Lajmet

Android 12 do të lejojë instalimin e aplikacioneve jashtë Play Store

Nga: PCWorld
Publikuar , 29 Shtator 2020
0
Google qartësoi edhe njëherë qëndrimin e kompanisë për blerjet brenda aplikacioneve, Android 12 do të lejojë instalimin e aplikacioneve jashtë Play Store

Kur Google të lançojë Android 12 vitin e ardhshëm, kompania tha se përdoruesit e Android do ta kenë më të lehtë të instalojnë aplikacione të reja nga dyqane të tjera aplikacionesh përveç Play Store.

Ndryshimi sipas Google vjen në përgjigje të kërkesave të vazhdueshme të zhvilluesve dhe premtoi më shumë informacione në të ardhmen lidhur me këtë veçori.

Përveç këtij lajmi, Google qartësoi edhe njëherë qëndrimin e kompanisë për blerjet brenda aplikacioneve. Motori i kërkimit do ti kërkojë të gjithë zhvilluesve të cilët ofrojnë sende dixhitale përmes aplikacioneve të tyre të përdorin sistemin e pagesave të Play Store. Afati i fundit është data 30 Shtator 2021 për tu përmbajtur këtyre kushteve.

Sipas kompanisë vetëm 3% e zhvilluesve preken nga ky ndryshim dhe se 97% e tyre përdorin sistemin e pagesave të Google Play kur njerëzit blejnë prej tyre.

Megjithatë pjesë e këtij 3% janë edhe Netflix dhe Spotify të cilët marrin pagesa direkt dhe jo përmes sistemit të Google Play. Ndryshimi i politikave do të detyrojë këto kompani ti paguajnë Google 30% tarifë për blerjet brenda aplikacioneve.

Qartësimi i politikave pas dëbimit të Fortnite nga Play Store. Në Gusht Epic Games shtoi një sistem vetjak pagesash në Android dhe iOS duke u dhënë mundësi lojtarëve të blejnë direkt nga kompania dhe jo përmes sistemeve të pagesave të Apple dhe Google dhe shmangur në proces tarifën 30%. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Koronavirusi, bizneset Call Center në rrezik