10 mijë abonentë. Tring, Abissnet, Digicom dhe Nisatel shënuan rritje me 5.7%, 1.8%, 12.3% dhe 15% respektivisht.

Rritja më e madhe vjen nga operatorët alternativë me 35.3% nga viti më vit. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  AMD rifreskon kartat grafike desktop me frekuencë më të lartë