Blog

AMA gjobit tre televizione për gjuhë urrejtjeje dhe reklama padeklaruara

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 19 Prill 2019
0
Sipas një njoftimi për shtyp, televizioni Ora mori gjobën më të lartë, 400 mijë lekë në lidhje me një koment në emisionin “Ju Flet Moska” mbi sulmin terrorist në Zelandën e Re. AMA vlerëson se komenti mbart gjuhë urrejtjeje. AMA gjobit tre televizione për gjuhë urrejtjeje dhe reklama padeklaruara

Bordi i Autoritetit të Medias Audiovizive, (AMA), gjobiti televizionin Ora për gjuhë urrejtjeje si dhe televizionet News 24 e TV Klan për transmetim reklamash të padeklaruara ndërsa televizioni Report TV u gjobit për dhunim të të drejtave të një fëmije.

Sipas një njoftimi për shtyp, televizioni Ora mori gjobën më të lartë, 400 mijë lekë në lidhje me një koment në emisionin “Ju Flet Moska” mbi sulmin terrorist në Zelandën e Re. AMA vlerëson se komenti mbart gjuhë urrejtjeje.

Televizioni News 24 u gjobit për 120,000 lekë pasi AMA vlerësoi se dy materiale të transmetuara në edicionin kryesor të lajmeve përbënin reklama të padeklaruara. Po kështu, televizioni kombëtar Klan u gjobit me 120 mijë lekë për të njëjtën arsye.

“Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur”, shkruan AMA në njoftim duke iu referuar një emisioni të transmetuar më 27 mars 2019.

Televizioni Report TV u gjobit me 200 mijë lekë për atë që AMA e konsideroi dhunim të të drejtave të një fëmije gjatë emisionit “Pa Gjurmë”.

Vendimet e AMA vijnë pasi institucioni që ka për detyrë të mbikëqyrë tregun e transmetimeve audiovizuale u kritikua nga një raport i organizatës Media Look ku vërehej prania e gjithë-përhapur e reklamave të fshehta nëpër emisione të ndryshme si dhe në edicionet e lajmeve të televizioneve kryesore në vend. Sipas Media Look AMA ka dështuar të zbatojë ligjin, i cili sanksionon që çdo material reklamë duhet të etiketohet si e tillë në transmetimet audiovizuale.

“Nga vëzhgimi tre mujor që MediaLook i ka bërë 276 edicioneve informative të orës 19:00 dhe 19:30 të tre televizioneve kombëtare kanë rezultuar një total prej 51 kronikash, nga të cilat 20 në TV Klan, 18 në Vizion Plus dhe 13 lajme në televizionin Top Channel,” shkruhet në vrojtimin e MediaLook. /Reporter

LEXO EDHE:  AMA shpreh shqetësim për reklamat e fshehta dhe ato të kujdesit shëndetësor

Tags >

AMA
Lajmet e fundit>