Blog

AMA kompenson televizionet për kalimin nga transmetime analoge në dixhitale

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 25 Prill 2019
0
Masa e kompensimit financiar do të jetë 5 000 000 (pesë milionë) euro dhe financohet nga të ardhurat e arkëtuara nga dhënia e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të Dividentit Numerik 1. AMA kompenson televizionet për kalimin nga transmetime analoge në dixhitale

Subjektet audiovizivë kombëtarë, rajonalë dhe lokalë, që preken si rezultat i kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike do të kompensohen pjesërisht.

Ligji nr. 34/2017, datë 30.03.2017 “Për Lirimin e Frekuencave të Dixhital Dividentit”, i  ndryshuar parashikon mbulimin e pjesshëm të kostove neto shtesë që shoqërojnë kalimin nga transmetimet analoge në transmetime numerike.

Masa e kompensimit financiar do të jetë 5 000 000 (pesë milionë) euro dhe financohet nga të ardhurat e arkëtuara nga dhënia e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të Dividentit Numerik 1.

Sipas këtij ligji përfitojnë tarifën e mbështetjes:

  • 1/5 (1,000,000 euro) e tij do të përdoret për të mbuluar pjesërisht tarifën e mbështetjes së operatorëve ekzistues lokalë/rajonalë në rrjetin numerik të RTSH-së apo në rrjetet e tjera numerike të licencuara sipas ligjit për median audiovizive;

Për këtë kategori subjektesh në ligj parashikohet edhe procedura e detajuar e kryerjes së kompensimit, duke përcaktuar se subjekti përfitues i kompensimit financiar, duhet fillimisht të paguajë në bazë mujore tarifën e mbështetjes në llogarinë e RTSH-së apo të operatorëve të rrjeteve të tjera numerike dhe të paraqesë faturën përkatëse të pagesës pranë AMA-s. Vetëm pas këtij procesi, AMA kalon vlerën e tarifës së mbështetjes në llogarinë e subjektit përfitues.

  • Investime të operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike, që dalin jashtë funksionit, si rezultat i ndryshimeve teknologjike të imponuara nga ligji për mediat audiovizive;

Vlera 2/5 (2,000,000 euro) e shumës së lartpërmendur do të përdoret për të mbuluar pjesërisht investimet e operatorëve me eksperiencë në transmetime numerike, që dalin jashtë funksionit, si rezultat i ndryshimeve teknologjike të imponuara nga ligji nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

  • Ngritjen e infrastrukturës së transmetimit nga analog në numerik, siç kërkohet nga ligji nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
LEXO EDHE:  Edhe Microsoft po punon me një telefon me ekran që paloset

Vlera 2/5 (2,000,000 euro) do të përdoret për të mbuluar pjesërisht investimet e operatorëve privatë historikë kombëtarë për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit nga analoge në numerike.

Për kategorinë e dytë dhe të tretë, AMA i propozon Këshillit të Ministrave, mënyrën e ndarjes së detajuar së kompensimit të kompanive me eksperiencë dhe analogëve historikë kombëtarë. Shpërndarja e kompensimit financiar për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike, kryhet në bazë të raportit të përgjegjësive tatimore.

AMA e konsideron të arsyeshëm këtë vendim për aq kohë sa shteti ka marrë përsipër ndryshimin e teknologjisë së transmetimit. Vendimi për ndarjen e fondeve për subjektet e mëdha bëhet në bazë të raporteve të detajuara tatimore, duke marrë parasysh faktin që kemi të bëjmë me subjekte të cilat prej vitesh paguajnë miliona euro Buxhtetit të Shtetit. /PCWorld Albanian

Tags >

AMA
Lajmet e fundit>