Analiza

Amazon vs. Sony: Lexues e-book

Publikuar , 22 Shkurt 2010
0
Amazon vs. Sony: Lexues e-book

Krahasuam gjeneratën e dytë të Kindle, nga Amazon me Reader Digital Book pRs-700 të Sony-t dhe zbuluam se njëri ka avantazh ndaj tjetrit, por gjithsesi të dy mbeten aksesorë të kushtueshëm edhe për lexuesit e zjarrtë, të gatshëm për ta braktisur letrën.

Amazon Kindle 2
Me $359 e tij, Amazon Kindle 2 është mjaft ftues – është një tablet elegant, i hollë dhe i lakuar, të cilin mund ta mbani lehtë. Por me gjithë përmirësimet, disa ndryshime lënë për të dëshiruar. Kështu Amazon ka punuar pak për ta shtyrë këtë aksesor përtej qëllimit të tij primar, leximit të librave.

Gjithsesi, duke ofruar njëherësh wireless të integruar Sprint 3G (pa kosto shtesë për përdoruesin) dhe integrim të ngushtë me shopping engine të Amazon, Kindle jep një eksperiencë kohezive midis blerjes dhe leximit.
Mbeten megjithatë disa kokëçarje. Shfletuesi web i Kindle mbetet një version “beta” i groposur nën menynë eksperimentale – së bashku me MP3 player-in dhe shumë të përfolurin opsionin e ri tekst-në-zë. Përsëri ju duhet t’ia dërgoni dokumentet vetes suaj me e-mail në adresën tuaj të Kindle, që ato të jenë të lexueshme, megjithëse Kindle 2 lejon transferimin e skedarëve nëpërmjet lidhjes me USB.
Gjenerata e parë e Kindle peshonte vetëm 292 gr dhe ofronte display E-Ink të ngjashëm me letrën, i cili mbante nën kontroll lodhjen e syve. Ishte gjithashtu i lexueshëm nën dritën e diellit; kishte jetëgjatësi të madhe të baterisë dhe lejonte të kërkoje fjalë në çast, të merrje shënime dhe të nënvizoje faqet.

Kindle 2 i ruan të gjitha këto karakteristika në një format më të hollë (vetëm 9.15 mm); me vetëm 288gr, pesha është pothuajse e njëjtë. Ekrani është i njëjtë me atë të Kindle të parë, 6”, me rezolucion 600 me 800, por teknologjia e tij e rinovuar E-Ink mundëson 16 tone të grisë krahasuar me 4 të mëparshmet.
Teksti në Kindle 2 është më i mprehtë; format e germave janë më të sakta dhe shfaqin më pak deformime të ngjashme me bojën e stampuar. Falë përmirësimit të përmendur më sipër, imazhet kanë paraqitje shumë më të mirë.
Kindle 2 e rifreskon faqen pak më shpejt se Kindle 1, por ndryshimi ishte pak i vështirë për t’u kuptuar. Kjo lejon të lëvizni në monitor në kohë reale dhe tashmë joystick-u mund të lëvizë midis opsioneve direkt në display, duke nënvizuar selektimin gjatë procesit – një përmirësim i ndjeshëm.

Fatkeqësisht, çelësi i wireless-it është zhdukur fare; e vetmja mënyrë për të fikur radion është nga menyja “Home”.
Butonat e lundrimit janë rindërtuar tërësisht. Tastet e reja përkulen në brendësi, në drejtim të ekranit  — ndryshe nga ato të versionit të parë të Kindle, të cilat kishin drejtim nga jashtë. Butonat e njësisë së re janë gjithashtu më të fortë dhe dora lodhet më shpejt se duke përdorur Kindle origjinal. Duhet të kalosh gishtin mbi një vend të caktuar vetëm për të kthyer faqen.
Joystick-u i ri i lundrimit me pesë drejtime është i shtangët dhe vendndodhja e tij është e pazakontë (rrota e scroll-it në versionin e parë të Kindle lëvizte rrjedhshëm).
Tastiera e rikonceptuar totalisht i ngjan më shumë asaj që do të shikonit në një celular me organizim QWERTY. Butonat rrethorë janë të thjeshtë për t’u shtypur dhe shumë të përshtatshëm.
Një shtesë jo e papërfillshme e pajisjes është aftësia për të kthyer tekstin në zë. I aksesueshëm nëpërmjet menysë ose një shkurtese të tastierës, ky funksion ka dy zëra lexues dhe deri në 3x shpejtësi leximi kur vendoset në “fast-forward”.  E imagjinoj që mund të përdoret në një situatë të vështirë (p.sh. për të ndjekur një recetë). Por Amazon u ka lejuar botuesve të vendosin nëse duan apo jo të lejojnë konvertimin e tekstit në zë për titujt e tyre, duke kufizuar këtë opsion.

LEXO EDHE:  Microsoft kap rivalin e përjetshëm Apple për nga vlera e tregut

Kindle 2 ushqehet nga dalja USB, duke e bërë të tepërt një karikues. Porta Micro USB e lejon Kindle2 të përdoret si një pajisje USB për ruajtjen e të dhënave. Do të preferoja një portë mini USB, në mënyrë që të mund të lejonte lidhjen me më shumë pajisje.
Në vend të një karte SD, Kindle 2 ka një memorie të integruar prej 2GB. Amazon thotë se audio librat variojnë nga 40 MB në 80 MB, ndërsa një libër tipik Kindle luhatet ndërmjet 700KB dhe 800KB. Kompania thotë se pajisja është e aftë të ruajë mbi 1500 e-book.
Nuk keni më një kasë në brendësi të paketimit, prandaj ju duhet ta blini një të tillë.
Me gjithë defektet dhe papërsosmëritë, duket se leverdia në total e Kindle 2 e bën atë një opsion të mirë për lexuesit.

Kindle për iPhone: Software e-book
Librat Kindle kanë qenë deri tani të kufizuar vetëm për pajisjen e Amazon, lexuesit Kindle. Programi Kindle për iPhone (falas në shkrimin e këtij numri fi nd.pcëorld.com/62695) është një shtesë e mirëpritur. Por fatkeqësisht atij i mungon një ndërfaqe e drejtpërdrejtë Kindle me dyqanin online për të blerë e-libra — një pikë e fortë e Kindle 2 — dhe nuk përkrah përmbajtjen e blogut të Kindle apo abonimet në gazeta apo revista. Gjithashtu ky program nuk përfshin një fjalor.

Kindle për iPhone integrohet mirë me shërbimin Kindle. Ju duhet vetëm llogaria juaj në Amazon.com dhe fjalëkalimi. Mund të aksesoni arkivin tuaj apo të blini në serverët e Amazon-it dhe të shkarkoni e-libra në iPhonin tuaj. Por nuk mund t’i kryeni blerjet drejtpërdrejt nga brenda programit.
Shkarkimi i e-librave mund të vonojë pak nëse iPhoni juaj përdor rrjetin EDGE të AT&T në vend të 3G apo Wi-Fi. Me 3G të aktivizuar, e-librat shkarkohen shumë shpejt.
Aplikacioni është i thjeshtë. Faqja kryesore rendit e-librat që keni shkarkuar në iPhone si dhe artikujt e arkivuar. Për të hapur një e-libër, klikoni titullin e tij. Në vend të rrëshqitjes poshtë/lart mjafton të kaloni gishtin majtas apo djathtas për të shfletuar faqet. Me një e-libër të hapur, kontrollet e pajisjes rishfaqen duke prekur ekranin. Sfondi është i bardhë borë dhe nuk mund të ndryshoni kontrastin.
Avantazhi i vetëm i iPhone si një lexues e-librash: display me ngjyra të plota. Imazhet duken pa dyshim shumë më mirë në iPhone.
Kindle për iPhone nuk mund të jetë për përdorues seriozë të e-librave, por është një shtesë e dobishme për njerëz të cilët mbajnë gjithmonë iPhonin me vete dhe herë pas here duan të shfletojnë ndonjë e-libër.

LEXO EDHE:  Çfarë është Artikulli 13 i ligjit të ri Evropian të të drejtave të autorit?

Sony reader digital book PrS-700
Sony reader digital book PrS-700 kushton $400. Megjithëse ka disa pika të forta, duhet thënë se ka pasur një jetë të vështirë duke u përballur me dizajnin e përgjithshëm të Kindle dhe integrimin e mirë të tij me dyqanin Amazon (shikoni faqen tjetër për një diskutim mbi marrëveshjen midis Soty dhe Google mbi e-book).
PRS-700 ndryshon tmerrësisht nga Kindle. Nuk është aq i lartë dhe eliminon tastierën për të garantuar një formë më kompakte. Mbi display-n e tij E-Ink, vendoset një shtresë touch screen.  Ashtu si ekrani i Kindle 2, është 6″ dhe  ka një rezolucion 600 me 800, por duket më i madh. Gjithashtu teksti dukej më i pranueshëm për sytë, megjithëse germat nuk ishin aq të mprehta dhe grafika aq e qartë sa ajo e Kindle 2.
Si një fan i touch screen-it, nuk më pëlqeu fakti që ekrani duhej shtypur vërtet fort për t’u aktivizuar. Mund të përdorej gishti për të zgjedhur fjalë dhe për të bërë shënime, por jo lehtësisht. Ekrani dallon lëvizjet e gjesteve; fare mirë gishti mund të rrëshqasë majtas apo djathtas për të ndërruar faqe (edhe në kënde të ndryshme) dhe mund ta ndaloja më pas gishtin për të shfletuar shumë faqe menjëherë. Megjithatë, presioni i ushtruar për të kryer tërë këto funksione duket tepër i madh.

PRS-700 pajiset me një stilus. Diametri shumë i hollë e bën atë të parehatshëm për t’u mbajtur gjatë, por mund ta përdorni për gjestet. Faqja kryesore e njësisë ndahet në katër butona kryesorë me prekje: Continue Reading,Books, Collections, dhe notes; tre butona të tjerë në fund të ekranit aksesojnë audion, fotot dhe opsionet. Butonat fizikë të njësisë vendosen nën ekran, në një rresht kompakt; return, page back, page forward,home (më i madh se të tjerët), search, enlarge dhe Option (për të aksesuar meny të ndjeshme ndaj kontekstit).

Librat janë rreshtuar sipas titullit dhe autorit me një shirit alfabetik në të djathtë për të ndihmuar lundrimin. Mund ti rreshtoni sipas titullit, autorit apo datës së marrjes dhe t’i paraqitni si listë (automatike) apo si ikona (tre me tre, për nëntë libra në total). Duket i lundrueshëm apo jo? Gabim. Doja të shtypja butonat përgjatë ekranit, jo shumë më poshtë.
Diçka e pëlqyeshme ishte aftësia për të ndryshuar orientimin e ekranit nga portret në landscape. Një tjetër ishte drita me LED që ndriçonte perimetrin e ekranit. Ndriçimi i saj mund të jetë shpesh vendimtar — një prej problemeve me Kindle 2 është se nuk mund ta përdorni në një ambient pa ndriçim të jashtëm (si p.sh. një aeroplan me drita të shuara).

Memoria e brendshme ruan rreth 350 libra; njësia mund të aksesojë edhe libra të ruajtur në karta memorieje (në pjesën e sipërme ndodhen dy slote — njëra për MSD dhe tjetra për kartë SD)
Sony përkrah vetëm PC, jo pajisje të tjera me softuerin e tij eBook Library 2.5, një shkarkim i detyrueshëm për të blerë dhe transferuar librat nga ebookstore.sony.com. Sony tashmë është duke u bashkuar me Google në një partneritet që do të garantojë libra online (shih më poshtë).

LEXO EDHE:  Gratë Shqiptare përdorin më pak internetin por blejnë online më shumë sesa burrat

Reader-i punon gjithashtu me dokumente Adobe PDF (me reflow), dokumente Microsoft Word, dokumente të tjera teksti si dhe dokumente EPUB dhe Adobe Digital Edition (mungesa e mbështetjes për formate të tjera jo-Kindle mbetet një tjetër mangësi e madhe e Kindle 2).
PRS-700 gjithashtu përkrah audio MP3 dhe MP4 — mund të përdorni daljen e kufjeve për të shijuar muzikë duke lexuar.
Veçanërisht pas marrëveshjes me Google, Sony shënon pikë të rëndësishme me PRS-700, por ka nevojë për një touchscreen më të ndjeshëm dhe kontrolle më të mira lundrimi. Mungesa e një wireless-i të integruar e bën përdorimin e tij — gjetjen dhe blerjen e materialeve të reja — shumë më pak intuitive dhe impulsive sesa me Kindle 2. Shkurt, ky raund i përket Amazon.

Google dhe Amazon bashkohen për të luftuar dominimin e Amazon me Kindle.
Me gjithë dizajnin tërheqës dhe çmimin konkurrues, Sony Reader është lënë pas nga konkurrenti i tij, Amazon Kindle.
Sidoqoftë, një partneritet Google-Sony i shpallur në mars po e ndryshon këtë. Më shumë se gjysmë milioni libra të botuar përpara vitit 1923 do të jenë të disponueshëm falas në librarinë online të Sony-t. Titujt janë dixhitalizuar si pjesë e iniciativës Google Book Search dhe meqë janë të lirë nga problemet e të drejtave të autorit, ka shumë mundësi që Google dhe Sony të mos hasin asnjë pengesë nga industria e librit.
A i jep ky pakt pajisjes së Sony-t një avantazh ndaj Kindle?  Në numrin e titujve të disponueshëm po, sepse Sony dhe Google ofrojnë rreth 600 000 kundrejt 245 000 të Kindle.  Prapëseprapë, kushtet e marrëveshjes Sony-Google e lejojnë gjigantin e kërkimit që të firmosë një marrëveshje të ngjashme me dikë tjetër. Përse pra Google nuk e ka bërë këtë më parë me Amazon? Ndoshta aspekti “falas” i Google nuk ka qenë tërheqës për Amazon, që tenton të ketë një fitim prej shitjes së e-librave te zotëruesit e një Kindle për $5-$10; Sony nga ana tjetër, është më i interesuar të qarkullojë hardware në treg.

Marrëveshja Google-Sony duhet të jetë lajm i mirë për fansat e e-librave. Amazon mund të detyrohet të bëjë të njëjtën gjë. Lexues të tjerë mund të bëhen më ekonomikë.
Por për Sony-n mbetet akoma shumë punë për të bërë. Fillimisht i duhet të përmirësojë përdorimin e lexuesit të tij. Ndryshe nga Kindle, i cili e shkarkon përmbajtjen e tij nëpërmjet wireless-it, i pavarur nga një kompjuter, Reader-i mbetet ende i lidhur me këtë platformë si ndërfaqe kryesore.

Ajo që po harronim ishte Google… Çfarë përfiton Google nga e gjithë kjo? Fillimisht, thuhet se e-librat falas do jenë pa afishime publicitare, por dyshoj shumë se kjo do ndryshojë shpejt (kërkimi i librave në Google kushton). Pra, do të shohim reklama suvenirësh të Luftës Civile në anët e bexhit të kuq të trimërisë.

Lajmet e fundit>