Lajmet

Albtelecom prezanton “Albanian Internet Exchange Point”

Publikuar , 18 Nëntor 2010
0
Albtelecom prezanton “Albanian Internet Exchange Point”

Projekti do të zbatohet nga kompania Verso, një partner i certifikuar me Cisco Gold dhe që operojnë baza të teknologjisë më të fundit nga Cisco.

Dr. Orhan Coskun , Presidenti i Grupit Çalik për Ballkanin dhe Evropën Juglindore, përkatësisht i kompanisë që zotëron shumicën e aksioneve të Albtelecom, tha se Grupi Çalik është mjaft i kënaqur që prezanton këtë investim të ri. “Dëshirojmë që Shqipëria të jetë qendra kryesore e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit në rajon”.

“Ky shërbim, të cilin ne e quajmë Qendra Shqiptare e Shkëmbimit të Internetit – Albanian Internet Exchange Point (AIXP), është i pari dhe i vetmi në rajon dhe e konsiderojmë si një prej hapave më të rëndësishëm për arritjen e këtij objektivit. Falë infrastrukturës ekzistuese të fibrave optike që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe Italinë që ne disponojmë, e falë personelit që ne kemi në Shqipëri, besojmë se objektivi ynë do të realizohet shumë shpejt”, shtoi Coskun .Sevket Acar, Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom shtoi se tashmë po punojnë edhe në shumë projekte të tjera, të cilët gjithashtu do të pasurojnë përvojën e komunikimit të shqiptarëve,  do të shtojnë efikasitetin e bizneseve  dhe do të jenë nxitës për shoqërinë për të pasur edhe më shumë persona të lidhur me internetin.

“Shërbimi AIXP do të bëjë të mundur një internet më të shpejtë dhe më të lirë në Shqipëri dhe do të lehtësojë rrugën e Shqipërisë  drejt digjitalizimit. Vënia në zbatim e shërbimit AIXP do të përfundojë në muajin nëntor dhe krahas lidhjeve të shumta të ISP-ve Shqipëria do të ketë internet të shpejtë” tha  Acar. Ndërsa Peter Hajdu, Drejtori i Emerging East të Cisco Systems theksoi se në  ekonominë e ditëve të sotme, rrjetet broadband po bëhen infrastruktura e katërt bazë, pas energjetikës, ujësjellësve dhe transportit.

LEXO EDHE:  Kompanitë celulare në Shqipëri vazhdojnë të humbasin abonentë

“Këto rrjete mundësojnë njohuri ekonomike dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, sikurse edhe në modernizimin e sektorëve të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia. Me  vënien në zbatim të Qendrës Shqiptare të Shkëmbimit të Internetit, Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt të qenit komb i lidhur me internet”, tha z. Hajdu.

Albtelecom ka investuar dhe do të vijojë investimet në fushën e telekomunikacionit për të përmbushur objektivat e saj për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, në përgjigje të pritshmërisë së përdoruesit. Kjo kompani i ka treguar rëndësi të veçantë produkteve  të shërbimeve në broadband dhe data.

Lajmet e fundit>