Biznes

AMF miraton rregulloren e licencimit për bursat e kriptovalutave

Nga: PCWorld
Publikuar , 04 Tetor 2022
Bursat DLT janë tregje ku mund të tregtohen asetet që mbështetet në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë apo kriptoasetet. AMF miraton rregulloren e licencimit për bursat e kriptovalutave Photo Source: Shutterstock

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi javën e kaluar “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si Bursë DLT”.

Bursat DLT janë tregje ku mund të tregtohen asetet që mbështetet në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë apo kriptoasetet.

Në mbështetje të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, bursat DLT do të kenë tre kategori licencash: licenca e kategorisë A, ku mund të tregtohen vetëm token digjital shërbimesh, token digjital asetesh dhe token digjital pagesash; licenca e kategorisë B, ku krahas veprimtarisë së lejuar për kategorinë A, mund të tregtohet gjithashtu para’ FIAT dhe monedha virtuale dhe licenca e kategorisë C, ku krahas vepritarisë së lejuar për kategorinë A dhe B, mund të tregtohen gjithashtu edhe token digjitalë të titujve.

Bursa DLT ndalohet të kryejë tregtim për llogari të vetë dhe tregtim bazuar në parimin e përputhshmërisë. Licencimi i bursave të tregtimit të kriptomonedhave do të bëhet bazuar në kërkesa të hollësishme për dokumentacion të lidhur me organizimin e shoqërisë dhe planin e biznesit dhe kërkesave të lidhura me reputacionin dhe burimin e kapitalit.

Pas marrjes në dorëzim të kërkesës për licencim dhe paketës së dokumenteve, Autoritetet përgjegjëse (AMF dhe AKSHI) ngrenë komisionin e përbashkët që do të kryejë shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje dhe legjislacionit në fuqi. Rregullat për funksionimin dhe organizimin e komisionit përcaktohen me urdhër të përbashkët të autoriteteve përgjegjëse. Në çdo rast që e vlerëson të nevojshme, komisioni mund të thërrasë për mendim edhe përfaqësues nga institucionet e tjera.

Rregullorja përcakton se autoriteti e mbështet vendimmarjen e tij mbi parimet e mbrojtjes së interesave të investitorëve dhe interesit publik, nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare, sigurimin e respektimit të ligjit, sigurinë e sistemeve dhe sigurinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike.

LEXO EDHE:  Shteti i New York-ut bëheti pari që vendos kufizime për gërmimin e kriptomonedhave

Gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesës për licencim, Autoritetet vlerësojnë dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti kërkues, duke marrë në konsideratë përmbushjen e kritereve për përshtatshmëri dhe aftësi të aksionarëve, administratorit, anëtarëve të këshillit të administrimit, atij mbikëqyrës, si dhe personelit kyç sipas kërkesave të ligjit dhe rregullores dhe kapacitetin dhe aftësinë e subjektit kërkues për të ruajtur dhe plotësuar në të ardhmen kushtet e përgjithshme dhe kriteret e veçanta të ligjit dhe rregullores.

Autoritetet përgjegjëse mund të refuzojnë kërkesën për licencim në rastet kur gjykojnë mbi baza të arsyeshme se subjekti kërkues ka dorëzuar dokumente ose informacion të rremë, të pasaktë ose jo të plotë, kur gjykojnë mbi baza të arsyeshme se dokumentet e dorëzuara nga subjekti kërkues janë të pamjaftueshme ose subjekti kërkues nuk përmbush kushtet e kriteret për licencim, apo kur gjykojnë mbi baza të arsyeshme se subjekti kërkues nuk do të jetë i aftë të plotësojë në të ardhmen kushtet e kriteret për licencim. Plotësimi i kuadrit rregullator për kriptomonedhat ishte një nga detyrat e lëna për AMF për këtë vit nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së AMF për vitin 2021, Kuvendi kërkon që ky institucion të miratojë brenda vitit 2022, aktet rregullatore në zbatim të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, si edhe të intensifikojë bashkëpunimin me autoritetet rregullatore ndërkombëtare për marrjen e eksperiencave më të mira për këtë treg.

Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ka hyrë në fuqi në datën 1 shtator 2020. Megjithatë, zbatimi i plotë i tij ende nuk ka qenë i mundur, pikërisht për shkak të mungesës së të gjitha akteve të nevojshme nënligjore.

LEXO EDHE:  Konferenca e zhvilluesve WWDC e Apple vjen më 6 Qershor

Në nëntor të vitit të kaluar, Bordi i AMF miratoi dy rregulloret e para në zbatim të këtij ligji, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”.

Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë duhet të sigurojnë një nivel të mjaftueshëm të kapitalit rregullator, i cili duhet të jetë në çdo kohë të paktën sa vlera më e lartë mes nivelit minimal të kapitalit i përcaktuar në ligj për subjektet e që veprojnë në tregun e kriptovalutave, (ku përfshihen agjenti i Tokenit Digjital (TD), bursat DLT dhe kujdestarët e portofolit të palëve të treta), ose sa një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme fikse të vitit paraardhës, të rishikuara çdo vit.

Kapitalizimi mund të përmbushet përmes fondeve të vetë subjektit ose një police sigurimi për mbulimin e përgjegjësisë profesionale.

Çdo bursë DLT (për tregtimin e asteve të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë) duhet të vërtetojë se ka një kapital fillestar minimal prej 20 milionë, deri në 90 milionë lekë, në varësi të kategorisë së licencës.

/Monitor